TIRANE-Opozita është rikthyer në Kuvend në seancën e sotme duke shpëtuar mandatet, por ka shkaktuar një incident duke sjellë shtyrjen e seancës për në orën 18:00 të pasdites. Teksa kryeministri Edi Rama po fliste në foltore për protestën e studentëve dhe rikthimin e opozitës, deputeti i PD, Endri Hasa u ngrit dhe e qëlloi me vezë dhe bojë, ndërsa i tha “E ke nga studentët”. Report Tv sjell pamjet nga momenti i incidentit në Kuvend.

Në këtë moment ndërhyri Garda e Republikës, Rama kërkoi që deputeti të nxirret jashtë, ndërsa kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi e përjashtoi nga seanca dhe Byroja e Kuvendit 10 ditë nga punimet. Por demokrati nuk pranoi që të dilte nga salla pas katër ndërprerjeve duke bërë që kryetari i Kuvendit, Ruçi ta shtynte për në orën 18:00 të pasdites. Pas ngujimit për katër orë deputetët e PD së bashku me Hasën dolën. 

Ndërkohë që PS kërkoi përjashtimin e Lulzim Bashës edhe të tre deputetëve të PD, opozita kërkoi të njëjtën masë për kryeministrin me argumentin se i fyeu, ndërsa kërkesat do të shqyrtohen brenda 48 orëve. Kryeministri Rama reagoi duke u shprehur se opozita seancën e kërkuar për studentët e ktheu në konflikt rrugësh. Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, publikoi një video ku duket Hasa që vjen te vendi i Bashës dhe i merr diçka nga xhepat kryetarit të PD-së. 

Sjellja e deputetit të PD, Endri Hasa erdhi pas ‘tërbimit’ të liderit opozitar, Lulzim Basha, i cili në fillim të seancës lëshoi akuza të rënda në drejtim të kryeministrit dhe grupit të PS, mes të tjerash i cilësoi edhe dele (lexo këtu). Ndërkohë që jashtë kuvendit militantë të PD, studentë dhe banorë të Unazës së Re zhvilluan një protestë kundër qeverisë (lexo këtu).

Momenti kur filloi incidenti në Kuvend
Edi Rama: Grupi më ka dhënë 40 minuta për të folur, por unë do i fal liderit të opozitës, i rikthyer këtu me mandate të pjekura, por jo të djegura. Sot më shumë se asnjëherë askush më shumë se Lulëzimi s’mund tua tregojë shqiptarëve se zgjidhja e vetme është kjo shumicë, ndërsa unë do shkojë të vijoj dialogun e vështirë me studentët.
Ndërhyn deputeti i PD, Endri Hasa dhe tenton që të qëllojë Ramën me vezë dhe bojë
Ndërhyn Garda e Republikës

Edi Rama:
Merre nxirre jashtë atë
Gramoz Ruçi: Endri Hasa është i përjashtuar nga seanca

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:20
Ironia e Olta Xhaçkës: 'Luanët' e opozitës sulmojnë me sende koteci

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka ironizuar opozitën në Kuvend pasi një prej deputetëve të saj, qëlloi me vezë kryeministrin Edi Rama. Gjatë debatit për Arsimin e Lartë të kërkuar nga PD dhe LSI, Xhaçka u shpreh se "opozita ka lëshuar luanët që të luftojë me sende koteci". Xhaçka tha se Ligjii për Arsimin e Lartë nuk është perfekt, por nuk mund të mohohet se ishte një përpjekje serioze për ta kthyer universitetin nga një prodhuese diplomash në një prodhuese e dijes.

Ligji i Arsimit të Lartë nuk është perfekt. Nuk është zbatuar plotësisht, por askush s’mund të mohojë se ishte përpjekja më serioze për të vlerësuar rrugën e dijes e për tu ndarë nga diplomat që nuk i jepnin dritë mendjes, e nuk punësonin meritën. Reforma në Arsim dhe ligji që prodhoi kjo reformë, ishte produkt i një komisioni, nga më prestigjiozët për Arsimin e Lartë", u shpreh Xhaçka.

Ministrja e Mbrojtjes në fjalën e saj tha se studentët janë frymëzim për shqiptarët dhe vetë qeverinë, teksa thumboi dhe opozitën, duke akuzuar se 10 programe studimi në vitin 2005 u hapën 1442 programe studimi në vitin 2013. Ajo theksoi se maxhoranca është e gatshme të dialogojë me studentët për të gjitha kërkesat e tyre. "Ne jemi të gatshëm të flasim, të dialogojmë e të zgjidhim bashkërisht, ndërsa opozita ka lëshuar luanët që të luftojë me sende koteci”, deklaroi më tej Xhaçka në fjalën e saj.

