Pa Gjurme surprizon dy nëna ua kthen djemtë në shtëpi/ Lot hidhërimi për familjen Palla

17 Mars 2022, 19:47 | Përditesimi i fundit: 2022-03-17 19:51:07

Emisioni investigativ ’Pa Gjurmë’ në Report TV gjen pasditen e kësaj të enjte tre të humbur. Emocione dhe lot gëzimi për familjen Shestani, pas gjetjes së 42-vjeçarit Pjerin Shestani. Gëzim pati edhe në familjen Picari, që gjetën djalin e tyre Asimin, 45-vjeçar. Fatkeqësisht lajm i hidhur u përcoll për familjen Palla, pasi 23-vjecari Llazar Palla i humbur më 12 mars të këtij viti, u gjet i mbytur në rezervuarin e fshatit Sqepur të Dimalit. Llazar Palla humbi më 12 mars, u gjet i mbytur më 17 mars Fatkeqësisht këtë pasdite moderatorja e emisionit ’Pa Gjurmë’ Odeta Dume përcolli lajmin e hidhur për të riun nga Berati Llazar Palla. 72 orë pasi humbi gjurmët në fshatin Sqepur, ai u gjet i mbytur pak metra larg banesës në rezervuarin e fshatit. Më 12 mars i riu që as nuk fliste dhe as nuk dëgjonte u zhduk në pak minuta nga oborri i shtëpisë. Lajmi u konfirmua dhe nga vëllai i tij, Flori Palla në një lidhje me Report TV. ‘Fatkeqësisht ishte ajo që ne dyshonim. Llazari ishte nisur drejt rezervuarit, aty ku e pa për herë të fundit nga një fqinj i yni. Vëllai ynë ishte mbytur po atë ditë kur doli nga banesa, më 12 mars. Ju falenderoj punën tuaj dhe ngushëllimet që më përcollët. Ky ishte fati i vëllait tonë’- u shpreh i përlotur Flori Palla Asim Picari humbi më 5 mars, u gjet më 16 mars Denoncimi në ’Pa Gjurmë’, për 45-vjeçarin nga Vora Asim Picari zbuloi një tjetër skandal. Sipas familjarëve ai u zhduk në prani të uniformave blu dhe bluzave të bardha, të cilët nuk u dhanë asnjë sqarim se ku përfundoi i sëmuri. 45-vjeçari, pasi kishte shfaqur probleme shëndetësore ishte nisur me një autoambulancë që shoqërohej edhe nga një makinë policie, drejt Spitalit Psikiatrik të Tiranës. Por për habi të familjarëve, ai nuk kishte mbërritur në spital. Nga verifikimi i regjistrave emri i tij nuk figuronte. Kjo ishte arsyeja pse nëna dhe e motra iu drejtuan emisionit ’Pa Gjurmë’. Dëshmia e një qytetare nga zona e Babrrusë dhe fotos që ajo dërgoi në redaksi zbuloi gjurmët e tij të fundit të Asimit. Gazetarët e programit nisën menjëherë investigimin për të bërë të mundur gjetjen e tij. Po cfarë zbuloi Pa Gjurmë në terren për Asim Picarin? Pas ndihmës që nëna kishte kërkuar në Urgjencën e QSUT, dhe në komisariatin e Vorës, Asim Picari ishte marr nga këta të fundit rreth orës 14 30 të datës 5 mars nga shtëpia me autoambulancë. Më pas ishte dërguar në spitalin Psikiatrik në Tiranë. Me të dhënë ndihmën e parë, bluzat e bardha e kanë lënë të lirë duke mos e regjistrua në Urgjencën e spitalit nr. 5 . I pavetëdijshëm, 45-vjeçari kishte përfunduar në situatë rruge dhe sipas informacione në datën 7 mars është gjetur pa ndjenja nga banorët e Babrrusë. Këta të fundit kanë njoftuar Urgjencën dhe Asimi ka përfunduar sërish në spital, si i paidentifikuar. Për ironi të fatit edhe këtë herë bluzat e bardha i japin ndihmën e parë dhe e lënë sërish të lirë. Falë stafit të emisionit Asim Picari u gjet pranë kangjellave të QSUT-së. I përhumbur dhe në gjendje tejet të rënduar psikologjike, kur pa nënën dhe motrat i shkëlqyen sytë. Takimi i Asimit me familjarët ishte tepër emocionues. Stafi i programit qëndroi aty me familjen Picari, derisa u sigurua që të gjithë së bashku u nisën drejt Vorës, me shpresën se 45-vjeçari nuk do të largohet më kurrë. Pjerin Shestani humbi më 14 mars, u gjet më 16 mars ’Pa Gjurmë’ gjen një orë pasi mbylli transmetimin live Pjerin Shestanin. Ai humbi gjurmët Ditën e Verës në zonën e 21-dhjetorit, ndërsa u gjet pranë Liqenit Artificial në Tiranë, falë shumë dëshmive të ardhura nga qytetarët. Të tjera emocione u përjetuan pasditen e kësaj të enjte, kur u shfaqën momentet e takimit të nënës me të birin. E moshuara kishte kërkuar ndihmën e policisë, por uniformat blu e kishin përcjellë duke i thënë ’Të rroni vetë’. Ajo iu drejtua Report Tv për ndihmë, nga ku u bë e mundur gjetja e Pjerin Shestanit. ‘Jam e lumtur që ma gjetët djalin. I falenderoj të gjithë se nuk e kisha menduar se djalin do ma gjenit brenda ditës. Kërkova ndihëmn e policisë, por ata ma mbyllën derën. U ktheva në shtëpi duke qarë se e kam djalë dhe më dhëmb shpirti’ u shpreh e 82-vjeçarja