Këtë mëngjes, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, i ka shkuar në shtëpi liderit demokrat Lulzim Basha. Shqiptarja.com mëson se Kryemadhi është takuar me kryedemokratin në shtëpinë e tij pranë Liqenit Artificial, tek ish-stadiumi "Qemal Stafa" ku po ndërtohet Arena Kombëtare. Shqiptarja.com ka siguruar edhe një foto ekskluzive të makinës së Kryemadhit parkuar poshtë pallatit ku banon Lulzim Basha. 

Nuk është hera e parë që Monika Kryemadhi që i shkon në lagje Lulzim Bashës. Më parë Shqiptarja.com publikoi një video ekskluzive, teksa kryetarja e LSI-së takonte në një lokal poshtë shtëpisë së Bashës, bashkëshorten e liderit të opozitës, Aurela Bashën.

Dje opozita e bashkuar joparlamentare zhvilloi protestën e gjashtë kombëtare kundër qeverisë, e para protestë paqësore që erdhi pas presionit të SHBA-ve dhe BE-së. Protesta u mbyll shpejt dhe udhëheqësit politikë u kujdesën të mos kishte përplasje me policinë. Kryedemokrati Lulzim Basha tha se tashmë është koha për zgjidhje politike, por si kusht duhet largimi i Ramës. Zgjedhej pa opozitën nuk ka - theksoi ai, ndërsa kryetarja e LSI-së, Kryemadhi bëri thirrje për të mos pasur akte dhunë në protestë, pasi këto veprime nuk do të ishin gjë tjetër, veçse pikë për Edi Rama.

Ndërkombëtarët, konkretisht Gjermania ka shprehur gatishmërinë për të ndërmjetësuar krizën politike në Shqipëri, por Basha i ka vendosur kusht Berlinit për dialogun duke kërkuar largimin e kryeministrit Rama. Kreu i qeverisë Edi Rama është shprehur i gatshëm për dialog, por se data 30 qershor nuk negociohet. Presidenti Meta shprehu gatishmërinë për të shtyrë datën e zgjedhjeve nëse ka vullnet politik duke dorëzuar edhe mandatin e tij për zgjidhjen e krizës.