Nuel Kalaj biznesmeni nga Prizreni, mik i Shkëlzen Berishës dhe që jeton në Francë, ka pasur një rol kyç në privatizimin e OSHEE-së tek CEZ.
 
Pavarësisht se qeveria shqiptare e kohës deklaroi se negociatat për këtë privatizim strategjik nisën në 2008-n, Kalaj, punonte për këtë punë që në vitin 2005 kur Sali Berisha erdhi në pushtet.
 
Për 4 vite rresht ai me njohjet e tij të afërta me familjarë të Berishës dhe ministra të kabinetit të tij, përgatiti terrenin për shitjen e gjigantit të shpërndarjes tek çekët, në kushte jo shumë të favorshme për palën shqiptare.
 
Report Tv zbardh korrespondencën e Nuel Kalajt me drejtorin e madh të CEZ-it në Çeki , Roman Martin. Në këtë dokument ekskluziv që daton në 7 shtator të 2009-s, faktohet se negociatat kanë nisur që në vitin 2005.
 
“Më vjen keq sinqerisht të shoh se pas një pune të lodhshme 4 vjeçare për CEZ-in dhe luftës që kam bërë që një kompani e suksesshme si CEZ-i të hynte në tregun energjetik shqiptar, probleme të tilla të shkatërrojnë frytet e një pune të vështirë, punë që që unë dhe zoti Petran kemi bërë për muaj e muaj me radhë, negociatë pas negociate që u finalizua me sukses me privatizimin e OSHS”, shkruan Nuel Kalaj në emailin drejtuar drejtorit të madh të CEZ-in, ku ankohet për punën e drejtuesit të CEZ-it në Shqipëri Jozef Hejsek.
 
Ai “spiunon” keqmenaxhimin e Hejsekut që po punëson njerëz pa përvojë dhe të korruptuar. Menaxhim siç theksohet në email, po këshillohet nga burime të tjera, që nuk është ai dhe që do të krijojnë probleme madhore për kompaninë.
 
Madje ai shkon deri aty sa i propozon drejtorit të madh Martin të ndryshojë drejtimin e degës së Shqipërisë në të kundërt do hasen probleme të ngjashme si ato që kompania austriake EVN hasi në Maqedoni, ose më keq akoma CEZ mund të shkojë në falimentim.
 
Nuel Kalaj duhet të dëshmojë në komisionin hetimor për privatizimin e CEZ-it, të hënën, por fletëthirrja u kthye mbrapsht në Kuvendin e Shqipërisë me mbishkrimin nga posta “larguar jashtë vendit”.

noel dokument cez

noel dokument cez

noel dokument cez
 E-mail-i që sekseri Nuel Kalaj i dërgonte drejtorit të CEZ-it në Çeki, Roman Martin në 2009. Në këtë dokument ai pranon që negociatat për privatizimin kanë nisur  që në vitin  2005. Në dokument ankohet për drejtorin e CEZ në Shqipëri, Jozef Hejsek.

PDF-Emaili Nuel Kalaj

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com