Gjatë një interviste për Report TV, ish-deputeti dhe ish ministër i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, komentoi zhvillimet e fundit lidhur me hetimet e SPAK ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku.

Alibeaj u shpreh se qasja e duhur duhet të jetë ajo sipas së cilës, kur një vendim jepet nga një gjykatë, pavarësisht nëse mund të mos përkojë me pritshmëritë e dikujt, “ai vendim duhet të pranohet, të respektohet dhe, sa më shumë që të jetë e mundur, të mos komentohet nga palët e prekura drejtpërdrejtë”. Duke iu referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Alibeaj tha se “çudia qëndron te fakti se kryeministri i vendit, si palë e investuar drejtpërdrejt në këtë proces, ka ndikuar në një vendimmarrje që është marrë sipas kërkesës së tij, çka kontaminon integritetin dhe përmbajtjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese”.

Ai theksoi se palët politike nuk duhet të shprehen publikisht për aq kohë sa kanë zgjedhur t’i drejtohen një institucioni, por duhet “thjesht dhe në heshtje” të pranojnë vendimmarrjen dhe të mos e ngarkojnë atë politikisht.

Sipas tij, ecuria e hetimeve nuk pengohet nga heqja ose jo e imunitetit, por rreziku real lind në rast se mazhoranca nuk jep autorizimin për marrjen e masave përkatëse. “Nuk do të çuditesha nëse Rama dhe mazhoranca nuk e heqin imunitetin”, tha Alibeaj.

Ai shtoi se ekzistojnë një seri veprimesh dhe qëndrimesh të mazhorancës që, sipas tij, nuk janë dashamirëse ndaj aktit të heqjes së imunitetit. “Me shumë gjasë, imuniteti nuk do të hiqet dhe kjo do ta çojë çështjen në një përplasje politike, duke sakrifikuar ‘kalin e betejës’ së Shqipërisë dhe shqiptarëve, që është reforma në drejtësi”, u shpreh ai.

Alibeaj theksoi se SPAK do të vijojë hetimet dhe mbledhjen e provave, por paralajmëroi se ekziston rreziku që i pandehuri, apo edhe vetë kryeministri, të ndërmarrë veprime për të goditur cilësinë e hetimeve, përmes manipulimit të dokumenteve ose intimidimit të dëshmitarëve.

Në përfundim të intervistës Alibeaj tha se ligji duhet respektuar pa  ‘nëse’ dhe ‘por’, sepse kjo kërkesë e SPAK për heqje imuniteti nuk do të jetë e fundit.

“Askush nga ne nuk e di nëse në të ardhmen e afërt SPAK do të dorëzojë kërkesa të tjera në Parlament për heqje imuniteti. Ky është episodi i parë dhe do të shohim çfarë do të ndodhë në episodet e ardhshme”, tha Alibeaj.