Goditja e grupit të Suel Çelës, në Elbasan, ka qenë një nga goditjet më të mëdha që ka bërë SPAK gjatë 2024, për ekspertin e Sigurisë, Fatjon Softa.
I ftuar mbrëmjen e sotme në ‘Studio Live’ në Report Tv me gazetarin Nertil Agalliu, teksa foli për bilancin e punës së drejtësisë gjatë 2024, ai u shpreh se goditja e këtij grupi nxorri në pah lidhjet e krimit me drejtësinë dhe pushtetin lokal.
‘Goditja e grupit të Elbasanit. Ishin bërë bashkë punonjës të drejtësisë, policisë dhe nga pushtetit lokal dhe kjo tregoi se ata kontrollonin territorin në këtë qytet dhe nëpërmjet financave i kishin bërë bashkë të gjithë këta në aktivitetin e tyre kriminale. Tashmë do të kemi edhe aplikacionin ‘Matrix’, në duart e prokurorisë dhe do të kemi zbulimin e ngjarjeve të mëdha kriminale’, tha ai.
Sa i takon punës së Policisë së Shtetit, ai u shpreh se është bërë një punë e mirë gjatë këtij viti, por nuk duhet që ketë ndikim nga politika.
‘Policia arriti të bëjë një reformën që të vendos meritokracisë sa i takon strukturave, por uroj që t’i jepet kohe personave që të bëjnë detyrën e tyre. Kemi ndërruar pafundësisht ministria, dhe kanë ndenjur pak muaj në krye të detyrës dhe nuk mund të themi që do të kemi një punë të mirë kur ose nuk dimë që të zgjedhim ose i zgjedhim përkohësisht. Drejtori i Përgjithshëm i policisë duhet që të merrte votat në parlament, të kishte llogaridhënie në Kuvend, jo vetëm përballë ministrit. Policia e Shtetit ka bërë një punë të mirë gjatë këtij viti, por politika duhet që të heq dorë nga emërimet dhe duhet që të kthejmë besimin tek publiku’, tha ai.
Lidhur me dosjen e Ervis Martinajt, ai tha se deri më tani ka vetëm dyshime se mund të jetë eleminuar, por sipas tij s’ka ende fakte që e vërtetojnë këtë.
‘Kryeministri Rama vuri afat 3 muaj që duhet të gjeni informacione për të, në fakt muajt kanë kaluar dhe u ndërrua ministri dhe erdhi një tjetër. Ka pasur kërkime në zonën e jugut me polumbarë sepse dyshonin se mund të jetë hedhur trupi në det. Sa kohë s’ka një kufomë s’mund të themi se është i vdekur. Thuhet se e kanë eleminuar, por këto janë vetëm fjalë’, tha ai.
Për Qamil Xhanin, kryeredaktorin e ‘Euroneës Studio’, SPAK duhet që të bëjë më shumë goditje të krimit që ka lidhje me politikën.
‘SPAK ka bërë një punë të mirë sidomos tek krimi i organizuar, por nuk shohim ndonjë goditje të krimit që ka lidhje me politikën. Në shumë raste janë dokumente që vijnë nga partnerët, pra janë përgjimet e aplikacione të inkriptuara dhe jo të nxjerra vetëm nga SPAK. Me SPAK janë partnerët ndërkombëtar që kanë bashkëpunuar, sidomos tek politika, sepse është e pamundur që të bësh hetime ndaj zyrtarëve të lartë pa pasur një lloj mbështetje nga partnerët ndërkombëtar. Është viti me zhvillimet të rëndësishme sepse është hetimi për Berishën, arrestimi i Metës. Nuk pres që në këto muajt e parë të 2025 që SPAK të bëjë shumë, sepse do të etiketohet si politike, vetëm nëse do të ketë ndonjë dosje gati do të marr vendime konkrete. Nëse do të bënte një goditjen e ndonjë zyrtari do të quhej politike’, tha ai.