Sot, edhe pse vitet bëjnë përpara, dëshirat, ëndrrat, pikat e referimit të metropolit tonë të dashur janë modifikuar shumë, pa arritur ende finesën dhe avangardën, të denja për një kryeqytet në portat e Europës nënë.
Eshtë e vërtetë që politika ka ndërtuar e shkatërruar formën tamam si vëllezërit në legjendën e Rozafës kalanë, dhe pa formën e duhur përmbajtja lodhet e stërmundohet të qëndrojë, por ama, u bënë shumë, 25 vite e në vend që gjërat të ishin gati për një qytetari e europianizim, duket se do të duhen 25 vite të tjera për ta arritur këtë.
Për një koinçidencë të papërsëritshmë historike: SHBA, BE në një zë e të vendosur për integrimin tonë, dhe fryma moderne dhe properëndimore shtetformuese si në Qeverinë qendrore, ashtu dhe në atë vendore, - duam s’duam, - do të realizojnë më në fund një formë ashtu siç e meritojmë, por a jemi të gatshëm ta mbushim me përmbajtjen e duhur?
Edhe këtë 2017 shoh të strukur e me kokë të ulur njerëz që peshojnë, ndërkohë që vazhdojnë të krekosen si palloi me bishtin e tij, njerëzit bosh. Thjeshtë puthadorë të cilësdo parti e qeveri e grumbullues të mirash personale në dëm të të përgjithshmes si shoqëri, mbulues të vërtetash e manipulues faktesh. Provincialë, të cilët atë valixhen simbolike prej dërrase e kanë përherë bosh, vazhdojnë të kenë imunitete politike dhe ekonomike të pashpjegueshme në rrugëtimin që detyrimisht do të bëjmë.
Një shtet, nëse të tillë më në fund një do të ndërtojmë, i ka të gjitha mjetet të kalojë në sitë në të gjitha nivelet hileqarët që marrin parà publike dhe me ato para asgjë ose fare pak bëjnë, siç i kemi parë në gjithë këto vite. Mjaft më me zonjat e peliçeve, çantave, makinave, të parave që vijnë si nga punë të pakryera për komunitetin, ashtu dhe nga trafiqe që ende, në sy të të gjithëve vazhdojnë. Tirana nuk mund t’iu ndënshtrohet ceremonive, jetesës kitsch të këtyre individëve që duket se me dinakërinë e babëzinë materiale rehatshëm mbijetojnë.
Jemi një vend i vogël, kaq i bukur, me Tiranën metropol gjithnjë nën shënjestrën e zhvatjes së provincialëve valixhedërrasebosh që sot i gjejmë kudo e kurdo. Sot, tani, dhe vetëm tani e kemi një shans: Të vëmë në piedestal qytetarët e punëve të mira, cilësore e të ndershme, e të kthejmë aty ku e meritojnë katundarët në mendime e punë, që Tiranës i kanë hequr shkëlqimin si metropol.