Ora 18:19
Qëlloi Ramën me vezë/ Balla: Kallëzim penal Endri Hasës për shpërdorim detyre (Dokumenti)

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, pas rinisjes së seancës plenare në Kuvend, tha se PS do të depozitojë një kallëzim penal për deputetin Endri Hasa që qëlloi me vezë kryeministrin Rama.

Balla: Nuk gjej arsye për të shpjeguar ndërprerjen e fjalës nga folësi i raadhës, që doli me konsesus. Kjo është qesharake, jemi bërë si kopësht fëmijësh ku i kërkohet kryetarit të Kuvendit, të dalë live, kryetari i opozitës. PD të kërkojë ndjesë për aktin e turpshëm, për këtë deputet do të depozitojmë kallëzim penal për shpërdorim detyre dhe goditje për shkak të detyrës.

Kallëzimi i PS për deputetin demokrat Endri Hasa
Ora 14:55
Katër orë i ngujuar në Kuvend, deputeti i PD që qëlloi Ramën del bashkë me grupin

Pas katër orësh ngujim në Kuvend, deputeti Endri Hasa së bashku me grupin kanë dalë nga salla e Kuvendit. Fillimisht u deklarua se do të qëndrojnë deri kur të fillonte seanca pasdite, pasi Hasa nuk do të lejohej nga Garda që të hynte nëse do të dilte, pasi është përjashtuar me 10 ditë. Por rreth orës 14:30 vendimi ka ndryshuar dhe Endri Hasa së bashke me grupin e deputetëve kanë dalë. Në orën 17:30, 30 minuta para mbledhjes së Kuvendit, grupi i PD do të ketë një mbledhje.

Ora 14:01
Balla publikon videon: Ja momenti kur Basha i dha vezët Hasës për të goditur Ramën

Partia Socialiste akuzon kryetarin e opozitës Lulzim Basha se ishte ai që futi në Kuvend vezët me të cilat deputeti Endri Hasa qëlloi kryeministrin Rama. Kryetari i grupit të PS ka publikuar në faqen e tij në Facebook një video nga momenti kur deputeti i PD, Endri Hasa është afruar pranë vendit ku qëndron Lulzim Basha në Kuvend dhe diskuton në lidhje me disa dokumente në nisje të seancës së sotme.

Në një moment, Hasa ulet pranë tij dhe sikur pretendon Balla, ka marrë vezët nga xhupi i kreut të PD, i cili e kishte vendosur në karrige. Balla shprehet se është e turpshme se si Basha fshehu vezët ‘nën puplat e shtrenjta të xhupit të tij’.

“Artist! Po ti qenke edhe regjizor, edhe skenarist. U deshën 6 muaj që “pula” Lulzim të prodhonte 2 vezë. E turpshme si një kryetar opozite degradon deri në pikën që të fshehë nën puplat e shtrenjta të xhupit të tij. Shikoni videon sesi Artisti Lulzim bën qesharak rikthimin e opozitës në Kuvend. Është Lulzim Basha që “prodhon” vezët dhe ia jep deputetit pa emër” thotë Balla.

Ora 13:30
PS kërkon përjashtimin e Lulzim Bashës nga Kuvendi

Partia Socialiste ka kërkuar nga Byroja e Kuvendit përjashtimin e kreut të PD, Lulzim Basha me 10 ditë nga Kuvendi për gjuhën e përdorur në parlament. Ende nuk dihet nëse PS i referohet fjalës së Bashës në fillim të seancës ku iu drejtua socialistëve me fjalët “të poshtër, horra, banditë, dele”, apo më pas kur foli nga karrigia gjatë incidentit me kryeministrin Rama.

Ora 13:29
Incidenti në Kuvend, Braçe: Luli i dha vezën deputetit të PD dhe e lëshoi në ‘atentat’; ai po dridhej...

