Shfaqet foto e të humburit në Bulqizë/Shokohet gruaja italiane:As sëmundja ime s’e ktheu dot

5 Maj 2022, 18:39

Eles Koleci është 37-vjeçari shqiptar që rezulton i humbur që prej datës 3 prill të 2022. I riu me origjinë nga Bulqiza, prej 22 vitesh jetonte në Itali, ndërsa është i martuar me një shtetase italiane dhe ka një djalë 5-vjecar. Bashkëshortja e tij iu drejtua për ndihmë emisionit ’Pa Gjurmë’, ndërsa rasti i zhdukjes së Eles është trajtuar edhe në emisionin analog Chi la Visto. 37- vjeçari u largua nga banesa e tij në Milano, në zonën Bruzzano. Dyshimet e para nga policia pas denoncimit të familjarëve janë se ai mund të ketë shkuar në Stacionin Qendror të Milanos ose në Stacionin Garibaldi për të marrë trenin në drejtim të Romës. Stafi i emisionit investigativ ’Pa Gjurmë’ u vu në kontakt me bashkëshorten e tij, Xhada e cila jep disa të dhëna për bashkëshortin e saj tashmë të humbur. Eles është një djalë shtatlartë 1.82 cm i gjatë, ndërsa shenja dalluese ka tatuazhet e shumta në trup, të dukshme në duar, qafë dhe në fytyrë, deri tek tatuazhi në formën e një pike në sy. Largimi i tij, për bashkëshorten ishte një ikje e paralajmëruar, pasi prej disa kohësh ai kishte rënë në një gjendje të rëndë depresioni pas vrasjes së të vëllait Altinit nga një oficer policie italian, një ngjarje që do t’i ndryshonte thellësisht jetën. Që nga ai moment ai ndjeu një zemërim të egër ndaj policisë, revoltë e cila u reflektua jo pak herë edhe me veprime, ndërsa u dënua me 5 vite burg për plagosje dhe rezistencë ndaj një zyrtari publik. Një jetë e trazuar e një shqiptari në përpjekje për të gjetur qetësinë shpirtërore. Familja e tij sot janë bashkëshortja dhe djali 5-vjeçar të cilëve u mungon shumë. Më 3 prill 2022 rreth orës 12 e shoqja e shoqëroi për tek shtëpia e motrës së e tij, e cila gjithashtu jeton në Milano. Pasi u ndanë ai nuk u kthye më. Në një rrëfim që e shoqja bën për ’Pa Gjurmë’, thotë se të shumta kanë qenë rastet kur ai ka tentuar disa herë të largohej, duke bërë gati valixhet dhe në mbrëmje ishte ajo e cila e kthente në shtëpi. Por këtë herë ia doli të zhdukej gjatë, duke mos marr me vete asgjë. Nuk bëri gati as valixhen, por doli i veshur thjeshtë me një bluzë të zezë me një germë të madhe ngjyrë ari "BOY" në pjesën e përparme dhe nga pas me dy krahë të mëdhenj shqiponje që mbulonin supet dhe mëngët. Për bashkëshorten ai nuk do t’i linte kurrë gjërat e tij, as djalin me të cilin kishte një marrëdhënie të jashtëzakonshme, ndërsa i kishte vendosur emrin e të vëllait Altin. Madje ka edhe një tatuazh në dorë me datën e lindjes së të birit me mbishkrimin "Më 10/06/16 lindi një yll i AK-së". Ëndrra e Elis ishte herë Amerika, e herë Franca, pasi për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike ai ndryshonte mendje, duke dashur të kalonte kufirin në këmbë se nuk i pëlqente më Italia. Herë të tjera kishte dëshirë të kthehej në Shqipëri, veçanërisht për të shkuar në varrin e nënës dhe të vëllait në Bulqizë. Me një mërzi dhe gjendje të trazuar fatkeqësisht, as sëmundja e rëndë që po kalon bashkëshortja nuk e ndihmoi të kthehej në shtëpi. Rasti i zhdukjes së 37-vjeçarit ka patur një jehonë të madhe, jo vetëm në media por edhe në rrjetet sociale, kur të shumtë kanë qenë personat e famshëm në Itali që i janë bashkuar thirrjes për gjetjen e Eles, ndër ta mjaft këngëtarë napoletan si dhe futbollisti i njohur Mario Balotelli. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për ndihmë, deri më tani nuk është zbuluar asnjë gjurmë e të riut shqiptar...