Prof. Dr. Petraq Sotiri është një prej figurave më të mëdha të agronomisë shqiptare, një emër që prej më shumë se gjysmë shekulli ka qenë gur themeli në zhvillimin e pemtarisë, ullishtarisë dhe bujqësisë shqiptare. Në vitet e vështira të së kaluarës, ai ishte modeli i specialistit stoik, i pandikuar nga dogmat e kohës, por i përkushtuar vetëm ndaj shkencës, praktikës dhe dijes. Prof. Petraqi ishte gjithmonë aty ku duhej: në auditor me studentët, në ngastra eksperimentale, në vreshta, në fshatra e ekonomi bujqësore, duke sjellë dije të thellë dhe duke inspiruar brez pas brezi profesionalisht.
Edhe sot, në moshën 90-vjeçare, ai mbetet një mendje e kthjellët, një burim dijeje të çmuar dhe pjesë aktive e Këshillit të të Urtëve pranë Ministrisë së Bujqësisë. Në një kohë kur bujqësia shqiptare përballet me sfida të reja dhe potencial të jashtëzakonshëm, përvoja e tij është më e vyer se kurrë. Sot në “Rreze Dielli” me profesor Petraqin do të flasim mbi ullishtet shqiptare, trashëgiminë e tyre, sfidat, sëmundjet, prodhimin, varietetet, dhe të ardhmen e vajit të ullirit në një treg konkurrues.





















