Çmimi i energjisë do të rritet
Gjiknuri: S'preken familjet në nevojë

Çmimi i energjisë do të rritet<br />Gjiknuri: S'preken familjet në nevojë
TIRANE- Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri, ka paralajmëruar rritjen e çmimit të energjisë elektrike edhe pse ka siguruar se nuk do të preken nga kjo rritje familjet në nevojë. Në një dalje para mediave, ministri tha se janë duke u bërë stimulimet e duhura nga Enti Rregullator i Energjisë, i cili e ka kompetencën për të vendosur çmimet, por shtoi se qeveria do të mbrojë konsumatorët familjarë dhe ata në nevojë.
 
“Politikat e çmimit janë duke u bërë nga Enti Rregullator i Energjisë. Një gjë dua ta theksoj, konsumatori familjar do të mbrohet, konsumatori në nevojë do të mbrohet. Keni parasysh që çmimi i energjisë ka mbi katër vjet që nuk është reflektuar, as është indeksuar. Normalisht, çdo çmim ka edhe indeksin e saj. Çfarë është çmimi final i energjisë, shumatore e të gjithë elementëve që përbëjnë koston e energjisë: qoftë importi, Shqipëria importon mbi 40% të nevojave të saj, qoftë vulnerabiliteti që vjen për shkak të mungesës së reshjeve. Përshembull, ky vit ka qenë një vit i keq dhe ka bërë që të ulet prodhimi vendas, sepse nuk ka pasur reshje. Dua ta nënvizoj, se ne nuk do të përfshijmë tek çmimi i energjisë për asnjë moment humbjet jo teknike apo mungesën e aftësisë për të reduktuar humbjet. Pra, fenomenin e humbjeve jo teknike ne do ta luftojmë me çdo lloj mase sa më radikale. Ndryshime u bënë në Kodin Penal, do të ketë ndryshime të tjera, në mënyrë që vjedhja e energjisë të trajtohet si një fenomen që kërcënon sigurinë kombëtare. Në çmimin e energjisë do të përfshihen elementët teknikë të sistemit, investimet e nevojshme, të cilat patjetër do ta shlyejnë veten në plan afatgjatë dhe do të sjellin çmime shumë të qëndrueshme në terma afatgjatë”, tha ministri Gjiknuri.
 
Ministri i Energjitikës e ka nënvizuar se kostoja për të blerë energjinë elektrike është rritur, dhe çmimet në Shqipëri nuk janë prekur prej katër vitesh.
 
“Duhet të kuptoni që kostot e energjisë në Shqipëri janë rritur për shkak të keqmenaxhimit, eliminimit të aseteve publike. Që ta kuptoni, e vetmja balancuese e çmimit në energji është kaskada e Drinit, e cila mbulon pak më shumë se 50 përqind të nevojave të konsumatorëve në Shqipëri. Qeveria shqiptare, e ka mbajtur qëndrimin e saj. Çështja e çmimit të energjisë është një çështje e Entit Rregullator të Energjisë, por një gjë dua të them: ne si qeveri, në çdo rast, me politikat tona do të mbrojmë konsumatorët në nevojë. Kjo do të thotë se konsumatorët që janë në gjendje të varfër, familjet shqiptare në nevojë, nuk do të preken nga kjo reformë në sektorin e energjisë elektrike”, tha ministri Gjiknuri.
 
Por lidhur me këtë fakt pasditen e sotme, ka ardhur reagimi i Partisë Demokratike. Jorida Tabaku tha se kjo ishte paralajmëruar nga forca politike qe ajo përfaqëson. Ajo shtoi se qeveria po mundohet t’ia delegojë ERE rritjen kur në fakt sipas saj, e vetmja që e kërkon një rritje të tille është qeveria shqiptare.
 
Por, në një reagim të dyte, ministria e Energjetikes ka sqaruar se kjo është një tentativë e opozitës për të keqinformuar opinionin publik mbi gjendjen në të cilën ndodhet sistemi energjetik. Në deklaratën për shtyp, ministria sqaron se studimi për politikat e çmimit të energjisë është duke u bërë nga Enti Rregullator i Energjisë i cili po analizon treguesit duke kërkuar të dhëna nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe kompanitë përbërëse të sistemit energjetik.
 
