TIRANE-Viktor Marku, i dyshuari kryesor i drejtësisë shqiptare për vrasjen e Hekuran Billës në datë 11 qershor u arrestua në Mal të Zi dhe pasditen e sotme iu dorëzua policisë shqiptare në pikën kufitare të Hanit të Hotit. Vëllai i Prel Markut u shpall në kërkim ndërkombëtar nga Shqipëria për vrasjen, ndërsa policia malazeze e prangosi 8 ditë më pas. Në Mal të Zi, Viktor Marku hyri ilegalisht dhe tentoi që të largohet që andej me identitet tjetër, por u prangosu. 

Një ditë pas ngjarjes policia i shkoi në shtëpi për ta marrë në pyetje, pasi pista kryesore ishte ajo e hakmarrjes, duke qenë se Billa në vitin 2006 kishte vrarë në Angli pikërisht vëllanë e Viktor Markut, Prel Markun. Pasi nuk e gjeti në banesë, policia e shpalli në kërkim, ndërsa u arrestua në Mal të Zi dhe sot iu dorëzua policisë shqiptare. Viktor Marku u arrestua një ditë pas nipit të tij në Tiranë, që akuzohet si bashkëpunëtor në vrasje. Policia e Shtetit deklaron se vijon puna intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë vrasje.

1592581760_1592039475billamarku.jpg

Hekuran Billa dhe Prel Marku

Por si u vra Hekuran Billa?
Arrestimi i nipit të Viktor Markut, Sebastian Malit një ditë më parë dhe zbulimi i një videoje hodhën dritë më shumë nga dosja e prokurorisë mbi ngjarjen e rëndë që tronditi Tiranën javën e kaluar. Sebastian Mali u arrestua si bashkëpunëtor në vrasjen e Hekuran Billës. Por si u identifikuan? Report Tv siguroi një video të dinamikës së ngjarjes, ku Sebastian Mali vëzhgoi lëvizjet e shënjestrës.

Në video duket momenti kur në orën 21:43:30 sekonda të mbrëmjes së 11 qershorit, në kryqëzim e rrugës që të çon te qendra tregtare Kristal te Komuna e Parisit ndalon një makinë mbi vijat e bardha. Rreth 17 sekonda pasi ndaloi, në kryqëzimin që të çon te qendra tregtare futet BMW X6 e bardhë me timon dhe targa angleze 'SS777 OHO' që drejtohej nga Hekuran Billa. Pikërisht në këtë moment, pasi Billa u fut, Mali akuzohet se lajmëroi atentatorët mbi lëvizjet që disa metra më tutje në 21:45 minuta e qëlluan me breshëri me silenciator duke e ekzekutuar në vend. Por detyra e Malit nuk mbaroi me kaq.

Sebastian Mali pasi sinjalizoi atentatorët u largua me shpejtësi në drejtim të Pezës për të plotësuar pjesën e dytë të planit. 22-vjeçari mendohet se është personi që mori atentatorët nga Peza ku dogjën makinën që përdorën për të kryer krimin tip Benz me portobagazh. Qelizat telefonike, kamerat e sigurisë, por edhe dëshmitë kontradiktore bënë që policia ta arrestonte të riun, që akuzohet pjesë e grupit të vrasjes për t'u hakmarrë për vrasjen e dajës.

Report Tv zbardhi dëshminë e Malit para grupit hetimor që mohoi akuzat. Përpara grupit hetimor ai ka deklaruar se ka qenë duke kaluar në zonë për qejf por jo për të marrë pjesë në atentatin ndaj 40-vjeçarit. Një ditë më pas, pra sot u arrestua edhe daja i të riut.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:17
U arrestua në Mal të Zi, Viktor Marku sillet në Policinë e Tiranës

Pasi u arrestua në Mal të Zi dhe iu dorëzua autoriteteve shqiptare në Han të Hotit, Viktor Marku, ka mbërritur në Policinë e Tiranës. Pas procedurave policore, Marku pritet të dalë për masë sigurie. Ai u arrestua nga autoritetet malazeze 8 ditë më parë.