Receta e ditës - Patëllxhanë të mbushur dhe sallatë me kus-kus e perime / Pjesa e Parë

17 Korrik 2019, 11:57 | Përditesimi i fundit: 2019-07-17 15:35:41

Receta e parë: Patëllxhanë të mbushur

Përbërësit:

1 kg patëllxhanë

400 gr qepë

200 gr speca

500 gr domate

1 lugë sheqer

1 lk piper i kuq

1 kokërr hudhër

1 tufë majdanoz

Pak rigon

Kripë dhe piper i zi

Vaj ulliri

Përgatitja:

Fillimisht pastrojmë patëllxhanët, më pas i bëjmë vertikalisht patëllxhanëve 3 prerje për së gjati me një distancë mesatare duke krijuar 3 xhepa tek prerjet të cilat nuk i çojmë deri në fund. I spërkasim me pak kripë hapësirat që premë dhe i lëmë të nxjerrin ujin për 15-20 minuta. Më pas i fshijmë, nëse dyshoi se keni hedhur shumë kripë, i shpëlajmë dhe më pas i thajmë mirë. Vendosim tiganin me vaj ulliri dhe skuqim lehtë patëllxhanët sa të zbuten pak dhe i vendosim në një pjatë. Në tiganin ku skuqëm patëllxhanët vendosim qepët të prera në feta dhe i lemë derisa të zverdhen pak duke i hedhur herë pas here nga një lugë ujë me qëllim që të zbutet mirë. Shtojmë specat dhe këta të prera në gjysëm rrethi në gjatësinë e qepës. I lemë pak dhe shtojmë domatet në kubikë mesatare së bashku me pak sheqer. I lëmë domatet të ziejnë për 7 minuta dhe më pas shtojmë hudhrat të prera në feta për së gjati, majdanozin e grirë vrazhdë, kripën dhe piperin e zi. Me këtë masë mbushim hapësirat e patëllxhanëve duke i vendosur në një tavë. Nëse tepron pak mbushje e vendosim atë midis patëllxhanëve. E vendosim tavën në furrën e parangrohur në temperaturën 200 gradë Celsius për 30-40 minuta. Nëse shohim që po shteron lëngu mund të shtojmë 1 filxhan kafeje ujë.