Claudia, rrëfimi se si ndërroi një shtet

Claudia, rrëfimi se si ndërroi një shtet

Claudia Sheinbaum Pardo

Të dielën qytetarët e Meksikës zgjodhën si presidente një grua, një shkencëtare të arrirë në fushën e fizikës e të mbrojtjes së ambientit, një personi që i përket kulturës religjioze hebraike. Pa zarf, pa pazare koalicionesh, pa kalkulime favoresh që do të jepen në Kongres qytetarët me votë të tyre të drejtpërdrejtë i dhanë përkrahjen më të madhe që i është dhënë ndonjëherë ndonjë kandidati presidencial

Claudia dhe unë kemi qenë në të njëjtin Universitet, në të njëjtin qytet dhe si e vogël ka banuar në një lagje që ishte nja pesë a dhjetë minuta këmbë prej shtëpisë ku jetoja dhe ku zakonisht jetonin hebrenjtë. Emrat e apartamenteve bartnin më vete në shumicë prapashtesa të Evropës Qendrore dhe lindore, -ovsky, -stein e –baum dhe ndonjëherë, për dallim prej këtyre ashkenazi, edhe pa prapashtesa e të identifikueshme në familjen sefardike të emrave.  Para se të bëhej për moshë universiteti, prindërit e saj u zhvendosën në një shtëpi më afër Universitetit. Që të dytë ishin profesorë dhe që të dytë ishin të majtë, siç ishte i tërë Universiteti ynë, Universidad Nacional Autonoma de Mexico. Në fakultetin e saj, atë Fizikës, studentët e politizuar vazhdonin një lëvizje politike pak më të majtë se socialdemokracia. Në timin, të Filozofisë dhe Letërsisë, studentët e politizuar ishin edhe më të skajshëm, diku në afërsi të Maos- njëri prej liderëve studentorë krenohej me njohurinë me Enver Hoxhën dhe Shqipërinë si model të shtetit ideal.

Babai i Claudias ishte anëtar i Partisë komuniste të Meksikës, njëri prej jo pak intelektualëve që po të përshkruheshin në terma politikë evropianë të asaj kohe do të ishin diku mes komunistëve francezë dhe italianë, diçka që në vitet shtatëdhjetë e tetëdhjetë quhej euro-komunizëm. Kur ndonjëherë doja të pushoja nga orët e Universitetit, dilja në një lagje të afërt me të, ku për një kohë të gjatë kishte jetuar Diego Rivera, një anëtar tjetër i Partisë komuniste të Meksikës e më i njohur për artin e tij, guston e të jetuarit dhe të qenët bashkëshort i Frida Kahlos. Claudia mund të ketë qenë diku aty; nuk ishte i vogël numri i studentëve që zgjidhnin të bridhnin andej në kohë të lirë ditëve të javës; ditëve të fundjavës ajo pjesë ishte e mbushur me turistë.

Claudia e këtij rrëfimi, Claudia Sheinbaum Pardo u zgjodh të dielën presidente e Meksikës.

2.

Rrëfimi mes Claudias dhe meje nuk vazhdon; nuk e kam njohur ndonjëherë, por e kam njohur ambientin ku është rritur dhe zhvilluar dhe e kam përcjellë nga shumë larg ndryshimin e këtij shteti, prejse u largova prej tij më 1982.

Asokohe Claudia ishte ende studente, Meksika funksiononte praktikisht si një sistem njëpartiak, nën sundimin e PRI që mbante një emër plotësisht domethënës: Partia Revolucionare Institucionale; në interpretim e udhëheqësve të tyre Revolucioni meksikan i vitit 1910 është institucionalizuar dhe këtë institucionalizim e bëri Partia. Një interpretim të ngjashëm, por me më shumë shpjegime intelektuale evropiane, me Marks, Engels dhe Lenin i bënë pastaj partitë komuniste të Lindjes evropiane.

Kur ajo përfundoi studimet më 1989, u nis për magjistraturë dhe doktoraturë në Berkley të Kalifornisë-specializimet e saj janë përdorimi i energjisë në sistemin e transportit kolektiv dhe përdorimi i energjisë në ndërtim-vendi nisej për në drejtim tjetër. Meksika ishte vend gjithnjë e më i korruptuar, gjithnjë e më i padrejtë ndaj të varfërve, gjithnjë më i dhunshëm dhe gjithnjë më i eksplotuar në resurset e veta natyrore, prej gazit e naftës e deri te turizmi. Dhe, së shpejti do të bëhej vendi i cili falë marrëveshjes së tregtisë së lirë me SHBA-të e Kanadanë (NAFTA) do të shndërrohej në qendrën shpërndarëse të kokainës për në Amerikë e tutje.

3.

