Receta e ditës - Tavë me lëng të bardhë dhe supë vjeshte me qiqra / Pjesa e parë

25 Shtator 2018, 15:19

Receta e parë :Tavë me lëng të bardhë

Përbërësit:

1 rosë ose pulë

1 kokërr qepë

3 kokrra vezë

4-5 lugë gjelle miell

2-3 lugë gjelle oriz

1 lugë çaji piper i kuq

Pak salcë domate

2 lugë gjelle lëng limoni ose limontoz

Vaj ulliri

Kripë dhe piper i zi   

Përgatitja:

Lajmë e pastrojmë rosën ose pulën dhe e presim në copa. E vendosim në një tenxhere dhe e kaurdisim pak me gjalpë sa të kapet mishi dhe më pas e mbulojmë me ujë dhe e lëmë të ziejë për 15 minuta.

Ndërkohë në një tigan me vaj kaurdisim qepën deri sa ajo të bëhet transparente, shtojmë në të pak piper të kuq, pak salcë dhe pasi e shuajmë  me pak lëng pule , i japim një valë. Më pas e shtojmë qepën tek pula së bashku me pak oriz dhe e lëmë të ziejë dhe për 10 minuta së bashku me pulën.

Në një tas thyejmë 3 kokrra vezë , i përziejmë mirë dhe shtojmë miellin duke e trazuar mirë së bashku me vezën. E hollojmë dhe me 1 gotë ujë të ftohtë dhe vazhdojmë trazimin.

Largojmë pulën nga zjarri dhe i shtojmë 2 lugë lëng limoni ose pak limontoz për t’i dhënë një shije pak më të thartë.

Vendosim copat e mishit në një tepsi. Bashkojmë vezët e rrahura me miellin me lëngun e pulës dhe i trazojmë deri sa lëngu të trashet. Shtojmë lëngun mbi copat e mishit në tepsi dhe e vendosim në furrë në temperaturën 180ºC për 20 minuta.