Është për t’u habitur se si disa shqiptarë vazhdojnë të bëjnë akrobatët duke dhënë spektakël në sy të të gjithëve se si e sfidojnë drejtësinë e re. Nuk është as një, as dy, por janë një grup i tërë politikanësh që në mënyrën më qesharake refuzojnë fletthirrjet për t’u paraqitur e për të thënë versionin e tyre të fakteve.

Duket sikur Drejtësia e re po i privilegjon, po u lë kohë, po bën sikur ata vërtetë nuk marrin fletthirrjet. Në një farë mënyrë, po i lë të japin spaktaklin e tyre të fundit para se të japin llogari për ngjarjet më të rënda që kanë ndodhur në Shqipëri që pas hapjes së viteve ’90. Ngjarje ku humbën jetë njerëz totalisht të pafajshëm.

Si në një rodeo alla shqiptare, që kërkon të zërë me lak përgjegjësit dhe shkaktarët e 21 janarit, drejtësia e re ka në dorë sot jo vetëm atë që ndodhi me 21 janar në sy të gjithë telekamerave, por edhe e gjithë ajo që ndodhi përreth secilës ngjarje, secilës viktimë, secilit të plagosur në ditët që do të vinin më pas.  Sepse asgjë nuk mbaroi atë 21 janar. E gjithë puna e pisët nisi pikërisht pas 21 janarit. E gjithë puna e një shteti të inkriminuar, të kalbur, të korruptuar nën dëshirat dhe urdhërat primitive të një individi u bë pas atyre vrasjeve flagrante që të gjithë i pamë të shënuar me rrethin e kuq të studiove televizive dhe të komentuara nga gazetarët tanë.

Kapjet për llogaridhënie për 21 janarin janë ndër më të vështirat, më të lodhshmet dhe më të rëndësishmet për drejtësinë dhe shoqërinë tonë. Por “demat e tërbuar” të politikës së mbrapshtë, në një ditë apo në një ditë tjetër do të bien nën litarin e “kaubojsve” të drejtësisë. Është vetëm cështje kohe për ata.