Fjala “macho” dhe derivati i saj “machoismo” që në gjuhët evropiane është përkthyer në variante të ndryshme të asaj që në shqipe quajmë maçizëm rrjedh nga Meksika dhe u zhvillua nga sociologjia bashkëkohore për të shpjeguar modelin dominues të mashkullit në shoqëri. “Macho” në të folmen e përditshme të meksikanit është “burrë” dhe përdorej ashtu si edhe në gjuhën shqipe, si sinonim i trimërisë, forcës e vendosmërisë.  Por në kuptimin e fenomenit shoqëror dominues u shndërrua në simbol të diskriminimit e shtypjes së grave.

Meksika i dha një kthesë të rëndësishme “maçizmit” në fillim të këtij shekulli dhe për këtë kishte meritën e vet edhe Claudia Sheinbaum. Në fillim të këtij shekulli, në krye të qytetit të Meksikës (që sot zyrtarisht në regjionin metropolitan ka 22.5 milionë banorë) erdhi një figurë që disa e përshkruajnë si reformator, disa si popullist, disa si demagog e disa si kryebashkiaku më i mirë që ka pasur ky qytet, njeriu që njihet me inicialet AMLO (Andres Manuel Lopez Obrador). Si personin që do të merrej me mbrojtjen e ambientit, një problem ekzistencial i këtij qyteti zgjodhi personin që kishte doktoruar për këtë dhe që kishte afinitete të ngjashme politike. Me një sërë zgjidhjesh teknike e urbanistike-përfshirë edhe ato të ndërtimit të autostradave qarkore në kat e me pagesë për shfrytëzuesit-Claudia Sheinbaum dëshmoi se mund të ballafaqohej me problemet më të vështira.

Provimin e dha kur u bë vetë kryebashkiake, prapë me përkrahje të AMLO që ndërkohë u zgjodh president. Krimi galopant i kryeqytetit të Meksikës u ballafaqua me një shkencëtare e cila e shikoi problemin si një që kërkon analizë shkencore. Prej vitit 2018 deri më 2023 sa ishte kryebashkiake e mbushi qytetin me kamera vëzhgimi dhe vendosi përqendrimin e forcave policore proporcionalisht me lartësinë e krimeve. Gjatë mandatit të saj shkalla e vrasjeve u përgjysmua.

Pashë me sytë e mi ndryshimin më 2023. Ecja lirisht me familjen time rrugëve të qendrës së qytetit, atyre rrugëve që para një dhjetëvjetëshi nuk mund të ecej lirisht as ditën e lërë më natën, siç bënim ne.

4.

Kur ta marrë mandatin në tetor të këtij viti, Claudia Sheinbaum Pardo do të ballafaqohet me dimensionin e tmerrshëm të dhunës së vendit. Në Meksikë bandat e drogës dhe kultura e dhunës po zhvillojnë një luftë kundër shtetit. Drejtësi janë duke kërkuar familjarët e 100 mijë të zhdukurve-viktima të klaneve të drogës dhe operacioneve paramilitare. Në gjashtë vjetët e fundit janë vrarë 180 mijë njerëz- shifra që zakonisht në vende të tjera të botës identifikohen si viktima lufte.

Çdo president që ka marrë pushtetin përgjatë këtij shekulli ka konstatuar se çështja e parë në agjendë do të jetë siguria dhe kjo do të ndodhë edhe për presidenten e re. Por, këso here në krye të vendit nuk është vetëm një person që i hyn zgjidhjes së problemeve me analizë të thukët shkencore. Këso është edhe një vend që ka ndryshuar thelbësisht.

Të dielën qytetarët e Meksikës, të shtetit që shpiku “machoizmin” zgjodhën si presidente një grua. Të dielën qytetarët e Meksikës që në shumicë janë rritur me demagogjinë e politikës zgjodhën një shkencëtare të arrirë në fushën e fizikës e të mbrojtjes së ambientit. Të dielën qytetarët e Meksikës, vendit me 100 milionë katolikë dhe nja 15 milionë protestantë zgjodhën një person që ndonëse jobesimtar i përket kulturës religjioze hebraike. Dhe të dielën qytetarët e Meksikës, me votë të drejtpërdrejtë –pa zarf, pa pazare koalicioni, pa kalkulime favoresh që do të jepen në Kongres-i dhanë përkrahjen më të madhe që i është dhënë ndonjëherë ndonjë kandidati presidencial.

Claudia u rrit së bashku me vendin e saj. Vendi i saj u rrit së bashku me Claudian.

M.Q.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    EURO 2024/ Fillojnë ndeshjet e fundit, a mendoni se Shqipëria kalon grupin?



×

Lajmi i fundit

Itali/ Vritet me thikë 17-vjeçari shqiptar në Peskara, arrestohen dy të mitur, njëri prej tyre djali i një komandanti karabinierie

Itali/ Vritet me thikë 17-vjeçari shqiptar në Peskara, arrestohen dy të mitur, njëri prej tyre djali i një komandanti karabinierie