TIRANË- Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të rikthyer në detyrë zv.kryeministren Belinda Balluku bëri që Sali Berisha të mbledhë me urgjencë Kryesinë e PD dhe me datë 22 dhjetor të thërrasë protestë kombëtare deri në arritjen e qeverisë teknike, ndonëse në fakt në protestat aktuale që ka zhvilluar para kryeministrisë ka mbledhur vetëm një grusht militantësh.
Kjo u vu në dukje edhe nga anëtari i Kryesisë, Ervin Salianji, i cili tha se se rruga e duhur për të rrëzuar Ramën janë revoltat dhe jo foltoret para kryeministrisë.
“Rruga e duhur janë revoltat, jo foltoret para Kryeministrisë”, tha Salianji teksa mbërriti në selinë blu.
'Revoltës' që kërkoi Salianji, i cili ka nisur edhe foltoret me demokratët, Berisha iu përgjigj duke thënë se rruga e vetme janë protestat dhe kushdo që del nga rreshti është 'zjarrfikës'.
“Kemi vetëm një rrugë është ajo e protestave, qytetarët duhet të flasin me protestën e tyre. Të gjitha rrugët e tjera janë rrugë zjarrfikësish. ”, tha Berisha pas nisjes së mbledhjes së Kryesisë.
Sali Berisha e cilësoi një absurd vendimin e Kushtetueses për Ballukun, duke thënë është i diktuar nga kryeministri Rama. Këtë të fundit e akuzoi se është bërë një me Ballukun në vjedhje.
“Për herë të parë në 32 vite, kreu i qeverisë kalon në sulm të hapur kundër ndëshkimit të korrupsionit. Tani është një me Belinda Ballukun. Është një me Belinda Balluku dhe triumfoi në çdo gjë që diktoi gjatë këtyre tre javëve. Gjë më absurde nuk mund të kishte. Të pretendohet se pezullimi i Ballukut shkel Kushtetutën apo paralizon qeverinë, problemi është se pezullimi i Ballukut çelte portën e ferrit për Edi Ramën, se ai ka vjedhur më shumë se Balluku në atë aferë. Se ai, në të gjitha dosjet, është shumë më rëndë se Balluku”, vijoi Berisha.
Krahas protestave, Berisha shkon edhe më tej duke njoftuar se Partia Demokratike do të tërhiqet nga çdo diskutim dhe proces me palën dhunuese dhe me partinë e krimit, pra me PS. Ndonëse vetë Berisha nuk i përmendi, të vetmet diskutime mes PS dhe PD aktualisht janë për reformën zgjedhore dhe territoriale, çka do të thotë se me tërheqjen e PD puna e këtyre dy komisioneve do të bllokohet.
“PD me këtë rast ndërpret çdo lloj negociate, çdo lloj diskutimi, debati për çdo lloj personi me palën dhunuese. Merr fund kjo. Nuk mundet kurrë më. Ndërpresim çdo lloj debati, diskutimi për çdo lloj personi dhe çdo lloj funksioni ose posti me partinë e krimit”, tha Berisha.
Ky vendim për ndërprerjen e çdo diskutimi me PS, sipas Berishës vjen pas lojës që Edi Rama bëri me Avokatin e Popullit, pasi opozita u tërhoq nga firmat mbështetëse ndaj Endri Shabanit.
Për herë të parë që pas nisjes se lëvizjes së re brenda PD-së, Ervin Salianji u ul përballë kolegëve në mbledhjen e Kryesisë së PD-së duke kritikuar hapur foltoret që Sali Berisha ka nisur përpara kryeministrisë me një grusht militantësh.
“Rruga e duhur janë revoltat, jo foltoret para Kryeministrisë.", - u shpreh Salianji para nisjes së mbledhjes së kryesisë së PD.
Debatet u zhvilluan të ashpra në mbledhjen me dyer të mbyllura të kryesisë, mes ish-deputetit Ervin Salianji, dhe sekretarit të Përgjithshëm të Partisë, Flamur Noka, tone të larta që u dëgjuan edhe në korridoret e selisë blu nga gazetarët.
"Me këtë që bën, je duke bashkëpunuar me ata që kemi përballë",- është mësuar t'i ketë thënë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, ish-deputetit Salianji, duke iu referuar turit të Foltores së këtij të fundit, me strukturat e partisë.
Ish-deputeti i është përgjigjur Berishës duke i thënë "jep dorëheqjen Flamur. E ke shkatërruar partinë. Avokati i Popullit është tërësisht përgjegjësi e jotja".
“Sot mendova se e kishim mbledhjen për të rrëzuar Ramën, e paskeni me mua. Po e zhvendosni vëmendjen plotësisht nga Rama”, mësohet të ketë thënë më tej Salianji.
Debati mes Nokës dhe Salianjit është zhvilluar me tone të larta, deri në pikën që dyshja dëgjohej në korridoret e selisë blu, jashtë sallës së takimit.
