At Kolë Berishaj, Etnologu që ruajti 
traditën e kulturën tonë në Mal të Zi

At Kolë Berishaj, Etnologu që ruajti <br />traditën e kulturën tonë në Mal të Zi
Trojeve tona kombëtare dhe etnike nuk i kanë munguar kurrë figurat historike dhe atdhetare që kanë dhënë kontribut të paçmuar në vendosjen e fateve historike të atdheut. Figura të tilla duhet të shkëlqejnë duke i zbuluar nga pluhuri i harresës jetën dhe veprimtarinë e tyre në shërbim të atdheut, kombit dhe lirisë.

Një nga këto figura, nga më të shquarat të katolicizmës dhe kulturës shqiptare ka qenë edhe mbetet Patër Kolë Berishaj, biri i dashur i Hotit dhe Grudës që nuk kurseu asgjë për zhvillimin fetar dhe etnokulturorë të vendlindjes së tij dhe krahinave ku shërben si famullitar – ëngjëll i dërguar nga Zoti. I lindur më 28 Nëntor të vitit 1916 në fshatin Priftën të Grudës në Malsinë e Madhe, në ato vite të vështira të Shpalljes së Pavarësisë, u rrit dhe u edukua në frymën e lartë të patriotizmës dhe atdhetarisë, për forcimin e së cilës do të luftonte deri në momëntet e fundit të jetës.

Kur ishte ende i vogël, familja e tij vendoset në fshatin Velipojë, për arsye ekonomike. Kjo levizje qe fatlume për të dhe familjen e tij, pasi këtu kushtet qenë më të favorshme për të jetuar. Djali ishte edukuar me norma të rrepta familjare dhe shoqërore, prandaj të ndjekë shembullin e të jatit, sepse Prekë Gila, babai i Pjetër Kolës njihej si burrë i zgjuar dhe punëtor, patriot i vërtetë pasi mori pjesë edhe në luftën e Deçiqit, bashkë me shumë luftëtarë nga Gurda.

Për shumë vite qe edhe ndihmës i mështarit të fshatit duke treguar kështu besimin dhe devocionin ndaj Zotit. Edhe pasi u vendos në Velipojë, familja e Prekë Gilës ruajti traditat e vendlindjes. Punonte dhe jetonte, shkonte në kishë dhe besonte tek Zoti. Asokohe në kishën e Velipojës shërbente një prift gjerman Don Alfons Tracki, i cili më vonë u bë tepër i njohur, për vlerat e tij njerëzore dhe shoqërore.

Don Alfons Tracki ka lindur në qytetin Breslan të Gjermanisë në vitin 1892. Pasi përfundoi studimet e larta në shkencat teologjike dhe shungurohet meshtar, transferohet në Shkodër në vitin 1920. Vendoset në kishëne  Velipojës dhe punon si një misonar i palodhur sidomos në fushën e edukimit dhe të arsimit. E deshi shumë popullin shqiptar sepse qe një martir i vërtetë i fesë katolike në Shqipëri. U ndoq nga sistemi komunist jo vetëm si meshtar, por edhe si prift gjerman. Del në mal për të luftuar kundër sistemit komunist, por kapet nga forcat e Sigurimit të Shtetit dhe e pushkatojnë me 18 qershor 1946 në moshën 44 vjeçare.

Ai kishte hapur në fshatin e Velipojës një shkollë me tri klasë në gjuhën shqipe. Këtë shkollë nisi edhe Kola i vogël në vitin 1927 nën drejtimin dhe edukimin e mësuesit të apasionuar Don Alfons Tracki. Duke qenë një djalosh i vuajtur, Kola u mbush me gëzim dhe shpresë për të ardhmen, të cilën tashmë e shihte me një sy tjetër. Shpejt u dallua si një nxënës i zellshëm, punëtor dhe me edukatë. Shkëlqente në mësime, dallohej për urtësi dhe sakrifikonte për të përvetësuar njohuritë mësimore.

Pasi përfundoi me rezultate të shkëlqyera shkollën fillore, i ndikuar edhe nga tradita familjare, vendos të futet në rrugën e bukur të mështarisë dhe ti përkushtohet përjetësisht rrugës së Zotit, por tashmë jo vetëm si besimtar por edhe si misionar. Për këtë arsye, me ndërhyrje të Don Trackit, vijon studimet në Kolegjin Françeskan në Shkodër. Edhe në këtë shkollë Patër Kola u dallua në mënyrë të veçantë më përgatitje meshtarake duke zbuluar veçori të qenjës dhe të karakterit të tij prej njeriu të përgatitur dhe me kulturë të lartë fetare dhe tradicionale.