Deputeti i PS, Erjon Braçe ka reaguar pas incidentit në Kuvend, ku kryeministri Rama u qëllua me vezë nga deputeti i PD, Endri Hasa. “Te kesh perpara nje burre dy metra, per me teper qe nuk leviz, te jesh nje meter larg tij dhe, ta qellosh neMajteLulit; Do të thotë që e ke bërë në brekë. Por eshte me e turpshme se kaq; Vezen e ketij e beri nje pule si vet Luli, hyri ne Kuvend pa ju nenshtruar kontrollit te zakonshem, u ul ne vend, thirri kete trimin, i dha vezet dhe e leshoi ne “atentat”; ai po dridhej! A e kuptoni se cfare kryetari opozite ka ky vend apo jo? Por perseri eshte edhe me e rende; Thane dje se nuk po vinin ne Kuvend te shpetonin mandatet por, per hallin e #studenteve!

Ne fakt jane ne Kuvend vec per bythen e tyre, si perhere, #PUSHTETIN! Studentet i vrane qe gjate javes; I vrane kur ju cuan partine me qellimin e perhershem-PUSHTETIN; i vrane kur ju morren erzin dhe ne emer te tyre uleriten: JO DIALOG! Mos prisni gje nga keta, zero! Nuk u bene asgje ne 8 vite! Ne do tejkalojme cdo kerkese te studenteve. Zgjidhja eshte mbi tavoline! Njesoj sic tek REFORMANEDREJTESI; Dje Keshilli i Larte i Prokurorise, sot Keshilli i Larte Gjyqesor, neser Byroja Kombetare e Hetimit dhe  Prokuroria Speciale kunder Korrupsionit, Keshilli i Emerimeve ne Drejtesi etj.Tamam arsye per ta bere ne brekë” shkruan Braçe.

Ora 13:13
Basha dhe Berisha largohen për t’u rikthyer në orën 18:00

Pas përfundimit të mbledhjes së grupit të PD në Kuvend ku u vendos që deputetët nuk do të largohen, kryetari i PD, Lulzim Basha dhe Sali Berisha janë të vetmit që janë larguar për t’u rikthyer më pas në orën 18:00 kur të rifillojë seanca.

Ora 12:48
Opozita nuk largohet, ngujohet në Kuvend deri në orën 18:00

Pas vendimit të kryetarit të Kuvendit për shtyrë seancën në orën 18:00, pasi deputeti Endri Hasa nuk pranoi që të largohej pas përjashtimit me 10 ditë, grupi i PD vendosi që të mos largohet nga salla duke u ngujuar deri pasdite. Një veprim i tillë vjen, pasi nëse do të largohen, deputeti Hasa nuk do të lejohet që të futet pasdite me rifillimin e seancës.

Ora 12:22
Incidenti në Kuvend, Rama: U djeg xhani për studentët, por bllokuan debatin me dhunë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për situatën e krijuar në Kuvend dhe shtyrjen e seancës për në orën 18:00 të pasdites. “U djeg xhani për studentët, por seancën e kërkuar për ta e kthyen në një konflikt rrugësh, duke bllokuar me dhunë debatin që kërkuan vetë. Ky është modeli i tyre për rininë, prandaj s'është çudi kur hasim të rinj, që sharjet i dinë për trimëri dhe refuzimin e Dialogut për forcë”tha Rama.

Ora 12:09
Endri Hasa nuk del nga Kuvendi, seanca shtyhet për pasdite në 18:00

Duke qenë se deputeti i PD, Endri Hasa nuk pranoi që të dilte nga salla e Kuvendit pas përjashtimit me 10 ditë, kryetari i Kuvendit e ndërpreu për ta rifilluar në orën 18:00 të pasdites së sotme. “I kërkoj të lirojë sallën, është e katërta herë, procedura është e qartë. Në kushtet që nuk zbatohet vendimi i marrë, ndërpres seancën, seanca vijon në orët 18:00 pasdite” tha Ruci.

Ora 11:59
Hasa përjashtohet, por nuk del nga salla, Ruçi ndërpret seancën: S’mund ta mbani peng

Me rinisjen e seancës së Kuvendit, Ruci kërkoi largimin e deputetit Hasa nga Kuvendi, por ai dhe grupi i PD nuk kanë pranuar duke sjellë sërish ndërprerjen e seancës për herë të katërt. “Zot Hasa, përjashtohet 10 ditë nga punimet e Kuvendit. Zoti Hasa liro sallën, kryetari i grupit të nxjerrë jashtë deputetin. Në zbatim të vendimit të byrosë së Kuvendit, Hasa të lirojë sallën. Nuk mund të mbajë peng seancën një deputet, apo  një grup parlamentar. Mesa duket nuk keni ardhur për të debatuar. Ndërpritet seanca sërish” u shpreh Ruçi.

