Pacarok me të brendshme qengji nga zonja Albana / Ja receta origjinale e traditës

30 Shtator, 11:43

Pacarok me të brendshme qengji

Përbërësit:

  • 1 kg zorrë e paçe qengji
  • 300 gr miell misri
  • 100 gr miell gruri
  • 300 ml kos e ujë
  • 2 kokrra vezë
  • 2 fk vaj ulliri
  • 1 lugë kafeje sodë
  • Kripë, piper i zi
  • Pak gjalpë

Përgatitja:

Lajmë zorrët dhe paçen dhe i vendosim të ziejnë me pak kripë derisa të jenë zbutur. Derdhim lëngun dhe i lëmë të kullojnë e të ftohen. I grijmë në copa të vogla dhe i vendosim në zjarr në një tigan. I skuqim pak me 4 lugë vaj, sa të pinë lëngun. I hedhim pak piper të zi dhe i heqim nga zjarri. Ndërkohë në një tenxhere hedhim 250 ml kos e 50 ml ujë, 1 lugë kafeje kripë, vajin e ullirit, miellin dhe i përziejmë. E vendosim tenxheren pak në zjarr të ulët, sa të vaket. E heqim nga zjarri e i bashkojmë me zorrët dhe paçen. Shtojmë edhe sodën dhe i përziejmë. E hedhim në tepsi dhe e pjekim në sobë të nxehur, në temperaturë 180 gradë, për 45 minuta. Kur kanë kaluar 25 minuta në pjekje, i spërkasim me gjalpë dhe me pak kos të holluar që në përfundim të pjekjes të marrë ngjyrë të kuqërremtë.