Musaka me patate dhe pulë
Përbërësit:
1.2 kg patate
500 gr fileto pule
1 qepë
200 gr kaçkavall i butë
Kripë dhe piper i zi
1/2 tufë majdanoz
250 gr krem kosi
2 kokrra vezë
Vaj
Përgatitja:
Qërojmë patatet dhe i presim ato në feta jo shumë të trasha. Mishin e pulës e pastrojmë dhe e presim në copëza të vogla. Ngrohim vajin dhe kaurdisim mishin derisa të zbardhet, rregullojmë shijen me kripë dhe piper dhe shtojmë në të qepën të prerë në rrathë të hollë.
E lëmë qepën në zjarr sa të ulë volumin. Lyejmë tepsinë me yndyrë dhe vendosim fetat me patate sikurse tjergullat, njëra pas tjetrës. Mbi shtresën me patate vendosim mishin, e nivelojmë atë dhe vendosim feta djathi (ose djathë të grirë). Mbi djathë vendosim fetat me patate duke shtuar rreshtin e dytë me patate, përsëri mbi patatet mish e më pas djathë. Përsëri shtojmë shtresë patate e mishi, derisa të përfundojë mishi duke i mbuluar me djathë. Në fund vendosim përsëri një shtresë patate e mbi të, përsëri djathë.
Në një tas përziejmë kremin e kosit me 2 kokrra vezë, pak kripë dhe piper i zi. Pasi ta përziejmë mirë, e mbulojmë djathin që hodhëm mbi patate me kremin e kosit, e nivelojmë mirë dhe vendosim tavën në furrë në temperaturë 190 gradë Celsius për 50 minuta.