Bosët e krimit dhe drogës në
Shqipëri i shpëtojnë ekstradimit

Bosët e krimit dhe drogës në<br />Shqipëri i shpëtojnë ekstradimit
TIRANE - Drejtori i përgjithshëm i policisë shqiptare, Artan Didi dha dorëheqjen të martën pasi rezultoi se një kërkesë ekstradimi për deputetin Mark Frroku, që kishte pasur një mandat arresti ndërkombëtar për vrasje të lëshuar nga Belgjika, kishte zënë pluhur në zyrën e Interpolit në Tiranë për më shumë se dy muaj.

Në letrën e tij të dorëheqjes për kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, Didi nënvizoi se ai u ndje përgjegjës për dështimin e zyrës së Interpolit në Tiranë për të çuar kërkesën për ekstradim të Frrokut në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm.

“Shkeljet procedurale të specialistes së Interpolit dhe kreut të këtij sektori kanë njollosur imazhin e policisë,” tha Artan Didi.

“Duke konsideruar këtë incident si të papranueshëm për institucionin që unë drejtoj… vendosa të paraqes dorëheqjen e parevokueshme nga posti im,” shtoi ai.

Shefi i Interpol Tiranës, Arben Bajraktari dhe një specialist e zyrës, Loreta Alla, u arrestuan në mbrëmjen e së hënës, të akuzuar për abuzim me detyrën për fshehjen e mandat arrestit ndërkombëtar kundër deputetit.

Frroku ka qenë dënuar nga një gjykatë e shkallës së parë në Bruksel për vrasjen e paramenduar të një shtetasi shqiptar, Aleksandër Kurti, në 1999 në bashkëpunim me tre të tjerë.

Të martën, komisioni parlamentar i mandateve i dha dritën jeshile zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm arrestimin e deputetit dhe për të filluar procedurat e ekstradimit në gjykatat vendase. Megjithatë, nuk ka garanci që deputeti do të dorëzohet ndonjëherë tek autoritetet belge dhe do dalë ndonjëherë në gjyq në Bruksel.

Edhe pse autoritetet shqiptare janë përgjithësisht aprovuese me kërkesat për ekstradim që vijnë nga shtetet anëtare në BE, gjatë viteve të fundit, disa të arratisur të profilit të lartë, të akuzuar për trafikim narkotikësh dhe veprimtari të krimit të organizuar, kanë mundur t’i luftojnë me sukses kërkesat për ekstradim në gjykatë.

Vendimet e gjykatave i kanë vënë autoritetet shqiptare shpesh në vështirësi me partnerët ndërkombëtarë, duke cënuar ambicien e vendit për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Sipas të dhënave të marra prej Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm në Tiranë, 97 shtetas shqiptarë ose të huaj u arrestuan në 2014, bazuar në mandat-arreste ndërkombëtare, kryesisht të ardhura prej Italisë.

Në 64 raste, të arratisurit u ekstraduan, në 21 raste autoritetet e huaja ranë dakord të konvertojnë mandat-arrestet me njohje të vendimit në një gjykatë shqiptare, në shtatë raste ata tërhoqën urdhrin e arrestit, ndërsa në pesë syresh, kërkesa për ekstradim nuk u pranua nga gjykatat shqiptare.

Megjithëse rastet ku gjykatat nuk pranuan ekstradimin përbëjnë një pakicë në kërkesat për ekstradim, dokumentet e gjykatës të siguruara tregojnë se në to bënin pjesë të arratisur të akuzuar për krime të rënda.

Frroku nuk është i vetmi politikan shqiptar që është akuzuar apo dënuar për krime në një shtet të BE-së. Në 2012, një këshilltar në qytetin e Fierit për Partinë Republikane, atëherë një partnere në koalicionin qeverisës, Fatmir Kajolli, u arrestua bazuar në një kërkesë italiane për ekstradim.

Ashtu si në çështjen e Frrokut, policia në atë kohë u akuzuan se e kishte pluhurosur prej kohësh mandat-arrestin, pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes së ekstradimit midis Italisë dhe Shqipërisë, në shtator 2011.

Sipas zyrës së Prokurorit, kërkesa e ekstradimit të paraqitur në gjykatën e shkallës së parë të Fierit tregonte se Kajolli ishte dënuar nga gjykata e apelit të Romës me gjashtë vite burg në 2008, pasi u shpall fajtor për trafikim droge dhe përfshirje në një organizatë kriminale.

Në vitin 2000, një gjykatë në Milano e kishte dënuar gjithashtu Kajollin me 16 vite burg për pjesëmarrje në një organizatë kriminale, qëllimi i së cilës ishte trafikimi ndërkombëtar i narkotikëve.

Megjithatë, në qershor 2012, gjykata e shkallës së parë të Fierit refuzoi kërkesën për ekstradim, duke argumentuar se vendimi i gjykatës së apelit të Romës nuk jepte garanci se Kajolli nuk do të vuante edhe dënimin në Milano, me të shkuar në Itali.

Një javë më vonë, gjykata e apelit të Vlorës iu përmbajt vendimit të gjykatës së shkallës më të ulët, duke shtuar se krimi i kryer nga Kajolli ‘nuk dëmtonte interesat e Shqipërisë apo qytetarëve shqiptarë’.

