'Anne dhe Zef' - Opera që ndërthur Holokaustin me gjakmarrjen

Duhet ti jepet fund fenomenit të gjakmarrjes që ende sot vazhdon të ngujojë të rinjtë shqiptarë. Është ky apeli i 17 vjeçares Anjeza Marku, këngëtarja që nesër do të interpretojë rolin e Ana Frank në operën "Anne dhe Zef" në Universitetin e Arteve. Opera ndërthur historinë e adoleshentes hebreje e cila ishte viktimë e Holokaustit me Zefin, një djalë shqiptar viktimë e gjakmarrjes. E ftuar sot në emisionin "Rreze Dielli" në Report TV për të folur pikërisht për këtë shfaqje, Marku tregoi për eksperiencën e saj me të rinj të cilët janë të ngujuar, ndërsa bëri apel që familjet të falin gjakun.

Fatkeqësisht është shumë aktuale edhe në Shkodër sepse vijnë prej fshatrave ata që duan të largohen prej këtij fenomeni. Është shumë e vështirë sepse ata nuk mund të dalin me shokët e tyre por duhet të qëndrojnë brenda (të izoluar). Mendoj që është një fenomen i cili ka mbetur prej shumë kohësh, Kanuni është shumë i hershëm pavarësisht se vazhdon edhe sot. Mendoj që duhet me u zhduk ky fenomen por duhet që familjet të falin njëri tjetrin. Për shkak se ne të rinjtë duam të jetojmë rininë, emocionet që i kemi në këtë moshë nuk i gjejmë më. Po, sigurisht duhet me qënë të sensibilizuar edhe institucionet , por më tepër njerëzit vetë, sepse jemi ne që e bëjmë këtë. Është me të vërtetë subjekt shumë i rëndësishë. Para pak kohësh kanë ndodh situata makabre edhe në Kosovë, që mund përafërsohet me historinë e Ana Frank, gjithashtu edhe në veri ndodh ende fenomeni i gjakmarrjes. Është një ndërthurje shumë e mirë, një sensibilizim që duhet ta ndjejmë të gjithë.