Receta e ditës - Rosnica me pulë dhe tortë e ftohtë me kos dhe fruta pylli / Pjesa e dytë

Receta e dytë :Tortë e ftohtë me kos dhe fruta pylli

Përberësit:

500 gr fruta pylli

250 gr biskota

100 gr gjalp i tretur

400 gr salcë kosi ose kos me fruta pylli

50 gr sheqer pluhur

200 gr qumësht i kondensuar

200 gr pana ëmbëlsire

12 gr xhelatine

Vanilje

Përgatitja:

Fillimisht fletët e xhelatinës i vendosim në një tas me ujë të ftohtë dhe i lëmë të zbuten për 10 minuta. Ndërkohë shkrijmë gjalpin në temperaturë të ulët sa të shkrijë.

Biskotat i vendosim në një qese dhe i thërrmojmë me rolon  (ose i vendosim në grirësen e qepës dhe i thërrmojmë)

Vendosim biskotat në një tas dhe i përziejmë ato me gjalpin e shkrirë. Në një tepsi unazë ( tepsi keku), shtojmë biskotat e trazuara me gjalp dhe i nivelojmë  mirë në të gjithë sipërfaqen duke i shtypur me shpinën e lugës. Mund ta vendosim në frigorifer deri sa të përgatisim mbushjen me qëllim që gjalpi të ngrijë dhe të bashkojë copëzat e biskotës.

Mbushja :

Në një tas vendosim salcën e kosit ose kosin e frutave ose ½ salcë kosi dhe ½ kos frutash. Shtojmë në të 50 gr sheqer, vanilje  dhe i trazojmë mirë.

Rrahim panën deri sa ajo të ngurtësohet. Shtojmë tek pana qumështine kondensuar dhe e përziejmë mirë. Shtojmë gjithashtu kosin dhe i përziejmë së bashku.

Xhelatinën e shtrydhur e vendosim në një xhezve dhe më pas shtojmë në të 2 lugë gjelle ujë. E vendosim në zjarr mesatar  sa xhelatina të tretet në ujin e nxehtë dhe e largojmë menjeherë. E shtojmë pak nga pak në tasin ku kemi përzier përbërësit e mbushjes  dhe i trazojmë.

Vendosim disa fruta pylli  si shtresë të mesme mbi shtresën me biskota. I mbulojmë ato me kremin e përgatitur duke e niveluar atë mirë dhe vendosim tepsinë e mbuluar me letër celefoni në frigorifer për 4 orë. Pasi e nxjerrim nga frigoriferi e zbukurojmë me fruta pylli duke i pudrosur ato me sheqer pluhur ose grimca çokollate të bardhë.