Receta e ditës - Supë me perime e makarona dhe byrek në tigan me bukë të thatë dhe djathë / Pjesa e dytë

13 Janar 2020, 13:42

Byrek në tigan me bukë të thatë dhe djathë

Përbërësit:

Bukë bajate

3 vezë

Kripë dhe piper i zi

2 gota qumësht

Gjalp për lyerjen e tiganit

150 gr djathë i bardhë

50 gr djathë i verdhë që shkrin

1 tufë majdanoz

Përgatitja:

E copëtojmë bukën në copa (jo shumë të mëdha).

Në një tas rrahim vezët, hedhim kripë, piper të kuq (edhe pak pikant nëse dëshironi).  I përziejmë së bashku dhe I shtojmë në një tas.

Përziejmë 2 gota qumësht me vezët dhe I shtojmë në tasin me bukët e copëtuara. I përziejmë mirë dhe e lëmë tasin të mbuluar, që buka të përthithë qumështin me vezë. Lyejmë mirë tiganin me gjalp në temperaturë ambienti.

Shtojmë në tigan ½ e bukës së zbutur, e ngjeshim me lugë duke krijuar një shtresë bazë me bukë.

Mbi bazën me bukë shtojmë djathë të bardhë të thërrmuar të përzierë me majdanoz të grirë vrazhdë, nivelojmë mbushjen. Sipër djathit shpërndajmë djathin e butë që shkrin. Në fund e mbulojmë me bukën e mbetur në tas dhe e ngjeshim mirë të gjithë sipërfaqen.

Vendosim tiganin në zjarr në temperaturë mesatare, të mbuluar në tigan për 6-8 minuta.

Vendosim një pjatë mbi tigan dhe e kthejmë byrekun nga ana tjetër  dhe e lëmë po ashtu 6-8 minuta të piqet edhe nga ana tjetër.

Në fund e servirim të ndarë në copa dhe të shoqëruar me dhallë ose kos. Ju bëftë mirë.