Në vitin 1939 ai do të përfundonte gjimnazin “Illiricum” që drejtohej nga etërit françeskanë, për ti hapur rrugë studimeve të mëtejshme në degën e Teologjisë. Kështu, etërit françeskanë vendosin ta dërgojnë në Siena të Italisë për të vijuar studimet e larta në fushën e filozofisë dhe të teologjisë. Gjatë periudhës së studimeve në vendlindjen e tij ndodhën ngjarje të dhimbshme. Shqipëria ishte përfshirë nga flakët e Luftës së Dytë Botërore, e kjo ndikoi shumë edhe tek student ii ri shqiptar, i cili po studionte, mendonte dhe punonte për fatet e kombit të tij të pushtuar nga nazi-fashistët europianë.

Pikërisht në këtë mjedis të trishtuar lufte dhe pasigurie Don Kolë Berisha përfundon studimet në Siena dhe në vitin 1942 shungurohet mështar nën urdhërin Françeskan duke u bërë një nxënës i përvuajtur i Krishtit dhe një luftëtar i pakompromis për çeshtjen shqiptare. Pas kthimit në atdhe, shkon në famullinë e fshatit të tij të lindjes në Grudë dhe në vitin 1943 jep meshën e parë.

I pranishëm në ceremoninë e shungurimit ishte edhe i famshmi Patër Anton Harapi i cili e vlerësoi mjaft zellin dhe devotshmërinë e priftit të ri, i cili sapo kishte nisur rrugën e Krishtit për të predikuar tek njerëzit paqe, besim dhe vlera njerëzore. Po këtë vit, emërohet në detyrën e profesorit në Kolegjin Françeskan, ku dallohet si një mësimdhënës i talentuar dhe njeri me aftësi të veçanta pedagogjike. Për këtë arsye, për pak kohë e shohim edhe në detyrën e nëndrejtorit të shkollës fillore françeskane në qytetin e Shkodrës.

Në vitin 1943, Provinciali i Urdhërit Françëskan, Patër Anton Harapi, e cakton famullitar në fshatin Toplonë, një fshat malor tepër i vështirë, i banuar nga malësoprë të vuajtur, port ë pasur shpirtërisht. Në këtë fshat qëndroi rreth dy vjet, por punoi me përkushtim për rindërtimin e famullisë, kthimin e besimit tek Zoti dhe shtimin e besimtarëve në ceremonitë fetare.

Jo rralë Patër Kola ndihmoi edhe familjet e varfëra fshatare që vuanin për bukën e gojës. Ishin vite lufte, vite të vështira për popullin tonë. Gjendja e popullit, situate politike dhe ekonomike e bënin priftin e ri të vuante shpirtërisht, por vullneti i tij i hekurt për të kryer me durim misionin e tij të shenjtë i jepnin shpresë dhe siguri në vetvete për të kapërcyer vështirësitë.

Fill pas çlirimit, në shqipëri nisi instalimi i diktaturës komuniste, njëkohësisht edhe eleminimi i shumë intelektualëve shqiptarë në Kosovë dhe Malësi të Madhe nga qarqet shoviniste serbo-malazeze. Një fat të tillë pati edhe Atë Zef Tagaj famullitar i trobqinit në bajrakun e Hotit. Atë Zefi ishte një figurë e spikatur fetarë, një person aktiv që synonte të zhvillonte jetën kultuore, shoqërore madje edhe atë patriotike, një njeri që për çeshtje të atdheut nginte në këmbë gjithë bajrakun e Hotit.

Shovinistët e ndjenë rrezikshmërinë e tij, prandaj një ditë pranvere të vitit 1945, dora e zezë e agjentëve të UDB, e vrasin pa mëshirë njeriun e perëdnisë, njëriun e së ardhmes. Pas vrasjes së Atë Zef Tagajt, me urdhër të arqipeshkvit të Tivarit Nikolla Dobre, Patër Kolë Berisha emëerohet famullitar i Troboinit në rethinën e Hotit, me 10 prill 1945. Edhë në këtë famulli ai iu përkushtua për të zbutur ndopak zemërimin dhe vuajtjet e malësorëve patriotë të këtyre anëve.

Ai ishte kurdoherë mes tyre si meshtar, si mësues, si udhëheqës, si kryengritës, si misonar pajtimi, ai ishte gjithmonë në krye të veprimtarive më të vështira, në gëzime dhe hidhërime, në kuvende dhe tubime duke përçuar gjithmonë fjalën e Zotit, duke predikuar besën, trimërinë, bujarinë, paqen.

