Avokati Idajet Beqiri, ka deklaruar se SPAK duhet që të dërgojë në gjyq krime të rënda që kanë ndodhur në vend.
I ftuar në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv, Beqiri tha se SPAK duhet të hetojë dhe çojë në gjyq ngjarje të rënda si vrasjet në ‘97, shpërthimin në Gërdec dhe masakrën e 21 janarit, duke theksuar se për këto çështje ende nuk ka drejtësi.
Ai shtoi se personat përgjegjës për këto ngjarje, janë lënë të lirë dhe vazhdojnë të veprojnë akoma pa u ndëshkuar.
‘Ne themi shyqyr që kemi SPAK, po këta i marrin nën hetim dhe më pas i zvarrisin çështjet. Ju shihni me çfarë merret, SPAK po merret me gjëra të vogla. SSPAK duhet që të çojë në gjyq këto krime të mëdha, mbi 3 mijë të vrarë në ‘97, që është krimi më i rëndë. Duhet që të merresh me Gërdecin, pse nuk i çon SPAK në gjyq por merret me vogëlsira. Nuk po merret me 21 janarin, u bë masakër shtetëore, u vranë njerëz.
Këta hedhin molotov. Të hodhi ty ndonjë molotov në 21 janar në drejtim të kryeministrisë si hedh ti shashka, ti e provon edhe vet që je vrasës. SPAK në vend që ti çoj në gjyq, i lë të lirë, ata rrugën e kanë të hapur dhe ata vazhdojnë prap. Edhe pardje ai bëri një ‘21 janar’, tha ai.
Avokati Beqiri u ndal edhe tek numri i lartë i dosjeve të mbetura stok në gjykata. Ai tha se shumë qytetarë vijojnë që të enden nëpër gjykata ndër vite pa marr ende drejtësi, ndërsa theksoi se gjykatat janë futur në kolaps.
‘Nuk po shohim dritë në fund të tunelit. Ata njerëz që kanë probleme me drejtësinë dhe kanë dosje për shqyrtim nuk po gjejnë dot zgjidhje. Sa vjen edhe kjo bëhet edhe më keq seç ka qenë, sepse ne shohim që kanë kaluar vite dhe njerëzit nuk po e marrin dot drejtësinë në këto vite dhe nuk shohim asnjë lloj reflektimi serioz, por vetëm fjalë.
Puna e parë që duhet të bëhet është që të rikualifikohen ata gjyqtarë që janë në sistem, sepse ata po të kualifikohen që të bëhen cilësor në vendimet që japin, mund të japin vendime brenda ditës. Nëse jep esencën në vendimin gjyqësor dhe të bëhesh profesionist s’do ta ngarkosh veten me shumë dosje. Gjykatat janë në kolaps’, tha ai.
Komente











