TIRANE-Pas 12 orësh diskutime, debat dhe tensione të forta, Kuvendi i Shqipërisë me votat e shumicës ka miratuar projektligjin që i hap rrugë ndërtimit të Teatrit të Ri Kombëtar. Në fund të diskutimeve, opozita bllokoi foltoren duke kërkuar që projektligji të mos miratohej, por shumica e kaloi me 75 vota pro. Mes votave që mori projektligji ishte edhe ajo e deputetit të LSI, Robert Bitri, i cili pak ditë më parë njoftoi largimin nga grupi parlametar i LSI dhe kaloi i pavarur. Bitri voton rregullisht ligjet e shumicës qeverisëse në Kuvend.

Nga 79 deputetë që ka shumica, votuan vetëm 75, 4 nuk ishin të pranishëm. Ata që munguan ishin; Pandeli Majko, Spartak Braho, Paulin Sterkaj dhe Reme Lala. Majko u largua duke mos marrë pjesë në votim, ndërsa nga PD u aludua se ishte një votë kundër, pasi në 2002 kur ishte kryeministër kundërshtoi projektin për shembjen e teatrit. Gjatë seancës plenare PD përmes deputetit Mima iu drejtua Ramës duke e pyetur nëse e ka larguar ai për të shmangur një votë kundër. Përsa  u përket tre deputetëve të tjerë që nuk ishin në Kuvend, Braho dhe Sterkaj janë në spital, pas problemeve shëndetësore, ndërsa nuk dihet arsyeja e mungesës së Reme Lalës.

Pas votimit të projektligjit, deputetët e opozitës, PD dhe LSI në momentin e largimit nga salla nxorën kartonët e kuq duke i gjuajturnë drejtim të qeverisë dhe kryeministrit. Ndërsa Rama bëri ironi duke u shprehur se ‘edhe kartonët që do të gjuani janë jeshilë’. Protestuesit jashtë sallës së Kuvendit janë irrituar pas miratimit të projektligjit për Teatrin Kombëtar, i cili parashikon shembjen e atij aktual dhe ndërtimin e një teatri të ri. Ata kanë paralajmëruar se do të vijojnë protestat.



Tashmë ligji i votuar ndodhet në dorë të Presidentit Ilir Meta. Kryetari i PD, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi i kanë bërë thirrje Presidentit Meta që të mos e dekretojë ligjin, por ta kthejë sërish në Kuvend. Opozita e cilëson si grabitje dhe pastrim parash projektin për ndërtimin e teatrit të ri. Godina është planifikuar që të ngrihet mbi rrënojat e të vjetrit, ndërsa bashkia e Tiranës së bashku me një grup nga aktorët do të negociojnë për detajet e projektit.

Lexoni këtu të gjitha lajmet nga seanca e sotme e Kuvendit

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:38
Tensioni në Kuvend/ Opozita e gjuan me kartonë, gardisti e mbron, Rama e largon i nevrikosur/ FOTO

Në momentin e votimit të projektligjit për teatrin situata ka qenë mjaft e tensionuar në Kuvend. Pas votimit, deputetët e opozitës, PD dhe LSI në momentin e largimit nga salla nxorën kartonët e kuq duke i gjuajtur në drejtim të qeverisë dhe kryeministrit. Ndërsa Rama bëri ironi duke u shprehur se ‘edhe kartonët që do të gjuani janë jeshilë’.

Ora 22:01
Deputeti i PD-Ramës: Ti që i thua popullit TQR, po sikur të ta kthejë RKTK, ku e çove Majkon?

Gjatë diskutimeve në Kuvend nuk munguan edhe batutat mes deputetëve. Gjatë fjalës së Mimës në Kuvend nuk ishte i pranishëm Pandeli Majko, ndërsa deputeti i PD iu drejtua Ramës duke e pyetur ku e ka çuar. ‘Nuk po e shoh Majkon, a e përzutë ju apo iku vetë?’ Ndërsa më pas tha se ne kemi ‘Një kryeministër që u thotë qytetarëve TQR, po sikur të ta kthejë RKTK’.

Por e menjëhershme ishte përgjigja e Shalsit, i cili jo vetëm ironizoi, por edhe akuzoi opozitën për kohën që ka qeverisur. ‘’O tempora, o mores!” Parafolësi i biri i një aktori të nderuar dhe një person për të cilin kam respekt sot do u thoshte shqiptarëve ‘cfarë keni bërë ju për teatrin. Interpretuat bukur’. “O tempora! O mores!” është një shprehje e përdorur nga Ciceroni, ndërsa përkthehet “Kohë të mjera, njerëz të mjerë”.

Ora 21:39
Julian Deda-Ramës: Nëse je nervoz more zotëri shko shemb piramidën

E ndërsa brenda në sallë vijojnë diskutimet për projektligjin për Teatrin Kombëtar, artistët jashtë Kuvendit vijojnë protestën.

Nuk mund t'i bëj thirrje një njeriu nervoz. Nëse je nervoz more zotëri shko shemb piramidën, jo teatrin. Është një vjedhje e madhe, ata me teatrin po bëjnë bakshish. Të gjithë ata që duan teatrin të vinë të bashkohen. Mos ti lëmë që sot të bëjnë një seancë parlamentare farse. Nëse nuk doni, të rrimë këtu.

Julian Deda