'Një jetë me ty' dhe pa ty!Kur fallsiteti
i jetës bashkëshortore del sheshit

'Një jetë me ty' dhe pa ty!Kur fallsiteti<br />i jetës bashkëshortore del sheshit
 Ne “fushen djerrë” të dramaturgjisë nacionale, janë të mirëpritura veprat e autorëve tanë, kur vërshimi i repertorit teatror të huaj vjen si “lumi me kucura” e të ngjan me “parcelat e drogës” qe sa vjen e po na imponohen me dhunë të hatashme! Po, ndërsa ketyre parcelave vdekjeprurese u ështe kundërvënë Policia e Shtetit, në skenat dhe festivalet e teatrove tona, “parcelat” e repertorit të huaj, po bëhen gjithmone e më zotëruese e sugjestionuese.

Dhe, për habi, nëpër premiera e sidomos nëpër festivale te “festivalberesve te droguar”, nuk i pranojne me kritiket e teatrit (qe s’jane me shume se 2-3 persona!), po cuditerisht aty, duhet të jenë të pranishëm vetëm “soditës” e “miq” që duartrokasin këto “parcela”, që aq shumë, doemos edhe me përjashtime, të ngjajnë me “të mbjellat” e atyre lëndeve të rezikshme që pvrmendëm. Dhe që s’ka ende një “këmbanë alarmi”! Po, a mund të kemi një Teatër Kombtar, pa dramaturgjinë tonë në rradhë të parë?!
 
Qe diçka e bukur që në “BALLKAN TEATER TIRANA FEST”, të organizuar me sukses një muaj më parë, ccdo shtet i Ballkanit, u përfaqësua, thuajse, me veprën e vet kombëtare. Kështu, e shkruar dhe e vënë në skenë nga Erion Kame, komedia jone “Një jetë me ty” hapi “perden ajrore” në Teatrin “KAME”, një nga më të veçantat anfiteatro të sotme, të ndërtuar me shije e në harmoni me natyrën përreth, ku antikiteti bashkëjeton me modernitetin e arkitekturës të këtyre tempujve të kulturës njerëzore. Ajo është një komedi humoristike, ku jeta shpaloset në terrenin familjar, kur brenda saj”trungu i pemës” është i kalbur, duke shtyrë një bashkëjetesë formale, pa dashuri.

Të “ndërtuar” shtrembër, prej një njohjeje të rastit, rutinë,  ku sejcili ka bërë e bën përherë jetën e vet dhe e rrëfen historinë e lidhjes në bashkjetesë krejt ndryshe, kur erosi ka shterrur me kohë. Erion Kame, në këtë “vorbull të rreme”, si autor i kësaj drame komike, ne mund ta quajmë kështu, ka “stofin “ e një komediografi serioz, qe jetën di ta shpalos natyrshëm, përmes situatash në dukje të lehta,  që marrin rrokullimën “dramatike” të shkatërrimit të bazës së saj, aqsa njeri i “bie gozhdës e tjetri patkoit”! Aty do të mbizotërojë gënjeshtra e fallsiteti, një shtirrje pafund, që do të vazhdojë edhe kur komedisë do ti vijë fundi, të përfshirë në një “shtirje të re”, si një tipizim marrdhëniesh familjare të shumë çifteve, jeta e të cilëve ka mbaruar ende pa filluar, duke e lënë vrapin tek dyert e Gjykatës!

 Në vështrimin e përgjithshëm duket si një dramaturgji superficiale, në tipin e komedive bulevardeske, por brenda saj është gjithmonë ngërci, dicka brejtëse, njëfare drame e fshehur skutave të shpirtit, ku mardheniet nuk dalin dot nga rutina e jetës së djeshme,  e cila shfaqet edhe në gjumë, po edhe ruhet nëpër kutiza, foto, mesazhe celularësh e medalione, si diçka “e shenjtëruar “ dhe e vërtetë, që ndritë e feks parreshtur. Kjo anë e pasme e moralit e zbuluar gradualisht përbën edhe dramacitetin, edhe komicitetin e kësaj pjese teatrore, që rreket të “operoje” mbi kohën tonë, në shoqërinë e sotme, gjoja të lirë, ku pema, sikundër thamë që në fillim, i ka të kalbura rrënjët….