Ministria ka garantuar qytetarët dhe çdo shqiptar se çdo ristrukturim që mund të jetë i nevojshëm në të ardhmen për të zhvilluar sektorin dhe garantuar qëndrueshmërinë e tij, nuk do të cënojë interesat e qytetarëve dhe familjarëve shqiptarë.

150 mln $ për sistemin energjitik Gjiknuri: Të reduktojmë humbjet
Teksa prezantoi arritjen e marrëveshjes së qeverisë me Bankën Botërore, ministri Gjiknuri u shpreh se paketa fiskale prej 150 milionë dollarësh do të pasohet nga të tjera, të cilat do të shërbejnë për të vënë në shina sistemin energjetik në vend. Fjala e plotë e ministrit Damian Gjiknuri

Ministri u shpreh se me kalimin e ngërçeve juridike, në të cilën qeveria e shkuar e kishte lënë këtë dikaster,  tashmë do të nisin punimet për të bërë të mundur uljen e humbjeve, teksa vitin tjetër nis procesi i liberalizimit të sistemit të shpërndarjes. Gjiknuri u shpreh se pavarësisht vështirësive, këtë vit u arkëtuan 45 milionë dollarë më shumë.

“Energjia është një nga problemet më kritike për të gjitha shtetet e botës. Reforma që ne synojmë produktet i jep pas disa vitesh, në fund të këtij mandati synojmë që sistemi të jetë likuid të ecë me këmbët e veta. Gjatë këtyre viteve ka pasur humbje si pasojë e keqmenaxhimit nga qeveria e Berishës. Përsa i përket çmimit ne me politikat tona do mbrojmë konsumatorët. Konsumatorët në nevojë nuk do preken nga reforma në sistemin energjetik. Energjia ka një kosto. Vitin që vjen do të reduktojmë sa më shumë humbjen në rrjet. Ka 4 vjet që nuk është reflektuar, indeksuar çmimi i energjisë. Humbjet në rrjet nuk i reflektojmë tek çmimi i energjisë, aty do përfshihen elementët teknikë për çmimin”, tha ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri.

Marëveshja me BB do të kalojë në Parlament për miratim teksa Gjiknuri u shpreh se kjo paketë do të pasohet nga disa të tjera, të nevojshme për të vënë në shina sistemin energjitik.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Gjiknuri shprehu besimin se në fund të mandatit qeverisës, sistemit energjetik do t’i rikthehet vitaliteti dhe funksionaliteti nevojshëm.

Pyetjet dhe përgjigjet e ministrit Gjiknuri gjatë aktivitetit të prezantimit të projektit me Bankën Botërore

Z.Gjiknuri, a parashikon reforma edhe rritje të çmimit të energjisë elektrike? Kemi patur një deklaratë të FMN-së, i cila i sugjeronte qeverisë shqiptare që të rriste çmimin e energjisë për ta kaluar situatën e vështirë energjetike….
Duhet të kuptoni që kostot e energjisë në Shqipëri janë rritur për shkak të keqmenaxhimit, eliminimit të aseteve publike. Që ta kuptoni, e vetmja balancuese e çmimit në energji është kaskada e Drinit, e cila mbulon pak më shumë se 50 përqind të nevojave të konsumatorëve në Shqipëri. Qeveria shqiptare, e ka mbajtur qëndrimin e saj. Çështja e çmimit të energjisë është një çështje e Entit Rregullator të Energjisë, por një gjë dua të them: ne si qeveri, në çdo rast, me politikat tona do të mbrojmë konsumatorët në nevojë. Kjo do të thotë se konsumatorët që janë në gjendje të varfër, familjet shqiptare në nevojë, nuk do të preken nga kjo reformë në sektorin e energjisë elektrike.

Po ata të tjerët që nuk janë në nevojë, do të përballen me rritjen e çmimit të energjisë elektrike?
Unë e dhashë përgjigjen, energjia ka një kosto. Familjet në nevojë nuk do të preken në asnjë moment. Synimi ynë mbetet që të kemi energji me çmim më të mirë dhe të kemi energji të qëndrueshme, pra furnizim të qëndrueshëm pasi hendeku financiar në sektorin energjetik ka vite që përballohet nga shteti.