Ora 11:55
‘Liro sallën se kështu vendosi partia’/ Lapsusi i Ruçit që shkaktoi të qeshura në Kuvend

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ka bërë një lapsus që ka shkaktuar të qeshura nga deputetët e opozitës në sallën plenare. Teksa po i kërkonte deputetit të PD, Endri Hasa që të dilte nga salla, pasi u përjashtua me 10 ditë se qëlloi kryeministrin me vezë, Ruçi ngatërroi Byronë e Partisë me atë të Kuvendit. ‘Liro sallën në zbatim të vendimit të Byrosë së partisë...të Byrosë së Kuvendit”.

Ora 11:50
PS: Të përjashtohen Noka, Paloka dhe Strazimiri/ Shtyhet kërkesa për Ramën

Partina Socialiste ka bërë një tjetër kërkesë drejtuar Byrosë së Kuvendit për përjashtimin e deputetëve të PD, Flamur Noka, Edi Paloka dhe Gent Strazimiri me argumentin se kanë përdorur fjalor fyes. Ndërkohë që kërkesa e PD për përjashtimin e Ramës është shtyrë për tú shqyrtuar brenda 48 orëve.

Ora 11:44
Vezët drejt Ramës, Berisha: Ishte kartolinë nga studentët, vinin nga Surreli

Sali Berisha ka reaguar pas incidentit në Kuvend duke thënë se ishte kartolinë për kryeministrin, ndërsa shtoi se ‘vezët vinin nga Surreli’, zonë ku banon Rama. “Ishte kartolina nga studentët për Vitin e Ri që deputeti Hasa i dërgoi kryekumbarës, kreut të krimit të krimit organizuar dhe të korrupsionit, Edvin Kristaq Rama. E vërteta është që ato vezë vinin direkt nga Surreli” tha ai.

Ora 11:22
Qëlloi Ramën me vezë/ Byroja e Kuvendit përjashton 10 ditë deputetin e PD

Deputeti i PD, Endri Hasa përjashtohet 10 ditë nga Kuvendi pasi qëlloi kryeministrin Edi Rama me vezë dhe bojë. Vendimi është marrë nga Byroja e Kuvendit.

Ora 11:20
‘Na denigroi’/ PD kërkon përjashtimin e Ramës nga Kuvendi

PD kërkon përjashtimin nga seanca plenare të Kryeministrit Edi Rama. Kërkesa është firmosur nga disa deputetë, të cilët pohojnë se “gjatë seancës Rama përdori fjalor fyes dhe denigrues ndaj grupit parlamentar të PD dhe deputetëve të veçantë të PD”.

Kërkesa e PD për përjashtimin e Ramës
Ora 11:14
Hasa nuk del, seanca ndërpritet një orë nga Ruçi, mblidhet Byroja e Kuvendit

Deputeti i PD, Endri Hasa nuk ka dalë nga Kuvendi pas përjashtimit, ndërkohë që pasi u ndërpre për tre herë nga 10 minuta, seanca është ndërprerë për një orë. Kryetari i Kuvendit Ruçi ka njoftuar mbledhjen e Byrosë së Kuvendit për masën disiplinore ndaj deputetit të PD.

Ora 11:13
U qëllua me vezë, reagon Rama: Opozita e paska vrarë kohën koteceve

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale me një postim pas ngjarjes sot në Kuvend ku u qëllua me vezë nga deputeti i PD, Endri Hasa. “Të kthyer pas një qëndrimi të gjatë rrugëve, opozitarët tanë jo vetëm duket e paskan të vështirë të përshtaten me rregullat e sjelljes jorrugore, po si duket e paskan vrarë kohën koteceve duke dhunuar pula e vjedhur vezë, kur kaluan në ilegalitet nga frika e mllefit të studentëve”.

Ora 11:00
Deputetët e PD hedhin projektligjet drejt Ramës në foltore (VIDEO)

Me rinisjen për herë të dytë të seancës, Endri Hasa jo vetëm që nuk ka dalë nga seanca, por deputetët e tjerë të PD, janë afruar pranë foltores duke hedhur projektligjet në drejtim të kryeministrit.

Ora 10:46
FOTO/ Momentet kur deputeti i PD Endri Hasa qëllon me vezë e bojë kryeministrin