I vetëdijshëm se PD nuk mund të jetë e vetme në betejën kundër Edi Ramës, e veçanërisht në valën e protestave të qëndrueshme që premton në janar,Sali Berisha thërret në ndihmë të gjithë faktorin opozitar. Protesta e radhës pritet të jetë më 24 janar, por kreu i PD tha sot në konferencë se do të vendoset në takimin e së premtes. Ai i ka drejtuar ftesë të gjitha partive të opozitës për të marrë pjesë në takimin që e ka quajtur “Zgjidhje për Shqipërinë”.

Por ftesa e tij është refuzuar nga të rinjtë e politikës, që në zgjedhjet e fundit por edhe aksionet me protesta kanë treguar forcë numerike. I pari që u deklarua kundër, ishte Arlind Qori që me Berishën thotë sërish se nuk do të ketë kurrë bashkëpunim.

Edhe Adriatik Lapaj nuk ka kohë për tryezat e thirrura nga kreu i PD, pavarësisht ftesave të vazhdueshme që Partia Demokratike i ka bëtë Për të, është koha e protestave në shesh dhe jo e tryezave. Në një përgjigje për Report Tv “Shqipëria Bëhet” thotë se nuk do të jenë në takim dhe Lapaj do të vijojë të jetë në shesh edhe të premten.

Berishën e ka refuzuar edhe ish-deputeti i PD, Agron Shehaj, tashmë me partinë e tij. “Mundësia” e Shehajt i tha Report Tv se nuk do të ulen në tryezë me ata që janë të akuzuar për korrupsion. Korrupsioni i Ramës sipas Partisë Mundësia, nuk mund të luftohet nga ata që janë të pandehur nga drejtësia për të njëjtën gjë, duke iu referuar kështu përballjes së Berishës dhe drejtueseve të tjerë të opozitës me SPAK.

Në takimin e së premtes Berisha ka thirrur edhe shoqërinë civile, përfaqësuesit e organizatave e sindikata të ndryshme.