Makarona furre me kungull dhe bizele
Përbërësit:
320 gr makarona
Vaj ulliri
1 thelpi hudhër
400 gr kungull të njomë
200 gr bizele
250 gr proshutë koto
Kripë dhe piper i zi
40 gr parmixhan
Për beshamelin:
50 gr gjalp
50 gr miell
500 gr qumësht
250 gr rikota
Kripë, arrëmoskat
Përgatitja:
Fillimisht vendosim një tenxhere me ujë të bollshëm për të valuar.
Ndërkohë përgatisim beshamelin. Ngrohim qumështin dhe e aromatizojmë atë me arrëmoskat. Në një tigan shkrijmë gjalpin, shtojmë miellin dhe e trazojmë derisa mielli fillon të ziejë në gjalp dhe të zverdhet. Shtojmë qumështin e ngrohtë duke e trazuar vazhdimisht me tel dore derisa salca të lidhet dhe të valojë. Shtojmë kripën dhe dhe e lëmë t’i bjerë vala dhe më pas shtojmë rikotën duke e trazuar vazhdimisht me tel dore.
E vendosim në një tas duke i vënë sipër salcës celefon që të mos zërë cipë, në temperaturë ambienti.
Pastrojmë kungujt dhe i presim në dysh për së gjati, e më pas në gjysmërradhë me trashësi 4 mm.
Ndërkohë në tenxheren me ujë të valuar shtojmë makaronat dhe i lëmë në zierje 2 minuta më pak se koha e gatimit.
Ngrohim vajin, shtojmë në të 1 thelpi hudhër, kungujt, bizelet, i lëmë në tigan për 3-4 minuta, shtojmë proshutën në kubikë, kripë, piper dhe i trazojmë së bashku për 2 minuta.
Pasi makaronat të jenë zier aldente, i kullojmë dhe i shtojmë në tiganin me kunguj, i përziejmë së bashku duke shtuar në të beshamelin, i trazojmë dhe më pas i vendosim në një tavë duke i niveluar makaronat. E mbulojmë sipërfaqen me djathë parmixhano. Vendosim tavën në furrë, në temperaturë 240 gradë Celsius, për 8 minuta në Grill.