Përdhunimi i një Monumenti,Kisha
e Shën Mërisë e fatkeqësia që i ra

Përdhunimi i një Monumenti,Kisha<br />e Shën Mërisë e fatkeqësia që i ra
Në vijim të artikullit të publikuar nga Prof. Gjergj Frashëri, në lidhje me dëmet e mëdha që janë bërë e po vazhdojnë të bëhen ndaj njërit prej monumenteve më të shkëlqyer të periudhës bizantine, Kisha e Shën Mërisë në Labovën e Kryqit, (Gj.Frashëri, Kritikë shkeljeve, operacion plastik në Kishën e Labovës së Kryqit, gaz.

Shqiptarja.com, datë 26 Prill 2017
), po e ri prezantojmë shqetësimin tonë, duke marrë shkasë edhe nga pyetja që kolegu Frashëri më adresonte në paragrafin e fundit të artikullit të tij. 

Pyetja apo paqartësia në fjalë kishte lidhje me të  kuptuarit e arsyes pse është vendosur një skeleri-perde me rrjetën jeshile e cila, gjatë punimeve që janë duke u realizuar ndaj këtij monumenti ka rrethuar të gjithë tamburin e kishës. Përshkrimi i kësaj gjendjeje të kantierit vjen prej fotove që janë të publikuar tashmë (Facebook “Labova e Kryqit”, dt.11.04.2017).

Pamja në fjalë flet për një aspekt apo proces pune, të cilin janë munduar ta fshehin nga sytë e njerëzve. Vendosja e perdes rrotull tamburit, në fillim edhe për mua nuk kuptohej se për çfarë qëllimi ndodhte. Cila ishte arsyeja që e kishte shtrënguar Autorin dhe Drejtuesin e punimeve të krijonte një pengesë pamore të pa motivuar teknikisht, qoftë për mbrojtje kantieri ashtu edhe për ruajtje të ambientit?!

Duket qartë se është bërë kujdes i veçantë vetëm e vetëm të pengohet shikimi nga jashtë, në mënyrë që të mos merret vesh ajo çfarë po katranosej aty brenda me trupin e Tamburit dhe Kupolës, në njërën nga pjesët më të vyera e më të spikatura të Kishës së Shën Mërisë në Labovën e Kryqit, e cila është njëherësh edhe pjesa kulmore e siluetës dhe simbolikës arkitekturore e artistike të saj, (foto 1).

kisha e laboves

Falë bisedave rastësore me persona të zonës si dhe vëzhgimit me kujdes edhe të fotove të tjera, të cilat për fat janë publikuar, mu bë e qartë plotësisht dhe u krijua bindja e pa lëkundur se aty është konsumuar një tjetër ndërhyrje makabre dhe kriminale ndaj autenticitetit dhe vlerave të jashtëzakonshme të këtij monumenti. Ka ndodhur falsifikimi i fazave historike,(foto 2), nëpërmjet të cilave lexohej ecuria e ndërhyrjeve dhe problemet që Kisha e Labovës së Kryqit ka kaluar që nga origjina e saj si dhe, është shkatërruar materiali i bërthamës së murit, me gjasë deri në nivelin e harqeve të dritareve dyshe, duke e boshatisur dhe lënë si lëvozhgë apo zhguall breshke pa thelbin jetësor e strukturor origjinal të saj.

kisha e laboves

Sa pak dhe e pamjaftueshme do të ishte edhe ulërima më e madhe, habia dhe shushatja përball kësaj sjellje kriminale me një perlë arkitekturore e artistike bizantine! Në hulumtimin tim rreth kësaj ndodhie, duke zbuluar gradualisht stilin apo strategjinë e shkuljes dhe gërryerjes“kirurgjikale” që ka aplikuar ideatori dhe Drejtuesi i punimeve, Z. Pirro Thomo, i ashtuquajturi “Kolos” në fushën përkatëse, është shumë pak të them se më dridhej trupi, i mbushur me emocione llahtari dhe pështirosje.

Si ka mundësi e të çohet nëpër mendje një ndërhyrje e këtij lloji?! Si ka mundësi që, përveç ideatorit të kësaj aventure perverse në të ashtuquajturin restaurim e riaftësim të një monumenti, të pasohet me një heshtje dhe dakortësi vrastare nga ata që bëjnë pjesë në instancat zyrtare të administrimit dhe përkujdesit ndaj Trashëgimisë Kulturore?!Gjëndja dhe niveli profesional në fushën e restaurimit ka hyrë në fazën më të rëndë që mund të mendohet. Kemi rrëshqitur në një situatë dekadente ku po shitet shpërfytyrimi i një monumenti si bukuri e tij, shkatërrimi e më pas ribërja si një sukses i promovimit të vlerave në një kohë kur me koncepte e praktika të tilla nuk bëhet gjë tjetër veç se vuloset humbja fatale e tyre.

