Berisha fshehu krizën, korrigjohen
shifrat e buxhetit të vitit 2013 

TIRANE- Qeveria korrigjon shifrën e Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke e ulur me 75.7 miliardë lekë. Shifra e re është, madje, më e ulët se ajo e një viti më parë me afro çerek miliardi euro. Në këto kushte, ecuria e PBB-së del negative dhe vendi është në recesion
 
Pa pritur të marrë raportin e auditit për financat publike, që do të hartohet nga e mirënjohura Deloitte & Touche, kompani ndërkombëtare private e vlerësimeve financiare, qeveria ka ta qartë, të paktën, një gjë: Prodhimi i Brendshëm Bruto për këtë vit nuk mund të merret ai, i parashikuar në ligjin fillestar rtë Buxhetit, të miratuar në Kuvend në fund të vitit të kaluar, nga një tjetër mazhorancë. Shifra, sipas qeveritarëve të rinj është 5.3 për qind më e ulët.
 
BUXHETI FILLESTAR
Në ligjin 119/2012 Për Buxhetin e Shtetit të vitit 2013, që është miratuar në dhjetor, shifra e PBB-së merret në vlerën e 1 mijë e 430 miliardë e 920 milionë lekëve. E konvertuar në valutë të huaj, fjala është për 10.2 miliardë euro që prodhohen si mallra e shërbime të reja në territorin e Republikës së Shqipërisë gjatë një viti. Zakonisht, në përputhje me metodologjinë e vendeve më të përparuara, që ka adoptuar edhe vendi ynë në rastin e llogaritjes së Prodhimit të Brendshëm, shifra për PBB-në është ajo e një viti më parë, duke qenë se nuk mund të llogaritësh në dhjetor të 2012-ës se sa do të jetë Prodhimi i vendit për vitin e ardhshëm. Pra, PBB e vitit 2012 rezulton të jetë e riprodhuar në ligjin për Buxhetin e Shtetit nga qeveria Berisha, sipas llogaritjeve të ministrisë së Financave të drejtuar nga Ridvan Bode, me vlerën e sipërpërmendur.

Mbi këtë bazë, llogariten në përqindje edhe zërat kryesorë të Buxhetit, në kuptimin se sa përqind zenë shpenzimet në raport me PBB, sa zenë investimet, etj.
Për të patur një shifër të saktë për PBB-në duhet pritur disa vjet dhe kjo është një detyrë për Institutin e Statistikave. Zakonisht, shifra korrigjohet me një marzh gabimi plus minus 1-2 për qind.
 
QEVERIA E RE
Ashtu sikurse kishte premtuar, me të ardhur në pushtet, Ekzekutivi Rama i hyri punës për të rishikuar situatën financiare të arkës së shtetit, që, duket qartë se nuk përputhet me tablonë rozë, atë të ”ngjashmërisë me Gjermaninë” të ekonomisë së vendit. Në këto kushte, lajmërimi i parë erdhi nga vetë kreu i Financave. Shkëlqim Cani deklaroi në konferencën e përbashkët për shtyp me Misionin e Fondit Ndëkombëtar shifra të tilla, që të futin frikën.

Ai përmendi shifrën e borxhit publik në fund të këtij viti në rreth 72 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, por që mund të kalonte lehtësisht edhe në 80 për qind të tij, duke qenë se qeveria po bëhej gati të shlyente një borxh të madh ndaj sektorit privat të ekonomisë. Kjo u tha në prani të ndërkombëtarëve, nga të cilët, me sa duket nga heshtja e tyre, ishte marrë pëlqimi për mënyra të caktuara financimi, siç mund të ishte huaja me terma të butë ose forma të tjera.

Lajmi i dytë përmbahet në Aktin Normativ të rishikimit të Buxhetit të Shtetit për këtë vit, që sapo ka dalë në Fletoren Zyrtare, ndërkohë që më parë nuk kishte asnjë njoftim lidhur me miratimin e tij nga Këshilli i Ministrave. Shifra e Prodhimit të Brendshëm Bruto këtu ëshët korrigjuar në 1 mijë e 355 miliardë e 233 milionë lekë të reja, që është sa 9.68 miliardë euro.

Në një kohë kur prej vitesh e dinim që niveli i PBB-së së vendit është ankoruar në rreth 10 miliardë, ky korrigjim e ul vlerësimin paksa. Por, në krahasim me shifrën referencë për PBB-në, mbi të cilën është miratuar ligji për Buxhetin e Shtetit nga mazhoranca e djathtë në fund të vitit të kaluar, ulja është e konsiderueshme. Në lekë, janë afro 75.7 miliardë lekë të reja më pak në Prodhimin kombëtar, në krahasim me prognozën e Bodes dhe Berishës, çka kalon kuotën e gjysmë miliardi eurosh më pak! Me një kurs të rrumbullakosur prej 140 lekësh për euro, korrigjimi e ul PBB-në me 540 milionë euro, çka është një rishikim mjaft i madh.
Fjala është këtu për një PBB 5.3 për qind më të ulët se ai i deklaruar disa muaj më parë.
 
RENIA EKONOMIKE
Problemi që del nga një rishikim kaq masiv është se vendi duhet të deklarohet në krizë, ndërkohë që vijojnë deklarimet se gjithnjë mbetemi në terren pozitiv të zhvillimit. Në buxhetin e 2012-s, të përgatitur në fund të vitit 2011, ku merret për bazë pikërisht kuota e këtij viti të fundit si pikë referimi, raportohet një PBB 1 mijë e 389 miliardë e 791 milionë lekë. Në rast se merret e mirëqenë kjo shifër, atëhere Shqipëria duhet të shpallet në recesion, pasi shifra e korrigjuar nga qeveria Rama është, sikurse u tha më sipër 1 mijë e 255 miliardë e 233 milionë, që është 2.5 për qind më e ulët se PBB-ja e raportuar më 2012 (mbi bazë të vlerësimeve të 2011-ës), duke qenë nominalisht 34.6 miliardë lekë ose 247 milionë euro më e vogël.
Në këtë mes mbetet, ose të korrigjohet në ulje edhe PBB-ja e mëparshme, ose të pranohet publikisht që situata e ekonomisë është: ”krizë”.





(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kamëz/ Kërcënoi gruan dhe fëmijët se do i digjte me benzinë! Më pas i vuri flakën banesës, arrestohet 54-vjeçari (EMRI)

Kamëz/ Kërcënoi gruan dhe fëmijët se do i digjte me benzinë! Më pas i vuri flakën banesës, arrestohet 54-vjeçari (EMRI)