25 prilli dhe fundi i marrëzisë

25 prilli dhe fundi i marrëzisë

Kreu i PD-së Lulzim Basha

Është data 27 prill, vetëm dy ditë pas zgjedhjeve, dhe në ekranin e TV nuk rreshtin së kaluari rezultatet e kutive të fundit të votimit. Vetëm dy ditë më vonë është i qartë fituesi dhe i pakontestueshëm rezultati e ndërkohë që ti pret që humbësi të pranojë humbjen, humbësi fillon e kërkon justifikime për humbjen e tij.

E në gjithë zallamahinë e salloneve televizive ku ti mezi arrin të ndash lajmin nga pallavra, ti mendon se ç’arritje e madhe do të ishte për vendin tonë të vogël sikur humbësi të dilte e të pranonte humbjen me dinjitet. Pra, ç’akt pjekurie do të ishte për opozitën të pranonte që morri atë që meritonte e çka i përket. Por mesa duket kaq është pakëz si shumë nga kjo opozitë.

Këta hynë në këto zgjedhje, si të ishin një çurmë e jo një strukturë e organizuar, me strategji dhe qëllim që përkonin më njeri tjetrin. Strategjia e opozitës bazohej mbi aksiomën “nuk mund të ketë një mandat të tretë për asnjë forcë politike…nuk ka ndodhur ndonjëherë, nuk ka pse të ndodhë tani”.

Kjo strategji ka për themel një vizion naiv, i cili e koncepton rotacionin politik si një fenomen fiziologjik, i ngjashëm me procesin e evakuimit biologjik të qenies së gjallë. Ishte kjo arsyeja pse në diskursin e saj nuk u gjend për asnjë moment një alternativë e mirëfilltë programatike, një propozim i qartë se cilat do të ishin hapat ekonomikë, socialë e politikë që do të ndërmerrte me të ardhur në pushtet.

Përçartjet dhe belbëzimet, të cilat u munduan shumë ti shisnin si program, nuk ngjitën asgjëkundi sepse opinioni publik dhe ndërgjegjia qytetare e shqiptarit mesatar tashmë ka evoluar, në rastin më të mirë, ose është emancipuar në një pragmatizëm konkret lidhur drejtëpërdrejtë me aspektet më prekshme të jetës së përditshme.

Qëllimi i vetëm i opozitës ishte marrja e pushtetit dhe kaq. Të hypim dhe ne mbi kalë sepse është rradha jonë e jo sepse e meritojmë për shkak se kemi një alternativë qeverisëse më të mirë.

Gjithashtu, ajo që opozita, dhe më konkretisht Partia Demokratike, nuk ka kuptuar është fakti që tranzicioni, si fazë e zhvillimit historik dhe politik të vendit, ka kaluar tashmë për shqiptarin real. Koncepti i tranzicionit në diskursin politik ka mbetur vetëm një kategori parazite e gjuhës dhe retorikës e opozitës, e të një pjesë të opionionbërësve, të cilët përtojnë të ndërrojnë regjistër ose ngaqë përtej këtij koncepti nuk kanë asgjë për të thënë.

Sfida e vërtetë e opozitës në këto zgjedhje ishte hartimi i një programi politik bashkëkohor, i cili të ofronte një alternativë qeverisëse të vërtetë. Por kjo nënkuptonte që opozita do të duhej të kishte bërë detyrat e shtëpisë, që do të thotë të mos ishte fjetur për vite lëkundur në ëndrrën e pushtetit dhuratë me përrallat e Babales and Co apo aksionet opozitare për kauza të humbura që në fillim.

Të mos kuptosh që qytetarët e duan një hapësirë me lodra për fëmijët e tyre apo dhe më keq, që kryeqyteti ka nevojë për frymëmarrje në infrastrukturë rrugore të re e që nuk ka asgjë që mund të vihet mbi interesin publik të zhvillimit, që në demokraci nuk ka të drejta që vlejnë absolutisht por vetëm të barazpeshuara në raport me interesin publik, është të jesh qorr prej gjumit të thellë të arsyes.