Z.Ministër a ka paraqitur kompania e shpërndarjes një kërkesë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike pranë Entit Rregullator të Energjisë?
Mesa kam dijeni, akoma nuk është paraqitur një kërkesë. Kompania po kalon në procesin e ristrukturimit dhe të kalimit të aksioneve në emër të shtetit, pra në pronësi të shtetit dhe besoj se ky proces do të përfundojë në fillim të shtatorit. Patjetër, si Ministri e Energjisë, si ministri përgjegjëse e linjës, po shikojmë politikat dhe parametrat e rinj financiarë, parametrat mbi të gjitha të humbjeve. Ne kemi synim që vitin që vjen ti reduktojmë akoma më shumë humbjet dhe vjedhjet e energjisë elektrike, duke luftuar fenomenin ilegal të vjedhjes së energjisë, i cili është dëmi më i madh që po i bëhet sektorit.

Z. Ministër, financimi i bërë nga Banka Botërore do të përdoret për pjesën e shpërndarjes? Ku do të fokusohet..?
Do të fokusohet në rrjet, në stacione, në sisteme matje dhe në përmirësim të menaxhimit. Kryesisht, do të fokusohet në ato qarqe dhe në zonat që kanë konsum të madh si Tirana, Durrësi, Shkodra, Fieri apo Vlora. Pra, janë këto zona ku është konsumi më i madh qytetar dhe industrial. Nga ana tjetër, i kemi bërë me dije publikut dhe po e përsëris, që në vitin tjetër fillojmë procesin e liberalizimit hap pas hapi, duke nisur nga klientët e lidhur në tensionin e mesëm. Kjo pjesë, do të dalë nga pjesa e rregulluar, dhe në krye të disa viteve, ne synojmë që pjesa komerciale, industriale, të jetë e dalë nga tarifat e rregulluara. Kjo, në mënyrë që sistemi të liberalizohet dhe të krijojë mundësi financiare për të blerë edhe energjinë e prodhuesve privat, të cilët gjithashtu janë zhytur në krizë për shkak të hendekut financiar, mos reflektimit të çmimeve. Kjo është fatkeqësia, që gjatë viteve të fundit qeveria kreu politika të papërgjegjshme duke dhënë vazhdimisht koncesione dhe duke mos i reflektuar këto në çmime, çka ka krijuar hendeqe financiare, me të cilat fatkeqësisht kjo qeveri duhet të përballet. Ne duhet ti japim një zgjidhje prodhuesve privatë, për ti përgatitur ata që në perspektivë të fillojnë të dalin në treg duke furnizuar pikërisht konsumatorët industrialë.

Duhet ta kuptoni se kaskada e famshme e Drinit është aseti më i mirë publik. Fatkeqësisht, asetet e KESH-it u cunguan me shitje që do ti quaja antikombëtare, siç u shitën 4 hidrocentrale për një vlerë prej 90 milion dollarësh sepse pjesa tjetër ishte rimbursim TVSH-je. Ndërkohë, për këto asete të hequra, detyrohemi të blejmë 20 e ca milion çdo vit energji e cila nuk është reflektuar diku. Kjo është politika që është ndjekur deri më tani me asetet kombëtare. Asetet kombëtare edhe për disa kohë do të vazhdojnë të jenë në funksion të mbajtjes së rregullatorit të çmimit për pjesën e rregulluar, sidomos familjeve shqiptare derisa do të vijë momenti që gjendja ekonomike do të përmirësohet dhe vet liberalizimi do të sjellë një qëndrueshmëri më të madhe në treg, por edhe çmime më të pranueshme për të gjithë konsumatorët shqiptarë.

A mendoni për një riprivatizim të kompanisë së shpërndarjes?
Është shpejt për të thënë për këtë. Ne po mendojmë metoda të mira menaxhimi, qoftë nga konsulencat private të aspektit të mirëmenxhimit të kompanisë shtetërore. Patjetër, ka nevojë kompania për ristrukturim, asetet e saj kanë vlerë. Siç i kanë nxjerrë edhe auditët ndërkombëtarë, ne morëm mbrapsht një vlerë asetesh 240 milion dollar, të cilat nuk mund të shiten përnjëherë, pa krijuar një kuadër të plotë rregullator. Shitjet e nxituara, pa një kuadër të mirërregulluar rregullator dhe pa marrë masat shteti që vërtet ti mbikëqyrë ato objektiva që i ka vënë vetes me privatizimin, mund të na çojë prapë në dështim. Kjo në fakt ndodhi me qeverinë Berisha, që proklamoi sukses të madh, por shumë shpejt u pa që asgjë nga ajo deklaratë rregullatore nuk u monitorua dhe u bënë ato marrëdhënie me kompaninë që çuan në falimentim total të gjithë sektorit.

