Në Panairin "International Textile: Fashion Fason Expo" diskutohen politikat dhe strategjitë e zhvillimit të industrisë fason
TIRANË, 5 Qershor /ATSH-E.Xhajanka/- Në ditën e dytë të Panairit "International Textile: Fashion Fason Expo", që është çelur në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, AIDA, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Eksporteve, Dhoma Kombëtare e prodhuesve të veshjeve dhe këpucëve, me mbështetjen e organizatorëve Klik Ekspo Group, zhvilluan një tryezë të rrumbullakët diskutimi me temë: "Paketa fiskale 2016, për industrinë fason, vizion dhe prespektivë zhvillimi".
Ergest Lekëdushi, përfaqësuesi i AIDA-s, në fjalën e tij theksoi se, politikat e qeverisë synojnë mbështetjen dhe lehtësimin e klimës së biznesit. Sipas tij, përsa i përket rimbursimit të TVSH-së për vitin 2014-2015 për këtë industri nga 17.4 mld lekë të parashikuara, janë rimbursuar 17 mld lekë dhe kanë përfituar 400 kompani. Ndërsa pritet që deri në fund të qershorit të shlyhen edhe 16 mld lekë të parashikuara për këtë vit.
"Është shumë e rëndësishme u shpreh ai, që të gjithë aktorët e linjës që kontribuojnë në këtë industri, të bashkëpunojnë me AIDA-n, për të promovuar markën Made in Albania. Përmes një fondi special, Agjencia mbështet pjesëmarrjen në panairet ndërkombëtare, duke promovuar biznesin shqiptar në tregjet e huaja dhe duke nxitur eksportet Made in Albania".
Nga ana e tyre, bizneset që punojnë me material porositës, i kërkojnë qeverisë uljen e disa taksave që rrisin koston e prodhimit, duke ulur konkurueshmërinë e sektorit në rajon.
Përmes një drafti me 6 pika për paketën e re fiskale, që shoqëron buxhetin e 2016-s, përfaqësues të fasonëve kërkojnë heqjen e tatim-fitimit, për rastet kur ai shkon për riinvestim në teknologji.
"Tatim-fitimi që tashmë është 15 për qind, nëse do të investohet nga ky sektor në pajisje dhe teknologji, atëherë do të jetë zero. Pikërisht kjo pjesë që tatohet të shkojë në rinovim teknologjie, e cila rrit në një shkallë më të lartë kualitetin e produktit", tha Arben Peci, president i Dhomës Kombëtare të Veshjeve.
Kërkesë tjetër e biznesit është rimbursimi i TVSH-së korrente dhe asaj të prapambetur brenda afateve ligjore.
Panari po vizitohet dhe po ngjall interesin jo vetëm të një audience të specializuar të fushës por, edhe nga grupe turistësh që vizitojnë kyeqytetin. Ata drejtohen në ambientet e Muzeut Historik, ku sharmi dhe ngjyrat e modës fason tërheqin vëmendjen e gjithkujt që përshkon rrugën në sheshin "Skënderbej". Panairi do të qëndrojë i hapur deri të shtunën më 6 qershor.
Ai u çel të enjten në mbrëmje, nën ritmin e dancing modern, sfilatës elegante dhe fishekzjarreve shumëngjyrëshe.
Kjo veprimtari zhvillohet për herë të parë në vendin tonë me kërkesë të UFI, Organizatës Botërore të Panaireve, anëtare e të cilit është edhe kompania shqiptare Klik Ekspo Group, organizatore e këtij panairi. Suksesi dhe sjellja e tij, në vendin tonë pritet ta kthejë Panairin "International Textile: Fashion Fason Expo" në një event tradicional në përgjigje të kërkesave të tregut, biznesit dhe eksportit./m.m/










