Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.“XIXËLLONJA FEST” NDEZ BERATIN. MUZIKË DHE TRADITË

Më 19 dhe 20 qershor, Berati mirëpret “Xixëllonja Fest”, një aktivitet që bashkon muzikën, artin e traditën. Në skenë do të ngjiten Eranda Libohova, Era Rusi, Ylli Baka, Lorenc Hasrama, Eneda Tarifa dhe Spaska Band. Vizitorët do të mund të shijojnë edhe kinemanë verore nën qiell të hapur dhe një panair artizanal.

2. “SPIRIT OF BALKAN”, DY DITË FESTË E GRUPE ARTISTIKE NË KORÇË

Korça do të bëhet qendra e kulturës ballkanike më 19 dhe 20 qershor me festivalin “Spirit of Balkan”. Për dy ditë, grupe artistike nga vende të ndryshme të rajonit do të sjellin muzikë, valle dhe tradita popullore, duke krijuar një atmosferë festive.

3.NOSTALGJIA E VITEVE ’80, SHFAQJE NË AMFITEATRIN E DURRËSIT

“Ari’s Angels” rikthehet me edicionin “80’s Edition”, një spektakël që sjell në skenë magjinë e viteve tetëdhjetë. Shfaqja do të mbahet nesër në orën 19:00 në Amfiteatrin e Durrësit, duke premtuar emocione, energji dhe ritmet që kanë lënë gjurmë në histori.

4. “BEETHOVEN TIRANA”, UDHËTIMI MUZIKOR ME ORKESTRËN E RTSH

Orkestra Simfonike e RTSH-së, nën drejtimin e dirigjentit Facundo Agudin, do të ngjitet në skenë më 19 qershor në sallën e Universitetit të Arteve. Publiku do të ketë mundësi të dëgjojë Koncertin për Piano nr. 1 në Do Maxhor, Op.15 dhe Simfoninë nr. 8 në Fa Maxhor, Op.93 të Ludëig van Beethoven.

5. AKTIVITETE TE “FESTA E GRURIT”, RIKTHEHET TRADITA NË APOLONI

Parku Arkeologjik i Apolonisë do të mirëpresë më 19 qershor edicionin e tetë të “Festës së Grurit”. Aktiviteti sjell një kombinim të traditës, gastronomisë dhe kulturës së Myzeqesë, përmes panaireve, guidave turistike, paradave dhe aktiviteteve për të gjitha grupmoshat.

6. KONCERT SIMFONIK NGA ORKESTRA E FORCAVE TË ARMATOSURA

Në sallën “Ferdinand Deda” të Radio Televizionit Shqiptar do të zhvillohet një koncert i veçantë nga Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura, nën dirigjimin e maestro Jean-Michel Ferran. Programi përfshin “Sinfonia Concertante” të Max Bruch, me solistët Anxhelo Xhaja dhe Igli Zeqiri, si dhe Simfoninë nr. 35 “Haffner” të Mozartit dhe një vepër të kompozitorit spanjoll Joaquín Turina.

7. KITARISTI ANIELLO DESIDERIO PËR HERË TË PARË NË TIRANË

Një nga emrat më të njohur të kitarës klasike në botë, Aniello Desiderio, do të performojë për herë të parë në Tiranë në Festivalin Ndërkombëtar të Kitarës në Liceut Artistik “Jordan Misja”. Artisti italian, fitues i 18 çmimeve ndërkombëtare, ka interpretuar në skena prestigjioze si Carnegie Hall e Berlin Philharmonie

8. “KUR TAKOHEN TRADITAT”, KONCERT NË MUZEUN ETNOGRAFIK

Një mbrëmje e veçantë ku eleganca e operës botërore takohet me shpirtin e këngës shqiptare do të vijë në koncertin “Kur takohen traditat” në Muzeun Etnografik të Elbasanit, sot në orën 20:00 me sopranon Alisa Katroshi dhe pianistin Ardit Serica.