Ai gjendej kudo, me pleq dhe të rinj, me fëmijë dhe gra, në dasma e hidhërime, në kuvende dhe takime, për të njohur më mirë gjendjen, problemet dhe shqetësimet e famullisë. Me të rinjtë thurte ëndërra për të ardhmen, fëmijët i orientonte nga besimi tek Zoti, me pleqtë jetonte të shkuarën dhe mblidhte nektarin e traditës popullore, ndërsa të rejat i orientonte me besim tek e ardhmja.

Si njeri me peshë dhe burrë me za në bajrakun e Hotit, Patër Kola shoi dhe pajtoi shumë konflikte, shpëtoi shumë jetë nga gjakmarrja duke aspiruar për unitet, bashkëpunim dhe bashkëekzistencë shoqërore. Fjala e tij ishte ligj për malësorin hotjan, vepra e tij kishte vlerë, dhe besimtarët e donin dhe e respektonin si njeriun e tyre.

Kudo ku shërben, ku punoi e shoqëruan fletoret e shënimeve, laps ii tij i mprehur, çanta me libra. E në biseda të zakonshme, ai depërtonte natyrshëm në vlerat etno-kulturore të hotjanit duke synuar të nxjerrë vlerat më të çmuara të qënësisë së këtij kombi, cilësitë më të veçanta atdhetare dhe patriotike të këtyre njerëzve si besa, trimëria, bujaria, mençuria dhe ndjenja atdhetare.

Pasi shërben me përkushtim për 30 vjet në famullinë e Hotit, në vitin 1973, transferohet në famullinë e Gucisë ku shërben për rreth 6 vjet derisa doli në pension në moshën 63 vjeçare. Edhe në këtë trevë, puna e tij shkëlqen dhe mbetet shembull i paharruar frymëzimi tek besimtarët.

Ai vuante shpirtërisht sepse po e kuptonte situatën politike, poi  kuptonte misionet që i kishin vënë vetes Partia Komunsite e Shqipërisë dhe ajo jugosllave, por ishte i pafuqishme për të ndryshuar gjendjen, prandaj arma e tij ishte fjala, e këtë nuk e pati kursyer kurrë deri në çastet e fundit të jetës. Vdiq me 28 Maj 1993, nga një sëmundje e rëndë, në moshën 77 vjeçare duke lënë prapa një emër të madh dhe të paharruar, si dhe një vepër me vlera të papërsëritshme që do të kujtohet ndër breza.
                                                                               * * *
Për 37 vjet me radhë, nga viti 1942 deri më 1979, Patër Kolë Berishaj shërbeu në Malësinë e Madhe, mes malësorëve, krah tyre duke udhëtuar me ta, biseduar me tad he duke vlerësuar tiparet e tyre tradicionale dhe shekullore. Hoti, Gruda dhe Gucia u bënë vatra e tij e qëndrimit, e predikimit, kremtimit të eventeve meshtrake, por edhe e shpërthimit të një gurre të paçmuar të thesarit popullor të cilin goja dhe mendja e Patër Kolës do ta mblidhnin dhe dora e artë e tij do të shkruante për t’ua lënë trashëgim brezave të ardhshme.

Sot, lexuesi ynë ka nëpër duar një thesar të pazëvendësueshëm të kulturës sonë, një vepër dinjitoze që vetëm një njeri me kulturë të gjërë dhe dije shkencore si pater Kola mund ta realizonte. Kanë qenë misionarët e fesë që kanë mbledhur visarin tonë kombëtarë, vlerat dokumentare dhe gojore të etnosit tonë kombëtar dhe na i kanë lënë trashëgim duke hedhur dritë shpesh edhe mbi etnogjenezën e formimit të kombit tonë.

Mjafton të përmendim këtu punën plot pasion të Atë Vincens Prenushit, Atë Shtjefën Gjeçovit, Patër Donat Kurtit, Atë Marin Sirdanit, Don Nikollë Kaçorrit, Don Frano Illisë etj, që krahas misionit fetar pasqyron vlerat më të spikatura kulturore dhe shpirtërore të popujve të krahinave të ndryshme sidomos në Shqipëerinë e Veriut.

Këtë mission e kreu më së miri dhe Atë Kolë Berishaj i cili shkëlqen jo vetëm si meshtar, por edhe si etnograf, folklorist, shkrimtar, etj. Vepra e tij “Sofrat në Malësinë e Madhe”, “Urti popullore”, “Malësia e Madhe – etnografi”, “Nder e burrni ndër mallet tona”, “Rrjedhë shprehjesh popullore në kallxime”, “Kajde e dyzene”, do të mbeten në thesarin e pazëvendësueshëm  të fjalës së rrallë të mendimit të çmuar dhe fondin e artë të kulturës sonë popullore.