I nderuari koleg. Në Kishën e Shën Mërisë të Labovës së Kryqit, me vetëdije apo pa vetëdije ka dalë zbuluar një veprimtari kriminale e veshur me kostumin e profesorllëkut. Kam bindjen se kjo metodë “pune”, me rezultate të ngjajshme ka edhe precedentë të tjerë. E them këtë pasi në artikulline datës 26 Maj 2017, “Detaje të reja nga Kisha e Shën Mërisë në Labovë të Kryqit”, në Gazeta Shqiptare, ideatori dhe Drejtuesi Teknik i punimeve që po realizon në këtë monument, z. P.Thomo, jep me qetësinë më të madhe një panoramë të ndërhyrjeve sikur të ishte realizuar një kryevepër dhe sukses i paparë ndonjëherë në fushën e restaurimit, në një kohë kur sakatosja e vlerave të monumentit është aq evidente sa më ska. Z. Thomo në shpjegimet apo të rejat, siç i quan ai, e konsideron shkatërrimin e fasadës së krahut perëndimor të kryqit dhe pjesët e tjera të Kishës si një rigjenerim dekoracioni ( i njëjti artikull, paragrafi i dhjetë ).

Pas termit rigjenerim apo ripërtëritje, me aq sa kemi parë nëpërmjet dokumentave fotografik, fshihet aksioni i zhdukjes së përmbajtjes dhe të dhënave teknike e historike që monumenti ka të mishëruar që në gjenezën e tij. Një qëllim dhe taktikë kjo e cila me siguri që është e zbatuar edhe në monumente të tjerë ku ky autor apo Drejtues Teknik me grupin e tij të punës ka “kontribuar”. Gradualisht, përfytyrimi për dimensionin e dëmeve që duhet të jenë bërë, sa vjen e na qartësohet dhe zgjerohet më shumë. Për sa kohë, Autor e Drejtues Teknik të këtij kallëpi kanë prekur e trajtuar edhe monumente të tjerë, përmasat e dëmit dhe humbjes së vlerave duhet të jenë të frikshme. Në këtë situatë gangrene për trashëgiminë dhe vlerat arkitekturore, aktor dhe bashkautor në ndihmë të agravimit të kësaj sëmundje është edhe drejtimi aktual i IMK-së dhe MK, ndaj të cilëve jo pa të drejtë kemi adresuar në organet e Prokurorisë kallëzimet përkatëse.

Në ndihmë të të kuptuarit të asaj që i kanë bërë bërthamës së murit të tamburit në Kishën  e Shën Mërisë në Labovën e Kryqit, janë fotot ku dallohet materiali i polisterolit i cili është përdorur për të mbushur zgavrën e krijuar nga heqja e materialit ndërtimor, (foto 3). Për të kuptuar se si ka përfunduar materiali ndërtimor brenda seksionit të murit të tamburit, kemi dhënë një skicë hipotetike ku japim mënyrën  e mbushjes së boshllëkut që kanë  krijuar në qendrën e muraturës, (foto 4).

kisha e laboves

kisha e laboves

Ajo që ka ndodhur me Tamburin e Kishës së Shën Mërisë në Labovën e Kryqit, mund të përmblidhet me dy lloje ndërhyrjesh të stilit kasapce. E para është heqja e substancës së brendshme të murit cilindrik dhe zëvëndësimi me bukë peshku apo polisterol dhe e dyta është aplikimi i ripërtëritjes apo më sakt, rrjepjes së sipërfaqes dekorative deri në kockë, njëlloj si në rastin që kemi evidentuar radhën e kaluar për fasadën e krahut perëndimor të Kishës. Denatyrimi dhe transformimi me pasojë ndryshimin e situatës origjinale në fasadën e Tamburit mund ta dallojmë mirë në fotot krahasuese, para dhe pas ndërhyrjeve, (foto 2).

Dallohet qartë zhdukja e elementeve dekorativ dhe teknik, të cilat përcaktonin ecurinë e fazave historike të Tamburit. Janë zeruar të gjitha gjurmët kohore të cilat përcillnin këndshëm pjekurin dhe pleqërinë e këtij monumenti njëmijë vjecar dhe është pasuar me rikompozim e plotësim stilistik duke na servirur tashmë një pjellë“artistike” të re, e cila nuk është gjë tjetër vec se një fallsikim në kurriz të vlerave autentike, (foto 2, 5).

