Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi të shtunën nga qyteti i Durrësit, se askush nuk do ta ndalë uraganin e fitores së shqiptarëve më 21 qershor.
Gjatë një takimi me qytetarët durrsakë, Basha komentoi dhunën e ushtruar ndaj të rinjve demokratë një ditë më parë, të cilën e cilësoi "shenjë dëshpërimi të kundërshtarëve politikë për humbjen plebishitare që i pret më 21 qershor".
"Ky përbashkim i madh i durrsakëve rreth alternativës sonë, rreth ofertës sonë të re, rreth Partisë Demokratike, aleatëve tanë dhe kandidates sonë fituese Grida Duma, ka shkaktuar dëshpërim të thellë tek kundërshtarët tanë politikë. Edhe 51 ditë dhe durrsakët do të çojnë në shtëpi Gjushin pasi nuk ka bërë asgjë për punësimin, s'ka rritur mirëqenien, s'ka bërë as investime", tha Basha, duke komentuar punën e Vangjush Dakos, në krye të bashkisë së Durrësit.
Sipas Bashës, "sulmi i bandave të djeshme mbi fushatën e Partisë Demokratike është mbi të gjitha shenja e frikës së humbjes së pashmangshme të Vangjush Dakos". "Humbja është e pashmangshme sepse durrsakët nuk mund ta pranojnë më të keqen. Kanë vendosur të ndahen nga e keqja, kanë vendosur të përqafojnë të mirën, ofertën tonë, programin tonë, kandidaten tonë, Grida Dumën, Partinë Demokratike dhe opozitën. Ndaj, çfarëdo që të bëjnë nuk i shpëtojnë dot verdiktit popullor të qytetarëve të Durrësit", tha më tej ai.
Basha i bëri thirrje prokurorisë t'i vërë pas hekurave agresorët e aktit të djeshëm ndaj të rinjve demokratë. "Nuk ka bandit, nuk ka kriminel të ndalë cunamin që ka nisur anembanë Shqipërisë për të përmbysur regjimin e varfërisë, regjimin e poshtërisë dhe talljes së shqiptarëve. Ne nuk kemi frikë sepse na pret fitorja, na pret shpresa për të nesërmen, na pret besimi për një të ardhme më të mirë", theksoi Basha.
"Optimizmi i fitores dhe shpresa e shqiptarëve për t'u ndarë nga e keqja më 21 qershor, ndjehet në çdo cep të vendit dhe është e pathyeshme", tha lideri i opozitës sipas të cilit, nga jugu në veri shqiptarët janë bashkuar si asnjëherë më parë kundër të keqes në pushtet.
Ai shprehu bindjen se, "në 21 qershor durrsakët do të votojnë kundër qeverisë të së keqes, kundër mjerimit, kundër papunësisë, kundër shtypjes, kundër varfërisë".
Ndërsa kandidatja e Partisë Demokratike për bashkinë e Durrësit, Grida Duma, shprehu besim se më 21 qershor shqiptarëve do t'u kthehet shpresa, besimi, puna dhe dinjiteti.
"Sot jemi në një situatë katastrofike. Durrësi është më i varfër se mesatarja e Republikës së Shqipërisë ndonëse Durrësi është qyteti më i pasur për burime, me portin e mrekullueshëm, me plazhin e turizmin, që arrin në 400 mijë turistë në verë", theksoi kandidatja e PD-së për bashkinë e Durrësit, Grida Duma./atsh/