Qeveria shqiptare pati sot reagimin e parë zyrtar dhe publik lidhur me bllokimin e punimeve në ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, për shkak të përplasjes mes ortakëve.
Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, deklaroi se Aeroporti i Vlorës është projekti më i rëndësishëm i dekadës së fundit në Shqipëri dhe një pikë kyçe për sovranitetin dhe sigurinë kombëtare. I pyetur për bllokimin që ka ardhur si pasojë e konfliktit të ortakëve privatë, ai tha se projekti nuk është vetëm një çështje biznesi privat, por një problem me ndikim publik dhe kombëtar.
“Çdo ditë vonesë apo bllokim përkthehet në humbje ekonomike të matshme dhe dëmton reputacionin kombëtar në arenën ndërkombëtare”, u shpreh Karakaçi.
Ministri theksoi se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndjekur çdo fazë të ndërtimit të aeroportit për të garantuar që të gjitha proceset të jenë në përputhje me ligjin. Ai shtoi se institucioni e sheh me shqetësim situatën e krijuar nga bllokimi i kantierit, akuzat penale dhe çështjet ligjore, të cilat sipas tij kanë sjellë vonesa në projekt.
“Kjo situatë nuk do të lejohet. Shteti do të marrë masat për zbatimin e kontratës. Konflikti aktual nuk do të tolerohet të sjellë pasoja mbi shtetin dhe ekonominë. Askush nuk ka të drejtë të mbajë peng një infrastrukturë kombëtare”, deklaroi ministri.
Karakaçi deklaroi se qeveria nuk do të ndyhyjë në konfliktet mes dy ortakëve të aeroportit të Vlorës, por parlajmëroi penalitete për vonesën.
“Ministria verën me shqetësim të thellë se sjellja deri tani e palës zhvilluese, konfliktet mes palëve, shkeljet kontraktuale kanë shkaktuar vonesë. Kjo nuk do tolerohet dhe do të ketë edhe penalitete. Ministria nuk është palë në konflikt dhe nuk ka interes të favorizojë asnjë palë, por do të marrim masa dhe do të ndërhyhet përmes klauzolave të kontratës që të hapet sa më shpejt”, tha Karakaçi.
Kreu i infrastrukturës nuk përjashtoi as prishjen e kontratës së koncesionit për shkak të mosrespektimit të afateve nga koncesionari
“Sa i përket klauzolave, siç e theksova, aeroporti i Vlorës është ndër veprat më të rëndësishme të dekadës së fundit. Nuk ndërtohen aeroporte çdo vit, as në botë. Aeroporti nuk është ende operacional dhe klauzolat parashikojnë vendosjen e penaliteteve, të cilat do të vijojnë të përcaktohen sipas kontratave. Më pas do të hartohet një plan në lidhje me shtyrjen apo edhe shkëputjen e kontratës koncesionare",- tha Karakaçi.
Konflikti i dy aksionerëve në aeroportin e Vlorës, Behgjet Pacollit dhe Valon Ademit po mban peng një nga veprat më të rëndësishme infrastrukturore të vendit. Zyrtarisht aeroporti u inaugura nga kryeministri Edi Rama dhe ish zëvendesja e tij, Balluku, një vit më parë, saktësisht tre ditë para zgjedhjeve të vitit të kaluar.
Duke folur për kërkesën e shoqatës së transportit për zgjatjen e subvencionimit të çmimit të naftës, deri në shtator, Karakaçi tha se do të ketë një tjetër takim me përfaqësuesit e sektorit.
“Do të ulemi përsëri me shoqatën e transportit dhe në javën e parë të qershorit do të shohim dinamikat për të vendosur nëse mbështetja duhet të zgjatet”, tha ai.
Sa i përket projektit të rrugës Milot-Balldren, ministri bëri me dije se procesi ndodhet në fazën e vlerësimit të ofertave dhe se fituesi pritet të shpallet në fund të majit ose në fillim të qershorit. Ai theksoi se aksi do të jetë rrugë e kategorisë A.
Ndërkohë, për Autostrada Tiranë-Durrës, Karakaçi sqaroi se punimet po realizohen me fonde të buxhetit të shtetit dhe rruga do të vijojë të jetë pa pagesë.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi se gara për projektin e Porto Romanos nuk rezultoi e suksesshme, pasi edhe ofertuesi i fundit nuk paraqiti një ofertë financiare, duke argumentuar rritjen e kostove.
Ai shtoi se po vlerësohet një projekt i ri.
“Porto Romano është nyjë strategjike për lëvizjen e mallrave, por edhe për mbrojtjen, pasi është pjesë e Korridorit 8. Jemi në bisedime dhe do të përpiqemi t’i japim një zgjidhje sa më të shpejtë”, u shpreh ministri.
Komente











