- Aleanca e djathtë prezanton kandidatin për Bashkinë Kukës, Bashkim Shehu -
TIRANË, 4 maj/ATSH/-. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha prezantoi kandidatin për kryetar të Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu.
Basha është ndalur tek situata e rëndë ekonomike që ka pllakosur vendin, ku mijëra familje kanë marrë rrugën e emigrimit pasi e kanë të pamundur të sigurojnë mbijetesën.
"Me mijëra familje nuk i kemi më mes nesh, sepse kjo qeveri nuk u la asnjë rrugë, shteg, asnjë mundësi tjetër përveç largimit nga shtëpitë e tyre, i nisi me rrobat në shpinë, me fëmijët e vegjël në duar e krahë drejt kurbetit. Kjo është vepra, mynxyra e zezë e keqqeverisjes së sotme", tha Basha.
Ai gjithashtu akuzoi qeverinë se ka mbyllur universitetin e Kukësit me arbitraritet dhe se qeveria nuk ka mbajtur asnjë premtim. "Sot, dhimbja e vogëlushëve kuksianë, dhimbja e kryefamiljarëve kuksianë, dëshpërimi i rinisë kuksiane, së cilës me arbitraritet dhe urrejtje të madhe raciste i mbyllën edhe Universitetin e Kukësit, janë ndër arsyet kryesore pse ju jeni përbashkuar kaq shumë rreth ofertës sonë të re, rreth alternativës sonë të re, rreth shpresës që sjell Partia Demokratike në këto zgjedhje", tha Basha.
Puna, mirëqenia, zhvillimi, sipas tij, janë dhe duhet të jenë parafjala e çdo qeverie, por kjo qeveri ka të tjera kryefjalë, ka gënjeshtrën dhe pabesinë për votuesit e saj, të cilëve u premtoi ulje të çmimit të energjisë, ndërkohë që e ngriti atë. "Kjo qeveri premtoi ulje të çmimit të karburantit por e çoi në stratosferë, premtoi taksa të ulëta për 97% të shqiptarëve, kur sot 100% e shqiptarëve paguajnë më shumë taksa, taksa të cilat zhduken në xhepat korruptivë të dyshes Rama-Meta dhe klientëve të pushtetit të saj në Kukës e Tiranë, taksa të cilat nuk kthehen në projekte mirëqenie", theksoi Basha.
Sipas Bashës, bashkimi i shqiptarëve në 21 qershor do të mundësojë kthimin e shpresës për qytetarët dhe largimin e së keqes./m.m/