kisha e laboves

Për të dy këto veprime që konstatohen, ashtu sikurse edhe për atë ca na panë sytë me fasadën e krahut perëndimor,(foto 6), nuk gjen dot asnjë arsye objektive e të llogjikshme në mënyrë që të zbusje sado pak përgjegjësinë  profesionale dhe ligjore për dëmet që janë shkaktuar. Me sa kam kuptuar, në të gjithë llafollogjinë e dhënë në artikullin e z. Thomo, nëpërmjet të cilit, për fat ka dalë hapur si autor e përgjegjës për çfarë është ideuar dhe bërë mbi këtë monument, në lidhje me polisterolizimin e kreut të murit të Tamburit, duhet të jetë nisur nga ideja e lehtësimit të peshës që ka kjo pjesë e Kishës së Shën Mërisë së Labovës së Kryqit, tek e cila është edhe problemi i mënjanimit në drejtimin jug-lindor.

kisha e laboves

Për aq sa autori ka paraqitur në artikullin e tij, kuptohet mirë se nuk e ka të qartë arsyen apo shkakun e fenomenit të mënjanimit të Tamburit, identifikimin e të cilit ne e kemi prezantuar në një studim që më parë se tre vjet.  
 
Thelbi i gjenezës së rrëshqitjes dhe mënjanimit të Tamburit është një defekt i bërë që në ndërtimin e këtij monumenti, dhe ky difekt lidhet me mospërputhjen e planimetrisë rrethore të tij me atë kuadratike, e cila është e formuar prej mureve që ngrihen mbi arkadat dhe kolonat e sallës.

Ky gabim i ka kushtuar Kishës një ndërhyrje plus, e cila duhet të jetë realizuar jo shumë larg nga momenti i përfundimit të punimeve. Megjithë përforcimet e bëra për ti dhënë bazës së Tamburit më shumë mbështetje, përsëri, edhe pse më me ngadalësi ky e ka vazhduar lëvizjen mënjanuese. Ky fenomen ishte ai që na bëri të jepnim alarmin përpara tre vjetësh e të dërgonim studimin në tavolinën e IMK-së dhe atë  të MK prej të cilëve erdhën vetëm qëndrime mohuese, duke e konsideruar një alarm fallco. Ndërkohë jo shumë kohë pas, po këta që bënin indiferentin  dhe refraktarin, e futën në axhendën e tyre bërjen e një projekti për ndërhyrjet ndaj këtij monumenti.

Duke qenë refuzues në komunikim e bashkëpunim e njëherazi kapadai,veçanërisht Këshilli Shkëncor i IMK-së, ku qëndrimet e të cilit i dominon antari i tij,  z. P. Thomo, dhe me sa u kuptua më pas, të përfshirë në nxitimin që të dilnin në opinion si më të shkëlqyerit në fushën e restaurimit, veçanërisht për monumente të kalibrit dhe problematikave si Kisha e Shën Mërisë në Labovën e Kryqit, nxorën në dritë një projekt skandaloz.

Sikundër është bërë e ditur, edhe pse ndaj këtij projekti u bë një oponencë teknike në drejtim të problemeve të mëdha që ai ka, përsëri “karvani” vazhdoi rrugën deri në fillimin e punimeve. Pra filloi ndërhyrja ndaj Kishës së Shën Mërisë mbi bazën e një projekti i cili ishte i konceptuar tërësisht  gabim. Mirëpo, nuk mjaftuan gafat që përmban projekti, me betonimet dhe shkatërrimin e pikturës murale etj, por dolën në dritë dhe u realizuan punime të tjera, të pa parashikuara, duke shkaktuar ndërhyrje akoma më skandaloze, për të cilat jemi prononcuar dhe vazhdojmë të ngremë zërin.

I nderuari Gjergji, vështrimi kritik që solle në lidhje me aspektin qesharak e të papërgjegjshëm të mënyrës se si prezantohej kantieri i restaurimit në Kishën e Shën Mërisë në Labovën e Kryqit, duke sjell në vëmendje pamjet groteske të kantiereve të kohës së etheve të arit, në Amerikën e Veriut, ishte mjaft i gjetur e i saktë. Do të ishim të lumtur nëse, duke lënë mënjanë modelimin qesharak të Kantierit të shkonin gjërat mirë me mënyrën e ndërhyrjeve dhe respektimin e kritereve për ruajtjen e vlerave të këtij monumenti. Por, ashtu si nisi edhe më keq vazhdoi.

