Veliaj jep lajmin e mirë: Mundësi të re për bonus qiraje dhe kredi të buta për familjet e reja

6 Shtator 2022, 18:57

Familjet dhe çiftet e reja në kryeqytet që nuk kanë mundësi të blejnë një banesë të re sipas normave të interesave të tregut, do të përfitojnë nga mundësitë e reja që Bashkia e Tiranës do të krijojë këtë vit për programin e kredisë së butë dhe për bonusin e qirasë.

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se mbështetja për familjet e reja është një nga prioritetet e Bashkisë.

“Pika që reflektohet në këtë ndryshim buxheti ka të bëjë me atë që quhet bonusi i strehimit. Ne kemi marrë një sasi të re mundësish për kredi të buta edhe nga Enti i Banesave. Duam ta reflektojmë dhe të hapim një proces tjetër. Ajo që ne mund të bëjmë si një nga operatorët që jo vetëm vendos urbanizimin, por dhe që lehtëson familjet e reja në marjen  e shtëpisë së parë, është që të kërkojmë sa më shumë ndihmë në mundësitë e kredive te reja dhe ky është një reflektim tjetër dhe bonusi i strehimit që ne e kemi për këtë ndryshim të buxhetit”, theksoi Veliaj.