Receta e ditës - Kek me limon dhe krem lulelakër me arra dhe pançetë / Pjesa e dytë

18 Mars, 11:50

Krem lulelakër me arra dhe pançetë

Përbërësit:

800 gr - 1 kg lulelakër

Gjalp

2 qepë të vogla

4 feta pançetë

1 filxhan çaji qumësht

4 lugë gjelle pana gatimi

2 lugë gjelle parmixhan

Kripë dhe piper i zi

50 gr arra

Feta buke ose bagetë

Pastrojmë lulelakrën dhe e vendosim në tenxhere të copëtuar në lule. Shtojmë ujë dhe e lëmë të ziejë për 20 minuta. Në një tenxhere vendosim 40 gr gjalp, e shkrijmë dhe shtojmë në të qepën të grirë shumë hollë. Shtojmë pançetën të prerë në copa 2 cm. I kaurdisim derisa pançeta të theket dhe të marrë ngjyrë të kuqerrëmtë. E largojmë pançetën nga tenxherja dhe e lëmë mënjëanë. Me ndihmën e një kullese largojmë lulelakrën nga uji dhe e shtojmë në tenxheren me qepë. Shtojmë në këtë tenxhere edhe 1 garuzhde nga uji ku ziem lulelakrën dhe i trazojmë së bashku derisa të marrë shijen me qepën. Kalojmë lulelakrën në blender dore dhe e kthejmë atë në pure. Shtojmë një filxhan qumësht, panën, pamixhanin, kripë dhe piper të zi. I përziejmë përsëri me blender. Copëtojmë arrat në copa të dukshme. Thekim disa feta bagetë dhe servirim lulelakrën duke e dekoruar me një fetë bagëtë të thekur, disa copa pançetë të skuqur dhe një lugë gjelle arra të copëtuara. Ju bëftë mirë.

Programe të tjera

Shiko të gjitha