Një tjetër rast i profilit të lartë përfshin Arben Isufajn, i njohur edhe si Ben Qimja, që u arrestua më 9 mars 2014, gjithashtu me një mandat ekstradimi nga Italia.

Isufaj ishte akuzuar nga një gjykatë e Torinos për trafikim të kokainës dhe lidhje me një organizatë kriminale.

Prokurorët italianë kishin mundur të provonin se Isufaj kishte trafikuar në disa raste, mes 2004 dhe 2005, në bashkëpunim me të tjerë sasi të mëdha të kokainës nga Holanda në Itali.

Bazuar në akuzat e ngritura kundër tij, gjykata e Torinos kishte lëshuar një mandat-arresti ndërkombëtar.

Megjithatë, kur çështja doli përpara trupit gjykues shqiptar në mars 2015, gjykata e apelit të Torinos e kishte hedhur poshtë akuzën për organizatë kriminale, duke lënë vetëm akuzën e trafikimit të narkotikëve, gjë që ishte mjaftueshëm për gjykatën shqiptare që të refuzonte ekstradimin.

“Mandat-arresti europian është lëshuar bazuar në një vendimi që nuk është në fuqi,” shkruan gjykatësja Matilda Shala në vendimin e saj për të refuzuar ekstradimin dhe lirimin e Isufajt.

Të arratisurit shqiptarë i kanë bërë dredhi ekstradimit, jo vetëm përmes teknikave ligjore në gjykatë, por gjithashtu duke ia mbathur kur kanë qenë në arrest shtëpie në pritje ekstradimit.

Vangjel Zijaj, alias Arben Gropa njihej në qytetin e Fierit si pronar i tavernës “Pelikani”. Megjithatë, gjykata e Romës e kishte dënuar në janar 2004 me 32 vite burg për akuza të trafikimit të narkotikëve.

Ai u arrestua në shkurt 2014, bazuar në një mandat-arrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet italiane. Pas arrestimit të tij, gjykata e apelit në Vlorë e ndryshoi masën e sigurisë në arrest shtëpie.

Kur kërkesa e ekstradimit të Gropës u pranua më në fund disa muaj më vonë, ai ia kishte mbathur nga arresti i shtëpisë dhe nuk gjendej gjëkundi.

Një dështim i ngjashëm ndodhi me një tjetër ‘biznesmen’ nga qyteti i Vlorës me të shkuar kriminale, Gramoz Murataj, që zotëron një nga kompanitë më të mëdha të basteve sportive në Shqipëri.

Murataj u dënua me katër vjet e gjashtë muaj burg nga një gjykatë italiane në qytetin jugor të Leçes në 2004, për trafikim të narkotikëve dhe lidhje me krimin e organizuar.

Bazuar në mandat-arrestin italian, Murataj u arrestua nga policia në vendlindjen e tij Vlorë në prill 2013.

Si gjykata e shkallës së parë edhe ajo e apelit në Vlorë e miratuan kërkesën për ekstradim; por Murataj u arratis ndërkohë që ishte në arrest shtëpie . Kërkesa për ekstradim e tij në fund u hodh poshtë nga Gjykata e Lartë në janar 2014.

Gëzim Çela nga qyteti i Fushë Krujës, njihej gjithashtu si biznesmen, pronar i disa supermarketeve në të njëjtën zonë.

Çela u arrestua në shtator 2012, bazuar në një mandat-arresti ndërkombëtar, pasi gjykata e Triestes në Italinë veriore e kishte akuzuar atë në vitin 2000 për lidhje me krimin e organizuar dhe shfrytëzim prostitucioni.

Çela ishte shpallur fajtor me disa vendime gjykate në Itali dhe dënuar në total me 19 vite e nëntë muaj burg. Teksa kërkesa për ekstradimin e tij shqyrtohej nga gjykatat në Shqipëri, Çelës i ishte caktuar gjithashtu me masën e sigurisë arrest shtëpie.

Megjithatë, ndërkohë që ndodhej në arrest shtëpie, ai vazhdonte të drejtonte një rrjet trafikimi kokaine të shtrirë në Shqipëri dhe Kosovë. Pasi rrjeti u zbulua në qershor 2014, Çela u arratis dhe tani është një prej personave me të shumëkërkuar nga autoritetet Shqiptare.

Një prokuror në Tiranë, që foli në kushtet e anonimatit, sepse nuk ishte i autorizuar , tha se këta kriminelë të shumëkërkuar po shfrytëzonin me zgjuarsi sistemin e dobët të drejtësisë shqiptare për t’i shpëtuar ekstradimit.

“Zyra e prokurorit të përgjithshëm ka depozituar një ankesë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë kundër disa gjyqtarëve, por ndërsa flasim, nuk ka pasur përgjigje nga Këshilli,” tha ai.

“Në të gjitha këto raste ne kemi kërkuar ekstradim të këtyre individëve, por në fund është gjykata ajo që vendos,” shtoi ai duke iu dorëzuar faktit.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ Mbyllja e TikTok, 81% e shqiptarëve pro vendimit të qeverisë

Sondazhi/ Mbyllja e TikTok, 81% e shqiptarëve pro vendimit të qeverisë