/ATSH/.- Në prag të sezonit turistik, banorët e zonës së Golemit heqin pengesat prej betoni në rrugë e ambiente publike të ngritura nga subjekte private për t'i shfrytëzuar në interes të tyre këto territore.

Kjo situatë u krijua pas lirimit të territorit nga kioskat dhe rrethimet që ngriheshin më parë në të dhe menjëherë subjektet private kanë nxituar të vendosin blloqe betoni e të mbjellin bimë dekorative, duke bllokuar lëvizjen e banorëve të komunitetit dhe pushuesve.

Me gjithë ndërhyrjen e mëparshme të komunës së Golemit, sërish në rrugë janë vënë pengesat që kanë irrituar banorët, të cilët së bashku me mjetet dhe shërbimet e komunës kanë punuar për kthimin e rrugës dhe sipërfaqes së bllokuar në përdorim të komunitetit dhe të pushuesve të tjerë.

Teksa banorët kanë shkulur e prerë bimët dekorative, fadromat kanë liruar territorin e zënë nga blloqet e betonit.