Receta e ditës - Byrek me kungull dhe supë me krem, perime e pulë / Pjesa e parë

Receta e parë : Byrek me kungull

Përbërësit : 

1 pako peta

1 kg tul kungull i verdhë

150 gr gjalp

250 ml qumësht

120 gr sheqer

1 lugë gjelle miell

3 kokrra vezë

3 lugë gjelle vaj bimor

6-7 gjethe borzilok

Pak kripë

Përgatitja : 

Fillimisht qërojmë kungullin dhe e grijmë atë në rende nga ana më e trashë e rendes. Pasi e grijmë , shtojmë tek kungulli pak kripë , e përziejmë dhe e lëmë të pushojë për 15 minuta me qëllim që kungulli të nxjerrë ujin. Në po këtë tas shtojmë ujë të ftohtë , e përziejmë dhe e kalojmë në sitë . E shpëlajmë dhe një herë dhe pasi ta kemi kulluar në sitë, e hedhim në një picetë për ti larguar të gjithë ujin(mund ta shtrydhni edhe me duar).

Pasi kungulli të jetë tharë, e vendosim në një tas . shtojmë në të 3 lugë gjelle gjalp të shkrirë, sheqer, kripë dhe i përziejmë të gjitha së bashku. Shtojmë gjithashtu 1 lugë miell dhe vazhdojmë përzierjen që sheqeri të tretet. Më pas shtojmë 1 gotë qumësht, vezët e përziera dhe  i trazojmë përsëri. Kjo ishte përgatitja e mbushjes së byrekut, duke copëtuar me dorë edhe gjethet e borzilokut brenda në tas.

Lyejmë tepsinë me yndyrë dhe shtrojmë në të 2 peta duke i spërkatur me yndyrë.

Mind të përgatisni në vend të yndyrës së thjeshtë :

1 vezë, pak kripë, yndyrë ( në rastin tonë gjalp) dhe 1 gotë qumësht. Kjo është një masë kremoze , se pasi të trazojmë përbërësit na krijohet një krem i plotë që mund të përdoret në çdo byrek me qëllim që petët të mbeten të buta.

Pra në tepsi kemi shtruar 2 peta. I spërkatim me këtë krem duke filluar më parë nga pjesët anësore të petës. Vendosim përsëri 2 petë , i spërkatim dhe përsëri vendosim 2 petë të tjera. Nuk i spërkatim këto të fundit pasi do të shtrojmë mbushjen e cila në rastin tonë është pak e lëngshme. Shtojmë mbushjen dhe pasi e mbulojmë përsëri e spërkatim në çdo 2 petë. Në fund mbledhim anët, e spërkatim byrekun dhe e vendosim në furrë në temperaturë 180 º- 200ºC për 30 minuta. Pasi e nxjerrim nga furra, e lëmë të psuhojë 20 minuta dhe më pas e shërbejmë.