“Sot mendova se e kishim mbledhjen për të rrëzuar Ramën, e paskeni me mua. Po e zhvendosni vëmendjen plotësisht nga Rama”, mësohet të ketë thënë Salianji.
Edhe Berisha është përfshirë në një debat të drejtpërdrejtë me ish-deputetin, për moskandidimin e Hysen Kadisë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, pavarësisht se demokrati i Kavajës doli më i votuari në Qarkun Tiranë në Primaret e organizuara nga vetë krydemokrati.
Nga burimet brenda mbledhjes së kryesisë, mësohet se Salianji i është drejtuar Berishës se cili nen i statutit, ndalon anëtarët e kryesisë të takojnë demokratët.
“Demokratët e neglizhuar duhen dëgjuar jo përjashtuar si tek PS, kush mendon ndryshe është vlerë dhe jo problem”, është shprehur Salianji.
Sali Berisha komentoi në mbledhjen e Kryesisë së PD-së edhe zgjedhjen e kreut të ri të SPAK, Klodian Braho. Berisha tha se ambasadorët ndoqën nga afër mbledhjen në KLP me qëllim që Rama mos të vendoste në krye të SPAK kandidatin që ai ka bërë marrëveshje për ti mbyllur dosjet e tij.
“Shpresa se do luftohet korrupsioni nga drejtësia e re, kjo është e para ministre në detyrë që akuzohet për korrupsion. Asnjë nuk ka qenë, kjo po. Dhe urdhëroni se çfarë bëri para shqiptarëve, ky është një poshtërim për çdo shqiptar. Ky u thotë shqiptarëve se unë vjedh, ministrat e mi vjedhin, por ata nuk mund të gjykohen.
Për shkak të tij, dy ditë më parë, u zhvillua ofensiva diplomatike më e madhe që kam parë ndonjëherë për të siguruar zgjedhjen e kryetarit të Prokurorisë Speciale, çka të bën me të drejtë të mendosh se Edi Rama duket se kishte bërë gjithçka të zgjidhte njeriun që ai ka bërë marrëveshje për mbylljen e dosjes së tij. Sepse e vërteta është se Dumani mbylli disa dosje të Edi Ramës, kjo është e pamohueshme.
Dumani mbylli dosjen e Edi Ramës, duke akuzuar Arben Ahmetajn për djegësin e Tiranës, të cilin ai e kishte kundërshtuar 4 herë, megjithëse e kishte firmosur Edi Rama. Dumani mbylli dosjen Alabar, dhe shqiptarët do e marrin vesh mirë se çfarë krimi në përmasa gjigante po kryhet me portin e Durrësit, çfarë goditje të rëndë po i jepet çdo shqiptari me portin e Durrësit, për aq sa ka peshë transporti i mallrave në çmimin e tyre. Dumani mbylli dosjen e Olsi Ramës, e nxori tjetër. Pra, Edi Rama duket se duhet me çdo kusht të kishte atë me të cilin ishte marrë vesh.
Pra, përpjekja ndërkombëtare ishte shumë e drejtë, që qeveria të mos kapë kryetarin e Prokurorisë Speciale. Por problemi nuk është aty, problemi është se pse Edi Rama do ta kapë me çdo kusht atë”, tha Berisha.
Kreu i PD Sali Berisha njoftoi thirrjen e një proteste kombëtare në datën 22 dhjetor në Tiranë. Gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD, Berisha tha se protesta do të jetë e vetmja rrugë që do të ndjekë opozita në përballje me qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama.
Qëndrimi i Berishës erdhi pak pasi para selisë blu, Ervin Salianji tha se rruga për të rrëzuar Ramën nuk janë foltoret para kryeministrisë, por revolta.
Berisha tha se qytetarët duhet të flasin me protestën e tyre, duke shtuar se çdo rrugë tjetër, është rrugë zjarrfikësish.
“Kemi vetëm një rrugë është ajo e protestave, qytetarët duhet të flasin me protestën e tyre, Sa janë ata që duan të flasin 1000, me ne në krye, 2000, ne në krye, 300, ne aty, por rrugë tjera nuk ka. Të gjitha rrugët e tjera janë rrugë zjarrfikësish. Nuk bëhemi kurrë zjarrfikës. Kemi një problem kryesor për të zgjidhur, ekzistencës ose mosekzistencës sonë. Pse kështu? Në një farsë elektorale, më e shëmtuara në histori. PD është para një alternative, do vazhdojë të mbetet opozitë e farsave elektorale apo do vendosë qëllim rrëzimin e qeverisë, rikthimin e shqiptarëve, qeverinë teknike dhe marrjen e vlerësimit të qytetarëve të lirë”, tha Berisha.