Në rast se një skeleri kantieri e bëjnë kuturu e me materiale kuturu, deri edhe karagjoze, kjo nuk krijon ndonjë dëm të pariparueshëm, pasi skeleria siç ngrihet edhe çmontohet, siç bënë rrëmujën ashtu edhe qërohet apo pastrohet. Por, ndërhyrjeve skandaloze në arkitekturë e veprën e artit të monumentit çfarë tu bësh? A ka më mundësi që ta rikthesh aty ku ishte më parë këtë Kishë, me “lëkurën” e saj origjinale? Kurrë! Tani që e rropën dhe i vunë një cipë tjetër, nuk kemi më çfarë ti bëjmë. Me ndërhyrjet që kanë bërë e do vazhdojnë të bëjnë në trupin e kësaj Kishe, me prishjet dhe ribërjet, me shkuljet e materialit origjinal dhe plotësime apo zëvendësime fallcosh, të shkaktohet një përshtypje e rëndë e plot keqardhje.

Ndofta termi më i përshtatshëm për të dhënë saktë impresionin në fjalë do të qe mbresa që të krijohet kur merr vesh për një histori përdhunimi. Një zonje të rëndë, plot hire e vlera që vinte nga njëmijë vite  lashtësi, i dolën përpara dhe e përdhunuan, e zhveshën dhe e kafshuan deri në dhimbje të kockave dhe në përfundim, për sy e faqe të botës e për të fshehur vandalizmin, i veshën petka të reja dhe i bënë një trajtim “make up” , duke ja rregulluar pamjen në mënyrë që, njerëzia dhe minimalisht fshati ku jetonte, të mos e kuptonte çfarë i kishte ndodhur asaj krijese për të cilën adhurimi i tyre e gjithë kush e kishte parë, ishte i thellë në shpirt.  

I nderuari koleg, ka shumë gjëra për tu thënë e kritikuar në tërë këtë histori restaurimi të tipit tallava. Por unë do ta mbyllja me një aspekt disi “interesant” e për t’u “lavdëruar”. Është “interesant”  se si e kanë menduar dhe zgjidhur  problemin e inklinimit të Tamburit, duke shkulur lëndën origjinale të muraturës dhe zëvendësuar me “bukë peshku", duke lehtësuar peshën natyrore të Tamburit me pretendimin se përfundimisht e kanë zgjidhur problemin e eliminimit të mënjanimit që trupi i tij vazhdonte të bënte.
Metodologjia e ndërhyrjeve me qethje, shkulje dhe prerje “gjymtyrësh”, duke pretenduar se kanë gjetur zgjidhjen, çdo kujt do ti kujtonte  Doktor Adhamudhin. Është një komedi që nuk po luhet në sallën e një teatri por mbi kurrizin njëmijë vjeçar të njërit prej monumenteve më vyer të kulturës bizantine.

E fundit i nderuari koleg, me metodën dhe zgjidhjen “brilante” të lehtësimit të peshës të Tamburit në mënyrë që ky të mos tentoj më për tu mënjanuar është bërë një nga shpikjet më të papara në tërë praktikën e restaurimit dhe konsolidimit të monumenteve me të njëjtin problem, në të gjithë botën. Mendoni se sa monumente në formë kulle me të njëjtin problem ekzistojnë dhe për të cilat janë dashur konsulta e projekte pa fund, duke patur si qëllim shpëtimin e tyre nga shembja.

Njëra nga më të famshmet kulla në botë, siç e dimë është edhe Kulla apo Kambanarja e Pizës. Gati njëqind vjet përpjekje dhe specialistët më të mirë të botë u morën me menjanimin e saj, por askujt nuk i shkoj në mëndje se një ditë të bukur zgjidhja e këtij problemi paska qenë në kokën e “restauratoreve” “profesora”, antarë të Këshillit Shkencor të një Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve këtu në Shqipëri.

Fare mirë mund ta kishin operuar edhe Kullën e Pizës duke ja mbushur “barkun” me polisterol dhe që nga ai moment kryevepra arkitekturore e shekulli X, Kulla e Pizës do të quhej përgjithmonë si Kulla me polisterol. Më bajat dhe karagjozllëk nuk do kishte. Më të zhvlerësuar dhe cmënduri shkatërrimtare nuk do gjeje në tërë historinë e restaurimit botëror. Këtej e tutje këtë cmënduri dhe banalizim moral e fizik, historianët e arkitekturës dhe specialiatët e fushës së restaurimit do e gjejnë të materializuar tek Kisha e Shën Mërisë në Labovën e Kryqit. Këtej e tutje kjo mrekulli arkitekturore e artistike do të thërritet “Kisha me bukë peshku e Labovës së Kryqit”. Ky monument i rallë, më parë kishte humbur njërin nga simbolet me mjaft vlerë, Kryqin me copën nga Druri i Shënjt. Ndërsa tani po humbet edhe emrin.
 
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni punën e Gjykatave e Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Revista kaliforniane: Zbuloni Rivierën Shqiptare dhe plazhet mahnitëse me ujëra bruz

Revista kaliforniane: Zbuloni Rivierën Shqiptare dhe plazhet mahnitëse me ujëra bruz