Z.Ministër kur do të nisë zbatimi i këtij projekti të Bankës Botërore?
Sa të miratohet kredia nga bordi i bankës, një procedurë formale që do të ndodhë këtë muaj. Duhet të miratohet edhe nga Kuvendi i Shqipërisë, sepse kjo paketë do të shkojë në Kuvend dhe më pas automatikisht fillon zbatimi. Ne jemi duke punuar me projektet paralelisht dhe kemi filluar që para disa muajsh me Bankën Botërore. Në momentin që i dhamë zgjidhje përfundimtare sistemit të shpërndarjes, me marrjen nën kontroll nga shteti, u hap drita jeshile për investime dhe rimëkëmbjen e sektorit. Për t’ju dhënë përgjigje edhe skeptikëve, pa mbylljen e këtij konflikti, sektori energjetik shqiptar nuk mund të merrte asnjë investim dhe shumë shpejt do të kalonte në kolaps.

Sa para mendoni se do duheshin për ta sjellë sektorin energjetik në parametrat që duhet të jetë, parametra të shëndosha?
Për të sjellë sistemin energjetik shqiptar në parametrat perëndimorë, përsa i përket anës teknike do të duheshin minimalisht 1.7 miliard dollarë. Aktualisht ne po flasim për disa vlera, disa investime në zonat me konsumin më të madh dhe për të reduktuar humbjet. Ju e dini, sistemi energjetik shqiptar është ndërtuar para viteve ’90, dhe që nga vitet 70 janë bërë vetëm ndërhyrje pjesore në disa zona të caktuara. Mos harroni, Shqipëria ka një zhvillim 20 vjeçar kaotik urban, gjë që ka ndikuar direkt në gjithë infrastrukturën energjetike dhe që do të jetë një sfidë shumë e madhe për çdo qeveri. Sidomos për këtë qeveri, që e trashëgoi në gjendjen më të vështirë që ka qenë ndonjëherë sektori, me një hendek financiar të akumuluar mbi 1 miliard e ca dollarë.

Cilat kategori mund të preken nga ndonjë ndryshim në çmimin e energjisë?
Politikat e çmimit janë duke u bërë nga Enti Rregullator i Energjisë. Një gjë dua ta theksoj, konsumatori familjar do të mbrohet, konsumatori në nevojë do të mbrohet. Keni parasysh që çmimi i energjisë ka mbi katër vjet që nuk është reflektuar, as është indeksuar. Normalisht, çdo çmim ka edhe indeksin e saj. Çfarë është çmimi final i energjisë, shumatore e të gjithë elementëve që përbëjnë koston e energjisë: qoftë importi, Shqipëria importon mbi 40% të nevojave të saj, qoftë vulnerabiliteti që vjen për shkak të mungesës së reshjeve. Përshembull, ky vit ka qenë një vit i keq dhe ka bërë që të ulet prodhimi vendas, sepse nuk ka pasur reshje. Dua ta nënvizoj, se ne nuk do të përfshijmë tek çmimi i energjisë për asnjë moment humbjet jo teknike apo mungesën e aftësisë për të reduktuar humbjet. Pra, fenomenin e humbjeve jo teknike ne do ta luftojmë me çdo lloj mase sa më radikale. Ndryshime u bënë në Kodin Penal, do të ketë ndryshime të tjera, në mënyrë që vjedhja e energjisë të trajtohet si një fenomen që kërcënon sigurinë kombëtare. Në çmimin e energjisë do të përfshihen elementët teknikë të sistemit, investimet e nevojshme, të cilat patjetër do ta shlyejnë veten në plan afatgjatë dhe do të sjellin çmime shumë të qëndrueshme në terma afatgjatë.
 
Redaksia Online
(e.s/g.f/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Shpërthim me tritol në banesën e 50-vjeçarit në Fushë-Krujë (EMRI)

Shpërthim me tritol në banesën e 50-vjeçarit në Fushë-Krujë (EMRI)