Sali Berisha do të thërrasë mbledhjen e Këshillit Kombëtar. Mbledhja e Këshillit vjen në një kohë kur kandidatët më të votuar ishin ankuar se Këshilli nuk po thirrej prej 7 muajsh nga humbja në zgjedhje.
“Kjo mbledhje duhet të caktojë në afatin e duhur kohor, thirrjen e Këshillit Kombëtar të PD për analizën e situatës ku jemi dhe për të përcaktuar me Këshillin Kombëtar, për të marrë vendime të tjera, dhe për t’i siguruar vendimet e kryesisë mbi përqendrimin e PD me të gjithë burimet, forcën, resurset e saj, në drejtim të një beteje përfundimtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Rrëzimin e qeverisë. Pra, alternativa do shkojmë ne drejt një farsë, secili duhet ta pyesë veten, dhe të bëhemi stoli në farsë, jo, nuk shkojmë. Kemi dokumentin ndërkombëtar, kemi ligjin ndërkombëtar që tregon se ishte farsë”, tha Berisha.
Në mbledhjen e Kryesisë së PD, Sali Berisha tha edhe njëherë se dhënia e firmave për Endri Shabanin si kandidaturë për Avokat Populli ishte një gabim nga çdo deputet demokrat. Ai tha se ishte akt i nxituar, por PD i tërhoqi firmat dhe se është votuar vetëm me votat e PS.
“Lidhur me aktin e Edi Ramës, vendimin e tij të fundit për të futur në dorë edhe një segment pushteti që kishte ngelur i ndarë përgjysmë, siç ishte Avokati i Popullit. Me këtë akt, ai mori në mënyrë absolute të gjitha pushtetet, që në fakt i kishte, por avokati ishte diçka e ndërmjetme, ajo zonja përpiqej t’u përmbahej objektivave apo misionit të saj. E mori me rrëmbim, me pasion. E gëzoftë.
Por këtu dy gjëra do them. Firmosja e Endrit Shabanit pa asnjë diskutim ka qenë një gabim i padiskutueshëm i çdo njërit që ka firmosur, ky ka qenë një akt i nxituar dhe një gabim i çdo njërit që ka firmosur. Edhe njëherë, dje kërkova ndjesë dhe përsëri kërkoj ndjesë përsëri për këto firma dhe këtë akt të nxituar të deputetëve të PD. Nuk mund ta bënin atë. Jo. Këto firma u dhanë në një periudhë kur u vendos një koalicion opozitar në mbështetje të kandidatit të bashkisë për Tiranën. Por nga ana tjetër theksoj këtu se firmat janë tërhequr me firmë. Pra, të gjitha firmat nga firmëtarët janë tërhequr me firmë, jo me deklaratë publike.
Dhe në mënyrë absolute në çdo parim dhe çdo ligj, ai nuk është kandidat i opozitës. Firmat janë tërhequr me firmë. Edhe gjer në momentin e fundit, propozuesi ka të drejtë të tërheqë propozimin. Kështu që pretendimi se ishin firmat ato që e zgjodhën, është i padrejtë. Ishte vendimi i Edi Ramës për të mos respektuar asnjë princip, asnjë rregull. Endri Shabani është emëruar pa asnjë firmë nga asnjë deputet, përveç dy që janë të një partie tjetër. Pra nuk ka pasur kurrë asnjë firmë nga PD në momentin që është votuar. Çdo koment tjetër është absolutisht pa asnjë bazë juridike dhe është thjesht një mbështetje e verbër për veprimin antiligjor, antikushtetues të Edi Ramës në parlament.
Po marr këtu vetëm anën teknike. Kandidatura e Endrit Shabanit është propozuar pa asnjë propozim nga PD, pasi çdo propozim i bërë me firmë, është tërhequr po me firmë. Dhe, vendimi, asnjë deputet i PD nuk ka votuar për Endrit Shabanin. Jo, gjer në momentin e votimit, propozimi mund të tërhiqet dhe ai ishte tërhequr ditë më parë”, tha Berisha.
Demokrati Ervin Salianji ka dalë hapur kundër linjës së ndjekur nga Sali Berisha, duke theksuar se Partia Demokratike duhet të fokusohet te protestat dhe revolta qytetare, e jo te foltoret para Kryeministrisë.
“Është momenti që të fokusohemi tek protesta, tek revolta, përballja me qeverinë, te dëgjesa e çdo shqetësimi qytetar. Nëse nuk jemi të aftë t’i përkthejmë në energji shqetësimet e demokratëve, do ta kemi të vështirë siç po e kemi për të bërë protesta.
Rruga e duhur janë revoltat, jo foltoret para Kryeministrisë. Shpresoj që kjo të jetë vendimmarrja e kryesisë i kam thënë në çdo mbledhje e do i them sërish. Kam qenë në çdo protestë dhe i jam nënshtruar vendimmarrjes së partisë", - u shpreh Salianji para nisjes së mbledhjes së kryesisë së PD.
Komente











