Në rubrikën "Parashikimi i yjeve" në emisionin "Rreze Dielli", astrologu Jorgo Pulla bëri një parashikim javor të detajuar për 12 shenjat zodiakale për periudhën 18-24 shtator 2023.
Sipas astrologut Jorgo Pulla duket se është një javë me pak vështirësi dhe ku duhet të kemi kujdes. Kërkohet vëmendje, kërkohet kohë në lidhje me çështje që duam të realizojmë. Motoja e kësaj jave është: verifikoj, veproj, arrij! Java nis me Hënën në Akrep, në çdo hap që do të hedhim duhet të kontrollojmë gjithçka. Trekëndëshi i Hënës në Saturn do të na japë mundësi për një organizim sa më të mirë duke bërë që të jemi të kujdesshëm në gjërat që marrim përsipër. Më datën 19 shtator, kujdes mos u nxitoni në marrje vendimesh! Më datën 21 shtator, trekëndëshi që bën Dielli në Pluton na jep mundësi për fillime të reja, mundësi të reja dhe shumë përfitime. Gjithashtu data 24 shtator ku Hëna kalon në shenjën e Bricjapit do të bëjë që të ndihemi më mirë, më të sigurtë në anën ekonomike, por jo vetëm. Edhe ana shpirtërore do të ketë një ndikim pozitiv përgjatë fundjavës.