Zonja Albana solli dy sugjerime recetash të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Fërgesë me domate dhe vezë / Reshedi me niseshte.
Astrologu Jorgo Pulla bëri një parashikim javor të detajuar për 12 shenjat zodiakale për periudhën 18-24 shtator 2023. Sipas astrologut Pulla duket se është një javë me pak vështirësi dhe ku duhet të kemi kujdes. Kërkohet vëmendje, kërkohet kohë në lidhje me çështje që duam të realizojmë. Motoja e kësaj jave është: verifikoj, veproj, arrij! Java nis me Hënën në Akrep, në çdo hap që do të hedhim duhet të kontrollojmë gjithçka. Trekëndëshi i Hënës në Saturn do të na japë mundësi për një organizim sa më të mirë duke bërë që të jemi të kujdesshëm në gjërat që marrim përsipër. Më datën 19 shtator, kujdes mos u nxitoni në marrje vendimesh! Më datën 21 shtator, trekëndëshi që bën Dielli në Pluton na jep mundësi për fillime të reja, mundësi të reja dhe shumë përfitime. Gjithashtu data 24 shtator ku Hëna kalon në shenjën e Bricjapit do të bëjë që të ndihemi më mirë, më të sigurtë në anën ekonomike, por jo vetëm. Edhe ana shpirtërore do të ketë një ndikim pozitiv përgjatë fundjavës.
Në rubrikën “Bima dhe Shëndeti” me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja folëm për rënien e flokëve në vjeshtë, si të kuptojmë që është sezonale dhe si ta parandalojmë përmes metodave natyrale. Humbja e flokëve është një dukuri normale dhe përgjithësisht ndodh gjatë ndërrimit të stinëve, sidomos në vjeshtë. Në fakt sipas specialistit Merja, dobësimi dhe dëmtimi i flokëve fillon që në stinën e verës duke rezultuar më pas me rënien e tyre në vjeshtë. Shkaktarët e rënies së flokëve janë të shumtë si: trashëgimia familjare, konsumi i tepërt i sheqerit, mbajtja e dietave, mungesa e vitaminave dhe mineraleve të duhura në organizëm, stresi, çrregullimet hormonale, etj. Specialisti Merja rradhit një sërë produktesh bimore të cilat forcojnë rrënjën e flokut. Ndërsa për personat, sidomos meshkujt që kanë një rënie më të theksuar dhe më të shpeshtë, Merja rekomandoi një kurë disa javore për mbirjen e flokëve në mënyrë natyrale. Në fund të bisedës sugjeruam dhe disa çajra në formë maske për të pasur flokë të shëndetshëm, për flokë të yndyrshëm dhe për probleme me skalpin e kokës.