Njihuni me Alfred Mirashin, shqiptarin nga Miloti që ka vendosur në qendër të Napolit skulpturën e tij monumentale, e cila është bërë këto ditë simboli i qendrës së Napolit.
Pak ditë më parë në Piazza Mercato, Napoli u mblodhën personalitete të shquara të kulturës dhe artit, gazetarë dhe banorë, sytë e të cilëve u gozhduan mbi një çelës gjigand që qëndron në mes të sheshit. Madhështia e kësaj vepre arti të lë pa fjalë.
Ndërsa Piazza Mercato shndërrohet qendra e ngjarjeve artistike në Italinë e shenjtorëve të magjisë së krijimit, pakkush mendon se pas gjithë kësaj madhështie në sheshin legjendar të Napolit qëndron një shqiptar. Ai është Alfred Mirashi – Miloti, piktor, akademik dhe skulptor monumental.
Është pagëzuar si “Çelësi i së sotmes” dhe merr bekimin për të qenë një altar ku lutjet tona për një botë që meritojmë, të mund të dëgjohen, ëndrra jonë e madhe e dimensioneve eterne të lirisë, të bëhet realitet. Çdo ide e mendim që përcjell “Çelësi i së sotmes” është një mesazh që arti si dishepulli i dijes dhe dritës kërkon të shpërndajë duke trokitur në çdo zemër të hapur. “Çelësi i së sotmes”, i artistit Alfred Mirashi - Miloti, vjen në jetë për t'u përkundur në djepin e qytetërimit dhe artit, në Itali, duke u pagëzuar me ninullat e Napolit. Do të rritet në ëndje dhe shpirtin napolitan kjo krijesë prej korteni dhe mundi, për të vijuar shtegtimin nëpër qytetet e Italisë. Nuk do të mjaftohet vetëm me Italinë kjo vepër monumentale, sepse ai është pjesë e projektit, “Çelësat e unitetit”, i cili në bashkëpunim me JeanWolfe nga Los Angeles, do të synojë Amerikën dhe Botën.