Portokalli i vogël në ballkon çeli lulet e para. Prej ditësh është mbushur plot me gonxhe të bardha, të rrumbullakëta, por vetëm sot nisën të shpërthejnë disa prej tyre. Nuk ishin parë bletë këto ditë në ballkon; sot erdhën të parat dhe bënë atë që do të doja shumë ta bëja unë: të isha e vogël fare e të zhytesha në lulet erëmira të portokallit mbi ballkon. Bota ka ndalur e tëra, ndërsa lulet e portokallit tim dhe bletët mbi to s’ka gjë që i ndal. Duken të qeta, të shëndetëshme, krenare për atë që janë dhe për atë që dhurojnë.
Kaloi java e parë e ngujimit në shtëpi, të izoluar për të ndihmuar sadopak në mospërhapjen e koronavirusit. Janë ditë që mund të zgjasin akoma më shumë, se sa, ende nuk e dimë. Jemi akoma në fillim të kësaj pandemie në Shqipërinë tonë. Ajri është akoma i freskët, por dielli përkëdhel butë në ballkon. Nga Parku i Liqenit kukuvajkat nisin këngën e pranverës tamam rreth orës 16.00. Të përpikëta sa më s’ka. Turtujt dhe mëllenjat ndjekin njëri-tjetrën, fishkëllyesit dhe gardalinat bëjnë garë kush të këndojë më shumë. Pranvera ka frymëzuar bimë, shpendë e kafsh në Tiranëë, ndërsa ne, njerëzit, jemi mbyllur duke u ruajtur nga koronavirusi e duke vëzhguar nga një dritare a ballkon mrekullinë që kemi përreth. Po zbulojmë gjërat e vogla që zhurma apo ritmi i shpejtë i një dite njerëzore mbulon.
Telefonatat me të afërm, mesazhet me miq, e bëjnë ditën më të lehtë në ngujim. Admirimi ndaj kolegëve në terren e redaksi, mjekëve, infermierëve, forcave të rendit, djemve dhe vajzave nëpër dyqane ushqimore e farmaci, ta mbushin zemrën plot me gezim, të bëjnë të lehtë e plot grimca lumturie përditë. Ata janë si bletët që po mbajnë të gjallë një shoqëri të tërë, po mbajnë me shpresë, me bukë e me kurajo Shqipërinë.
Eshtë ky sekreti i bletëve? Zgjedhin lulet më të bukura dhe më erëmirë për të bërë mjaltin e tyre? A duhet të zgjedhim dhe ne të shohim, të ndjekim, të frekuentojmë të mirët dhe të bukurën që na rrethon, edhe pse të vogla, të pazhurma, gati të padukshme?
Fëmijët janë një spektakël më vete në shtëpi: Ata dinë të kombinojnë kaq mirë orët e mësimit, me lodrat, vallëzimin nëpër shtëpi, me këngët, me vizatimin, ushqimin, kreativitetin.
Sa gjëra kemi për të parë e për të mësuar të mbyllur këto ditë, çfarë mrekullie është kur sheh sesi njerëzit më të dashur, në vështirësi, nxjerrin më të mirën, më të bukurën dhe më të vlefshmen e tyre. Ndërsa qaramanët e dembelët sillen si grerëzat pas bletëve, bëjnë shumë zhurmë, qajnë dhe shajnë, por asnjë punë të mirë.