Po Erion Kame,  këtë lëndë dramatiko-komike,  na i bën të besueshme, jetësore, ku çdo njeri, është e pamundur të mos gjejë këtu diçka nga vetja. Merita tjetër e saj është trajtimi në invers i lëndës,  ku dy personazhet, janë gjithmonë në shpalosjen e vetvetes, ku veprimi i çastit është i harmonizuar me retrospektivën e kjo bëhet para nesh, në perden e hapur…Duke shtuar një personazh të tretë, të ngërthyer me një mardhënie krejt tjetër të planit erotik, po edhe brenda një keqkuptimi të sajuar, (që komedia e pranon si “in trecio”, si mjet artistik e faktor shtytës të kolizionit komik), ku situata do te marrë hove, duke rendur në kulminacionin e vet. Dhe e qeshura rend së toku me keqkuptimin e së shoqes, duke e bërë edhe banalitetin skenik tashmë të pranueshëm.

Duke qënë njëheresh edhe regjisor i veprës së vet, Erion Kame vendos aty konvecionin skenik, duke e kryer gjithë proçesin në të njëjtën skenë, ku në epiqendër do të jetë gjithmonë një krevat bashkëshortor që bëhet e çbëhet vazhdimisht. Një krevat bashkëshortor, që shërben si një dekoracion e asgjë më tepër, por që do të shprehë çdo gjë, nga jeta e tyre “konvecionale”, e mëvetëshme, në një montim-cmontim të përjetshëm, Dhe janë vetë aktorët që e bëjnë këtë veprim skenik, duke hyrë e dalë vazhdimisht nga jeta e tyre, brenda kësaj shtirje formale e qesharake, të përcjellur me të qeshurën e komedisë…..Në këtë trajtë, ndonëse e lehtë, superficiale, komedia bëhet e këndëshme, pra edhe e pranueshme.

[gallery]19124[/gallery]

Regjizori Kame duke e patur të tijë tekstin, është kujdesur që të jetë sa më i natyrshëm në krijimin e atmosferës bashkërortore me një mizansken që ruan intimitetin burrë grua, po, në të njëjtën kohë, nuk ka mundur ti shpëtojë retushimit që çdo regjizor duhet ta bëjë (me “gërshërë në dorë”), në evitimin e përsëritjeve të një morie faktesh të jetës së tyre, që do ta ndihmonin ritmikën e spektaklit e heqjen e “ ujrëva të tepërta”. Po, si zakonisht, regjia e vetvetes është e njëllojtë si operimi i një kirurgu në trupin e tij.

 Mandej është edhe meritë e dy interpretuesve, Romir Zalla e Suela Bako, bashkëshort në jetë dhe në skenë, që krijojnë afinitetin dhe besueshmërinë, duke e çuar rrjedhën nga vetja tek të tjerët, si një rrefim i lidhjes e i jetës së tyre, nga e tashmja në të shkuarën dhe anasjelltas. Ata tregojnë dhe lozin po atë që thonë dhe e paraqesin realisht, Gjithësesi, zbulimi i vetevetes, nga te dyja palët, ndonëse në të kundërtat e tyre, bëhet gradualisht e rastësia kthehet në tjetërsimin e një jete të vendosur nëpër kallëpet e formalitetit. Dhe, çifti i këndshëm i fillimit, do të mbetet po kaq i këndshëm edhe kur “petët e lakrorit” janë hequr që të gjitha, sepse loja e tyre skenike është e beftë dhe e vërtetë.

Të gëzon fakti, që një aktor si Romir Zalla, që dikur ka qënë pjesë i një spektakli me emrin “Portokalli”, ku edhe pse lozin aktore te mire, shpesh zotron përqeshja e jo interpretimi jetësor dhe ku banaliteti, jo pak herë është pa doganë, në kërkimin e një humori shterp, ndërkohë që më shumë qeshin ata që lozin(!), tashmë është në seriozitetin e një aktrimi të vërtetë. Një aktore e tretë këtu, me emrin Vilma Hodo, bën surprizën e rradhës. Ajo loz sekretaren, njëfarë fotokopjuse e kendshme, e cila edhe pse në dukje i jep personazhit te vet pamjen e një prostitute, ka një lojë elegante, të mençur e me një vërtetësi të dyanëshme, brenda e jashtë të njëjtit rol, ku zotëron finesa e jo banaliteti i shtirjes së jashtme e i dukjes sensuale.

 Oh! Kemi kaq shumë nevojë të qeshim, saqë ngazëllehemi kur komedia ngjitet në skenë, për të na i larguar sado pak streset që vijnë nga jeta jonë e politizuar skajshëm e pa shumë frymëmarrje..


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Velipoja plazhi më i populluar në vend! Java e parë e gushtit shënon fluksin më të lartë të sezonit

Velipoja plazhi më i populluar në vend! Java e parë e gushtit shënon fluksin më të lartë të sezonit