     Vepra e tij është mishërim i zakoneve dhe traditave malësore të trashëguara ndër mote. Është një “rregullore” e brendhsme familjare, fisnore që zbatohej në heshtje dhe rrezatonte vlera të padiskutueshme të traditës sonë. Sofra si symbol i bujarisë dhe mikpritjes, sinonim i thënies së famshme “bukë e kripë e zemër”, por kur përmendej në ata anë fjala “sofër” dukej sikur mbi të shtroheshin gjithë të mirat e kësaj bote, e vetëm Patër Kola shtronte sofra të tilla të begata dhe mjaft bujare.

E sofra malësore shoqërohet me zakone, zakonet në malësi janë të shumta, janë të domosdoshme, ata rregullojnë jetën shoqërore, marrëdhëniet mes individëve. Ai ishte një hulumtues i thellë, i vëmendshëm, kurajoz, prandaj vepra e tij arrin në 15 volume. Nga dora e tij është shkruar bukur edhe me shije çdo fjalë, shprehje, mendim, urim, mallkim, sentencë etj, që është thënë apo treguar nga burrat e moçëm të malësisë, dy prej të cilëve na i prezanton edhe neve si lekë Shabe Ceka dhe Tom Nikë Gojcaj nga të cilët ndodhi pjesën më të madhe të këtij thesari të artë popullor.

Një vend të veçantë në veprën etnokulturore të Atë Kolë Berishajt zënë edhe ritet. Ritet në një farë mënyre ishin norma zakonore, unike, që duheshin zbatuar ndër familjet malësore. Ata shërbenin si rregullator sidomos në festa e gëzime, në dasma e hidhërime. Për këtë arsye ata i tërhoqën vëmendjen studiuesit të apasionuar dhe a ii pasqyroi me besnikëri për ti transmetuar brez pas brezi.

Ata marrin sot një rëndësi të veçantë, në kushtet e hyrjes së normave të reja, ku ritet po zbatohen gjithnjë e më rrallë. Këto rite nisin nga fejesa, deri sa përfundon dasma, të gjitha të ilustruara edhe me vargje popullore. Janë rite të veçanta që Patër Kola i ka ndeshur vetëm në krahinat ku ka shërbyer, duke na treguar se në vendin tonë sejcila krahinë ka ritet dhe zakonet e veta, ka veçoritë e saja të të jetuarit, fjalët e urta, proverbat si dhe vlerat kulturore dhe shpirtërore.

Malësia e Madhe është treva kreshnike ku është mbledhur thesari më i madh kulturor “Cikli i kreshnikëve”, aq i njohur në vendin tonë dhe më gjërë, pot ë tërheq vëmendjen tek vol. IV, një cikël këngësh patriotike të mbledhura nga dora e tij, ku protagonistët dhe heronjtë e këtyre këngëve janë personazhe historike që kanë vepruar dhe luftuar në Hot e Grudë. Përmes disa këngëve dalin qartas në pah, vlerat e shembujve të burrërisë, nderit, mikpritjes për të ruajtur me fanatizëm traditat e të parëve tanë, në këngë të tjera sintetizohet kulti i fjalës së dhënë, mikëpritja, bujaria sidomos tek kënga “Trimëria dhe burrërija e shaljanit”.

Një vend të veçantë në këta këngë, të panjohura më parë, zë edhe fenomeni i pajtimit të gjaçeve, për të cilin Atë Kola punoi shumë. Madje edhe në veprën e tij një hapësirë të konsiderueshme këtyre këngëve si “Kolë Zefi i Grudës”, “Tom Zali i Grudës”, ose “Nji nanë burrneshë shqiptare”, duke dhënë idenë se logjika e pjekur e malësorit shpesh e ka kapërcyer hakmarrjen dhe ka aspiruar për pajtim, për unitet, për jetë.

E ndërsa tek vëllimi në vijim autori ndalet tek vlerat e fjalëve dhe shprehjeve popullore në zonat ku ka jetuar dhe punuar, duke fiksuar në memorje fjalë dhe shprehje popullore zakone, bestytni, rite, proverba, biseda, veshje, kostume popullore, mjete armatimi etj. Këta ngjarje nuk tregohen thjeshtë, por duke sintetizuar një mësim, nje moral, një vlerë shqiptare.

