Banka e Shqipërisë bëri të ditur se, sistemi bankar në vend shënoi rritje duke u ngjitur në nivelin 92.1 nga 90.5 që ishte në gjysmën e parë të vitit 2014 dhe 91.4 në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Indeksi i Fortësisë Financiare është një tregues që përmbledh elementët më të rëndësishëm të shëndetit financiar të sistemit bankar.
Në fund të vitit 2014, nënindekset që kontribuan pozitivisht ishin përmirësimi i cilësisë së aktiveve, rritja e përfitueshmërisë si dhe ekspozimi më i ulët ndaj luhatjeve të normës së interesit. Një efekt pozitiv në indeksin e fortësisë financiare kanë sjellë edhe normat e stabilizuara të interesit. Normat referuese, si libori, euribori apo interesi i bonove të thesarit kanë shfaqur luhatshmëri të ulët gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar dhe në fillimin e këtij viti.
Rritja e cilësisë së aktiveve nëkupton një ulje të nivelit të kredive me probleme, ulje që ka qenë e qëndrueshme edhe në muajt e parë të vitit 2015. Përmirësimi gjendjes së kredive me probleme ka sjellë edhe një rritje të rezultatit të bankave, që vitin e kaluar regjistruan një rezultat financiar agregat në vlerën e 11.2 miliardë lekëve, 70% më shumë, krahasuar me vitin 2014. /atsh/