Pas largimit të Zidane, Real Madrid firmos me trajnerin e kombëtares spanjolle

Pas largimit të Zinedine Zidane, Real Madrid ka njoftuar arritjen e akordit me trajnerin e ri i cili do ulet në stolin e "galaktikëve". Dhe ai është Julen Lopetegui. 51-vjeçari aktualisht është trajner i ekipit kombëtar spanjoll dhe pas Botërorit të Rusisë do marrë drejtimin e 13 herë fituesve të Champions League. 

Ka qenë vetë Real Madrid që ka njoftuar në rrjetet sociale këtë të martë se pasuesi i Zidane do jetë pikërisht Lopetegui. Tekniku ka firmosur një kontratë 3-vjeçare me presidentin e madrilenëve Florentino Perez.


Lajmi për zyrtarizimin e Lopetegui në stolin madrilen vjen në një kohë kur ai sapo kishte rinovuar për dy vite të tjera me Federatën spanjolle. Por thirrja nga Real Madrid ka ndryshuar planet e Lopetegui, megjithëse vendimi ka surprizuar jo pak drejtuesit e kombëtares vetëm dy ditë përpara nisjes së Kampionatit Botëror të Futbollit. Julen Lopetegui kthehet te Reali 10 vite pasi e 'braktisi' klubin. Ai e njeh mirë ambientin aty, sepse ka qenë një futbollist i Castilla-s (1985-88) dhe i ekipit të parë (1898-91).

Trajneri 51-vjeçar ka drejtuar më herët ekipet e moshave të kombëtares spanjolle U19, U20 dhe U21 dëri në vitin 2014. Këtë vit ai firmos në Portugali me Porton të cilët i drejton për dy sezone. Ndërsa menjëherë më pas, në 2016-ën, merr drejtimin e kombëtares spanjolle. 

Çfarë do ndodhë me Spanjën në Botëror?
Por nëse në kampin madrilene vendoset qetësia, pyetja që ngrihet tani është se çfarë do të ndodhë me lojtarët e Barcelonës, të cilët Lopetegui i ka në stërvitje te kombëtarja e Spanjës për këtë Kupë Bote në Rusi? Frika ekziston se mos ndoshta, trajneri i ri i madrilenëve, mund të favorizojë lojtarët e Realit në formacion, duke lënë pas dore në një farë mënyre ata të Barcelonës, apo edhe lojtarë nga ndonjë ekip tjetër spanjoll.

Prezantimi zyrtar i Lopeteguit do të bëhet kur ai të kthehet nga Rusia. Pra, gjithçka do të varet nga ecuria e Spanjës, që nëse shkon të paktën deri në gjysmëfinale, atëherë zyrtarizimi do të jetë pas 15 korrikut. 

d.ba./l.q.
Komento