        I një linje përvijohet edhe volume VI “Kajde e dyzenë” përmes të cilit pasqyrohet mençuria popullore e burrave të shquar të Hotit e Grudës si plaku 115 vjeçar Uc Tom Gjolaj, Pashka Deda, Pok Smajli ose Fran Mirashi, të cilët përmes tregimeve sarkastike godasin fenomene negative ose stimulojnë fenomene positive që influencojnë në jetën shoqërore të malësorit. Për artin e të ndërtuarit, strukturën e hartimit apo mënyrën fine të të treguarit flet vetë vepra.

Atë Kolë Berisha mbetet shembull i ndërtimit artistik të tregimeve gojore popullore, mjeshtër i përdorimit të figurave letrare si metafora, krahasimi, hipërbola, epiteti e deri tek metonimia. Kjo vepër është një manual me vlera të pazëvedësueshme në trashëgiminë tonë kulturore, prandaj është vlerësuar shumë edhe ngta shtypi i kohës, paçka se Atë Kola nuk e pa dritën e botimit të veprës së tij. Për veprën e tij Prof. Nol Berisha ka thënë: “…

Ky famullitar vite me radhë në shumë katunde të Malësisë së Madhe mblodhi të dhëna e brumë të ndryshëm prej krijimtarisë shpirtërore lëndore të shqiptarëve të kësaj treve të kultivuara dhe trashëguara shekuj me radhë, këngë të llojeve të ndryshme, fjalë të urta, urime e mallkime, krijime në prozë, bestytni, pastaj të dhëna etnografike për doke e zakone. Këta ai i ngre nga subjekte e informatorë të zgjedhur në mjedise tipike, ku trashëgimia shpirtërore është ruajtur në formën e vet burimore e autoktone…”.

Ndërsa gazetari i njohur Hamit Boriçi e vlerëson: “Ndjekës i mirë i botës malësore, sat ë ashpër aq edhe të ndjeshëm e delicate, autori e kishte më të lehtë se specialistët etnografikë e folkloristë, gjuhëtarë e historianë të gërmojnë e të zbulojnë në atë truall të begatë trashëgimi të pamatë në lëmin e kulturës shpirtërore e lëndore. Në këtë vështrim sillet informacion i pasur me shumë interes për kulturëne traditat kombëtare…”.

Tonin Çobani studiues, thekson:“Dialogët, përshëndetjet, urimet, përgjigjet, romuzet dhe vargjet janë transkriptuar drejtpërdrejt nga goja e popullit, ç’ka përbejnë një pasuri të veçantë gjuhësore dhe dëshmojnë vlerat autentike të librit…”, dhe prof. Lulash Palushaj shkruan: “…Padër Kolë Berishaj lexonte shumë dhe kishte një kulturë të gjërë e të përgjithshme.

Në shkrimet e tij, kryesisht me tematika nga Malësia e Madhe ai u ka kënduar traditave dhe burrnisë të atyre trojeve kreshnike të Shqipërisë…për Padër Kolën, ishte trualli më i pastër me një histori të pavdekshme përsa i përket ruajtjes së nderit e të burrënisë, urtisë e besës, festive e riteve fetare e të tjera…”Prof. Afërdita Onuzi shkruan: “…Si studiuese e trashëgimisë kulturore shqiptare me bindje them se është i mjaftueshëm edhe ky vëllim për të kuptuar vlerat e Atë Kolë Berishës si një nga mbledhësit dhe studiuesit, seriozë të kulturës popullore, veçanërisht të zonës së Malësisë së Madhe.

Nuhatja e tij prej studiuesi në këtë punim është e admirueshme…”, ndërsa krijuesi dhe gazetari Gjovalin Gjeloshi, i cili ka iniciuar edhe botimin e plotë të veprës së Atë Kolë Berishës në vitin 2013, vë re se: “…Merita e autorit është se ai nuk ka treguar thjesht, zakonshëm e në mënyrë të rëndomtë për të shkuar tek shprehja përkatëse, por te ajo se çdo rrjesht në këta tregime të thotë diçka…”Kështu duhen kujtuar figurat e shquara të Kombit, ata që i dhanë jetë qenjes sonë, truallit tonë.
Ata që shkrinë jetën e tyre për kulturën, traditën, trojet dhe ekzistencën e këtij kombi.

kole berishaj



























Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 1 shkurt 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Retrospektivë/ Si votoi Himara në 1945? Afrim Krasniqi publikon dokumentin

Retrospektivë/ Si votoi Himara në 1945? Afrim Krasniqi publikon dokumentin