Opozita hyri në këto zgjedhje me duar në xhepa dhe me duar në xhepa doli, dhe në dështimin e saj nuk ishte e vetme. Shoqëri të mirë i bënë në këtë dështim dhe një pjesë e mirë e medias me një shpurë analistësh e gazetarësh që nuk dinë të dallojnë më faktin nga mendimi i tyre.

Këta të fundit kanë kaluar nga faktet e mbështetura në prova dhe të argumentuara mbi rregullat e arsyes, nga dosja e një investigimi të mirëfilltë gazetaresk te fundi i filxhanit të kafesë. Janë shndërruar nga maratonomak të lajmit e të arsyes të së vërtetës në fallxhorë që lexojnë të ardhmen në llumin e ndërgjegjies së tyre të brejtur si veshje e vjetër prej kohës.

Nga ekranet e shumta, u munduan më kotë të dehnin opinionin publik me duhmën e përcartjeve të tyre sepse në të vërtetë dehën vetëm opozitën. Një lum pallavrash në formën e akuzave politike ndaj pozitës, një urragan pallavrash mbi fitoren e pashmangshme të opozitës, jo po 40 mandate e jo po kush do bëhet ministër etj. Etj..

Sot janë po këta që po ngrejnë ngrehinën e pamoralshme të humbësit që nuk pranon humbjen e po duan të fusin opozitën, ose çka prej saj ka mbetur, në të njëjtin qorrsokak në të cilin u fut pas zgjedhjeve të 2017. Pa u certifikuar ende rezultati filluan të bërtasin për vjedhje votash, blerje votash. E kur pyeten ku janë faktet për sa thonë, gjithçka kthehet në banalitetin e “më kanë thënë mua se në filan zonë janë blerë filan vota”. Janë po këta frymëzuesit e marrëzisë së opozitës që ngriti struktura paramilitare të mbrojtjes së votës, marrëzi që morri një jetë njeriu në Elbasan.

Janë po këta që bërtisnin se vota duhet mbrojtur me çdo mjet se jemi nën një regjim e blah blah blah… . Këta ia bënë vetëm më të qartë shqiptarëve se ç’llum po përgatitej e se kush po kërkonte të vinte në pushtet. Opozita duhet ti falenderojë këta bashkë me retorikën absurde të presidentit për humbjen e saj. Këta u ranë kaq fortë trumpetave të marrëzisë sa çdo shqiptar me arsye dhe vrapoi të votonte në datë 25 prill me ide shumë të qarta se kush ishte alternativa e tij e vetme.

Tani mendojeni se ç’marrëzi do të kishte qenë për shqiptarët të dëgjonin këta të marrë ndërkohë që në kahun e kundërt kishin një forcë politike që dhe pas 8 viteve qeverisjeje, u dilte përpara me një plan veprimi të detajuar për 10 vitet që vijnë. Një forcë që u ishte pranë në tragjedinë e tërmetit e që u doli për zot përpara pandemisë të virusit vdekjeprurës. Imagjino sesa e vështirë është të fikësh televizorin e të dëgjosh atë që po të dorëzon çelsat e shtëpisë së re pasi tënden ta shkatërroi tërmeti, apo të dëgjosh mjekun apo infermieren që po të bën vaksinën që do të të mbrojë nga një armik të padukshëm e që mund të të marrë jetën.

Në një kah ke Ramën që të pyet a të pëlqen shtëpia e re e në tjetrin ke Bashën që premton se toka do t’u kthehet pronarëve. E kuptoni sesa absurd është pretendimi se ti që punon e u ku ndenjur njerëzve pranë në pikën e hallit, po ti ke nevojë t’u blesh votën njerëzve.

Do ishte u udhës që të fikej brumatriçja e përbaltjes dhe e marrëzisë e të t’i lihej kohë opozitës që të analizonte arsyet e humbjes duke e parë humbjen pa lenten e justifikimeve. Lëreni opozitën të zgjohet nga gjumi 8 vjeçar se një opozitë e vërtetë u duhet jo vetëm shqiptarëve por dhe Ramës në mënyrë që të qeverisë sa më mirë në 4 vitet e ardhshme. Ndihmojeni opozitën të mësohet të bëjë detyrat shtëpisë e mbase kështu do të mund t’u dalë pas 4 vitesh shqiptarëve me një alternativë të vërtetë.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës