Betonizimi, plani që shkatërron
lulishtet në Tiranë, flasin specialistët

TIRANE-  Plani urbanistik i Tiranës, i cili u miratua nga këshilli Bashkiak në dhjetor të vitit që sapo lamë pas, ka ngjallur shumë debate dhe reagime në radhët e shoqërisë civile, arkitektëve dhe urbanistëve. Ata dje në një tryezë pune kanë ngritur shqetësimin e tyre për pasojat që sjell ky plan në mjedise dhe hapësirat publike të kryeqytetit. Në këtë plan sipas ekspertëve janë dhënë për ndërtim shumë hapësira të gjelbërta siç janë Parku i Namazgjasë, lulishtja para Bibliotekës Kombëtare, lulishtja prapa Pallatit të Kulturës, të treja janë dhënë për ndërtim, të cilat janë të vetmet zona që i jepnin frymëmarrje qytetit. Hapësira ose korridori i gjelbërt i Lanës, lulishtja te ish-fusha e Aviacionit, lulishtja pranë Kullave Binjake, ajo pranë ish-Partizanit të panjohur etj, janë dhënë për ndërtim.

Gjergji Bojaxhiu
ka kërkuar ngritjen e një referendumi, ku të jenë vetë qytetarët ata që do vendosin për planin e ri urbanistik të kryeqytetit, i cili ende nuk i ka kaluar për miratim KRRTRSH. "Të dale teza e Propozimit për Referendumin vendor. Të vendosin qytetarët e Tiranës me referendum për Planin në tërësi apo të paktën për pjesën e hapësirave të gjelbra dhe zonat e mbrojtura. Forumi ka diskutuar edhe referendumin si një mundësi për të vendosur në një platformë më të qëndrueshme zhvillimin e Tiranës. Por Referendumi duhet të jetë më shumë se një mjet për të rrëzuar planin ekzistues, duhet të jetë një mjet për të vendosur me vullnetin e drejtpërdrejtë të qytetareve parametrat mjedisore, si dhe infrastrukturën arsimore, shëndetësore dhe sportive të qytetit" tha Bojaxhiu.

Ndërsa sipas arkitektit Artan Shkreli plani ka mungesa të dokumenteve bazë për hartimin e një plani rregullues, madje ky plan nuk ka të përcaktuar as nivelin e lartësisë se objekteve që do të ndërtohen. "Mungojnë në bazën e këtij plani harta e saktë dhe e axhornuar e hapësirave muzeale dhe objekteve monumentale, pranë të cilave dhe mbi të cilat nuk mund dhe nuk duhet të zhvillohen planifikime dhe realitete ndërtimore të reja, mungon harta e korridoreve ajrore, e bazuar mbi trëndafilin e erërave dhe mbi statistikat e reshjeve të ndryshme, të cilat janë përcaktuese mbi drejtimet jo vetëm të erërave, por edhe të korridoreve ajrore. Në qoftë se këto korridore bllokohen është njësoj si të mbyllësh dritaret dhe derën dhe që të presësh që dhoma të jetë e ajrosur. Mungon harta e intensitetit dhe lartësisë së strukturave. Shumë zona në Tiranë janë të helmatisura rëndë nga industria. Mungon harta hidrografike, e rrjedhjeve natyrale të lumenjve,të shesheve dhe vijave të ndryshme, mbi dhe pranë cilave nuk duhet të ndërtohet. Ndërkohën në plan ndërtohen edhe dy skarpatat e Lanës", përfundoi Shkreli. Sipas arkeologëve ky plan e studion historinë e qytetit në mënyrë sipërfaqësore, duke cenuar tashmë edhe zonat e mbrojtura. "Ky plan duke e parë në përgjithësi, përbën aktin e fundit të dëmtimit përfundimtar të trashëgimisë në pjesën më të madhe të qytetit. Për shembull, pjesa e parkut të Namazgjasë, që është një pjesë e ndërgjegjes historike e veçantë të këtij qyteti. Tjetër pjesë e zonës së mbrojtur në listën e monumenteve të kulturës, që ekzistojnë sot në listën e legjislacionit Shqiptar është edhe zona e Parkut të Lodrave. Ky park është planifikuar për zhvillimin e strukturave të larta. Vilat e zonës te rruga e Elbasanit, apo territore midis zonë së rrugës së Kavajës dhe asaj të Durrësit, apo e rajonit nr.8. Janë të gjitha elemente shumë delikatë jo vetëm të historisë dhe urbanistikës së qytetit ", thotë arkeologu Lorenc Bejko.

Ndërsa Artan Lame, kërkon sqarime nga Bashkia e Tiranës, pasi ky plan prek trashëgiminë kulturore, hapësirat e gjelbërta dhe zonat e mbrojtura të qytetit. "Sa ka ende kohë, me qenë se plani nuk është miratuar në Këshillin Kombëtar të Territorit, ne të bëjmë presionin tonë për bërë të mundur që të ndryshojnë gjërat. Ka ende disa instanca ku ky plan duhet të kalojë, përpara se të bëhet operativ. Mjafton që një njeri i autorizuar, një funksionar i Bashkisë së Tiranës të dalë dhe t'ju thotë qytetarëve një shprehje shumë të thjeshtë: 'asnjë nga lulishtet ekzistuese të qytetit, asnjë nga parqet ekzistuese të qytetit, asnjë nga zonat e mbrojtura të qytetit nuk preket nga ky plan' dhe qytetarët do të ishin të qetë dhe ne do të ishim të qetë, por kam frikë se asnjë përfaqësues i Bashkisë së Tiranës nuk mund ta bëjë një deklaratë të tillë", u shpreh Lame. Për Planin e ri Urbanistik të kryeqytetit, ka pasur shumë reagime, nga specialistë të ndryshëm të cilët shpeshherë e kanë cilësuar këtë plan, si vrasës për Tiranën.

PARALAJMERIMI I ARTAN SHKRELIT
Arkitekti Artan Shkreli, para se plani të merrte miratim në Bashkinë e Tiranës, në një intervistë për "Shqiptarja.com", paralajmëronte se ky Plan i përgjithshëm, i Tiranës lejon që gjithçka në këtë qytet të ndërtohej. Madje sipas këtij plani edhe mbi digën e Liqenit Artificial do ndërtohet. Gjë e cila është e ndaluar ligjërisht. Zonë ndërtimi do të behët edhe parku pas Pallatit të Kulturës. "Ky është një plan që shkatërron totalisht trashëgiminë urbanistike të qytetit, shkatërron zonat e gjelbërta, shkatërron hapësirat e lira rezervë, shkatërron zonat me trashëgimi urbanistike, si vilat te rruga e Elbasanit, vilat te zona e Bllokut. Ky plan lejon që të ndërtohet të ish-fusha e Aviacionit, të parku i Namazgjasë, të skarpatat e lumit të Lanës. Ky plan parashikon që në 20 vitet e ardhshme numri i banorëve të shkojë 1 milionë banorë, për 20 vite. Si mund të rritet Tirana për 20 vitet e ardhshme me 1 milion banorë, ku këto 20 vite nuk ka ngelur njeri pa ardhur, gjithashtu është ulur edhe popullsia, janë ulur lindjet, që këtu fillon gabimi i tyre. Pasi i kanë dhënë ndërtueshmëri gjithë Tiranës. Madje edhe në pallatet e vjetra, e kanë lënë që të bëhen ndërtime anash, ose lartë. Nuk mjaftojnë këto, por edhe të ndërtuarat do ndërtohen. Këta thonë që do ta shtojnë gjelbërimin e Tiranës me 300 hektarë, vetëm parku i liqenit ka 250 hektarë, por këta edhe këtë duan ta heqin. Ku do i gjejnë këta 300 hektarë. Vetëm po të ndërtojnë mbi pallate hapësira të gjelbra, por ata nuk janë parqe publike, që mund të shkojnë të gjithë. E vetmja gjë kanë ruajtur është Parku Rinia" thoshte Shkreli.
plani i tiranes
Foto: Në rreth parqet dhe lulishtet që do t’i mungojnë Tiranës
1. Lulishtja prapa Pallatit të Kulturës
2. Lulishtja para Bibliotekës Kombëtare
3.Parku i Namazgjasë
4. Parku i lodrave pranë rrugës së Elbasanit
5. Lulishtja pranë Kullave Binjake

(sg/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen