TIRANË- Në GJKKO mbahet sot në orën 13:00 seanca e radhës për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, me të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin Jamarbër Malltezi dhe 3 të tjerë. GJKKO ka nisur me marrjen e dëshmive të kërkuara nga SPAK.
Në seancën e 30 prillit, dëshmoi për herë të parë në cilësinë e kallëzuesit deputeti socialist Taulant Balla, ndërsa sot seanca do të vijojë me thirrjen e 7 dëshmitarëve të tjerë, ish-drejtues të kompleksit Partizani
Ish presidentët e Partizanit Albert Xhani dhe Paro Laçi dhe ish drejtorët Bujar Labinoti, Afrim Tole, Isa Tare pritet të dëshmojnë mbi procedurat që u ndoqën për t’i marrë atyre pronën ku vazhdonin aktivitetin sportiv.
Në dosje e SPAK thuhet se ish-drejtorit të viteve 1995-2005, Isa Tare ka dëshmuar se atij iu premtua një apartament që të mos kundërshtonte privatizimin. Po në SPAK edhe ish Presidenti Paro Laçi ka thënë se i është ofruar një pazar nga njerëzit e Berishës për të liruar ambientet e klubit. Ndërsa Afrim Tole, drejtor i Klubit Shumësportesh Partizani, në vitet 2006-2008 ka bërë para hetuesve të SPAK një pasqyrë të të gjitha pronave që “de facto” dhe “de jure” posedonte klubi.
Dy dëshmitarët e tjerë që ka thirrur SPAK janë edhe Dhurata Çela dhe Petrit Kullolli. E para ish drejtoreshë e Agjencisë së Pronave për Tiranën dhe i dyti topograf, në grupin e atyre që shqyrtuan dosjen e “Partizanit”. Sipas SPAK, dosja e ish-kompleksit Partizani, ishte nga të parat që u shqyrtua nga agjencia e Pronave, ndërsa një dëshmi në prokurori e ish drejtorësh se përgjithshme të Pronave Justina Boriçi konfirmon se Dhurata Çelën e kishte emëruar me rekomandim nga lart.
Ndërkohë GJKKO ka pranuar edhe kërkesën e mbrojtjes së Berishës dhe Malltezit për të thërritur si dëshmitar dhe kryeministrin Edi Rama. Ky i fundit pritet të dëshmojë në cilësinë e kryebashkiakut të Tiranës, i cili sipas tyre ka firmosur ndryshimin e destinacionit të truallit të ish kompleksit Partizani, nga terren sportiv për ndërtim, në kohën kur ka qenë kryetar.
Lexo këtu investigimet e plota të Report Tv dhe Shqiptarja.com për privatizimin e 'Kompleksit Partizani' nga 'klani Berisha'
INVESTIGIMI I
INVESTIGIMI II
INVESTIGIMI III
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










