Receta e ditës - Tavë me patate, qumësht e parmixhan dhe gjellë me bizele / Pjesa e parë

20 Maj 2019, 11:13

Receta e parë që Zonja Vjollca gatoi ishte Tavë me patate, qumësht e parmixhan dhe ka këta përbërës:

800 gr patate

180 gr proshutë

200 gr mozzarele

3 lgj parmixhanë

2 lgj galetë e thërmuar

1 gotë qumësht

vaj ulliri

kripë+ piper i zi

rozmarinë

Përgatitja:

Qërojmë patatet dhe i presim ato në feta të holla. Lyejmë një tavë me vaj ulliri dhe e pudrosim me bukë të thërrmuar. Vendosim patatet në formën e tjegullave dhe i spërkatim me pak kripë, piper të zi e rozmarinë. Copëtojmë proshutën dhe e shpërndajmë në të gjithë sipërfaqen e tavës. Gjithashtu vendosim dhe disa feta apo copëza mozarela të shpërndara.   Spërkatim me pak vaj dhe djathë parmixhan. Mbulojmë përsëri me feta patate dhe shtojmë kripë e piper , rozmarinë, proshutë, mozarela, pak vaj dhe parmixhan. Mbulojmë përsëri me feta patate dhe hedim një gotë qumësht anash tavës. E mbulojmë  sipër duke shtuar galetë të trazuar me parmixhan të grirë hollë. E mbulojmë me letër alumini dhe e vendosim në furrë në temperaturën 200ºC për 35-40 minuta. Në 10 minutëshin e fundit e largojmë letrën e aluminit.