POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Letërsia shqipe në 2018-ën, Gjoka: Një popull që mbijeton, ka nevojë të lexojë dhe prekë dramën e vet në letërsi

Pavarësisht problematikave, që mund të kenë botuesit apo shkrimtarët shqiptarë, mungesa e një politike kulturore që të krijoi një marrëdhënie reale me lexuesin është ndierë gjatë vitit që lamë pas. Studiuesi i letërsisë, Behar Gjoka për “ReportTV” teksa analizon letërsinë shqipe në vitin 2018-të, shprehet se letërsia shqipe edhe përse ka të bëjë me vlerat tona shpirtërore, nuk vlerësohet sa duhet. Ndërsa, juritë e çmimeve kombëtare të letërsisë orientojnë lexuesin në shije të gabuara.

“Mendoj se me megjithë përpjekjen për të harruar lexuesin, për të nxjerrë jashtë loje autorin, apo që nuk kemi nevojë për letërsi shqipe se mund ta përkthejmë ka disa tekste, siç është një roman i Zija Çelës, Namik Dokles, Adriatike Lamit, që kanë vlerat e veta. Unë i kam parë në raport me librat e rinj, që do të duhen jo të reklamohen, por që të evidentohen si prurje të këtij viti.

Është edhe një roman i Leonard Veizit, botuar në Kosovë, që mua më ka bërë përshtypje. Është botuar edhe një prozë e Kutelit, që ka qenë në dorëshkrim, mund të ishte një ngjarje e Panairit, por panairi u mor me atë model ku zyrtariteti la gjumë, sepse interesat e politikës kulturore edhe të botuesve lexohen. Teksti edhe lexuesi nuk është kryesorja, vërtet bëhen aktivitete Tiranalexon, mirëpo kjo është çështje fasade” tha studiuesi Behar Gjoka.

Librat që përzgjidhen fitues nga konkurset kombëtare a shkojnë tek lexuesi? “Për shkak të një situate gati të gatshme edhe të kontrolluar, sepse emrat janë të njëjtët si tek çmimet e Panairit edhe tek Ministria e Kulturës. Por nuk është problemi i emrave, por është e njëjta shije që imponon titujt për të shkuar tek lexuesi. Të përpiqesh që të shpikësh autorë analistë edhe politikanë, do të thotë që t’i vësh këmbën në fyt letërsisë.

Ne jemi tek ajo pasojë dhjetëvjeçare, që ka pasur një garë të pandershme reklamimi të autorëve politikanë apo analistë krahasuar me shkrimtarë seriozë. Prezantohet për gjeni ai që shkruan për herë të parë, ai që ka një mundësi reklamimi” shprehet Behar Gjoka.

Ka shumë mundësi të humbasë lexuesi edhe të politizohet një proces që është shkencor në thelbin e vet, sepse Gjoka mendon se leximi nuk bëhet me fushata

 “Të lexuarit është një proces shkencor, nuk mund që të bëhet me fushata, kushdo që ta udhëheq. Unë do të thoja, që kjo është një mënyrë shumë mediokre, për të zotëruar edhe hapësirën e paktë që i ka mbet letërsisë. Kjo është një reklamë për ata, por jo për letërsinë. Duke qenë kështu, unë do të thoja më shumë se realitet është një fasadë e një reklamimi, ku të gjithë kemi dështuar” thotë Behar Gjoka.

Heshtja përballë një realiteti ku prezantohen edhe emërohen fitues, ku zyrtariteti s’ka lënë hapësirë bosh, aq sa shpikin anketa për autorët më të mirë, për studiuesin është një guxim, ku letërsia merret si një moment për të thënë se: Unë ekzistoj.

 “Kjo është që t’i biesh në qafë letërsisë, duke vonuar lexuesin që të shkojë tek një tekst me vlera. Lexuesi duhet që ta zbulojë tekstin. Është punuar dhjetë vite për të dhënë se nuk ka letërsi për fëmijë.

Kjo është realizuar. Ka të bëjë me një vetëdije të nevojshme të botuesve, të politikave kulturore, sepse letërsia për fëmijë veçse vlerës është mision. Asnjëherë përkthimi nuk mund të zëvendësojë gjuhën kreative të fëmijës, gjuhën që do të flasë. Ne i mësojmë se çfarë është Amerika, por nuk i themi se çfarë është Shqipëria. Kështu identiteti ynë vihet në dyshim” deklaron studiuesi.

1 milion shqiptarë nuk kanë lexuar asnjë libër në vitin 2017-të

“Unë do të thoja se ky është një testim zyrtar i frikshëm. Në fakt një popull që ka valixhet gati për të ikur nga ky vend, nuk e di se çfarë marrëdhënie do të ketë me leximin... Është një gangrenë që ne kemi bërë sikur e kemi zgjidhur, por në fakt jemi të përfshirë në atë që quhet kënetë e të menduarit pa pranuar mendimin ndryshe. Një libër që unë e pëlqej, s’do të thotë që të tjerët ta pëlqejnë” tha ai.

Ky vit ishte një vit i lodhshëm për shumëçka, por më shumë për librin shqip mendon studiuesi, sepse vetëm 5 për qind e librave të botuar gjatë vitit që lamë pas ishin në gjuhën shqipe. Megjithatë, Gjoka propozon që:

 “Përveç heqjes që doganës, libri në shqip duhet që të botohej në të gjithë hapësirën. Duhet shembur muret prej xhami, siç e kam quajtur, pasi deri në ’90 ishin mure betoni, këto kanë rënë, por ne vazhdojmë që të kemi mure prej betoni me njëri-tjetrin. Ne shihemi në mure prej xhami, por nuk ka ura dialogu. Të flasësh shqip do të thotë që të mendosh në shqip” përfundoi Gjoka.

Gjoka përfundon se letërsia shqipe në Kosovë, Maqedoni dhe në diasporë duhet të çlirohet nga mitet që të bëhet zëri i kohës, që shqiptarët të vazhdojnë të mbijetojnë. Pasi një popull që mbijeton, ka nevojë që ta lexojë edhe ta prekë dramën e vet në letërsi.

d.ba./r.k.
Komento